Ministri rumun i Punëve të Jashtme, Victor Negrescu ka dhënë dorëheqjen vetëm pak javë përpara se vendi të marrë presidencën gjashtëmujore të BE-së, u njoftua nga mediat vendase javën e kaluar. Sipas website-t të lajmeve HotNews.ro ai e mori vendimin për t’u larguar menjëherë pasi Partia e tij Social Demokrate zbuloi se ai nuk kishte arritur të merrte mbështetjen e Brukselit në drejtim të zbatimin të reformave të gjyqësorit. Sipas së përditshmes Evenimentul Zilei, z. Negrescu e dha dorëheqjen pas një mandati vërtet të tensionuar, gjatë të cilit ai nuk arriti të kishte mbështetjen e kolegëve të tij në kabinet dhe duke mos lënë pa përmendur këtu edhe sulmet e ashpra të medias në drejtim të tij. Në fillim të qershorit të këtij viti, 12 shtete perëndimore thanë se disa nga reformat gjyqësore të Rumanisë mund të “pengonin bashkëpunimin (me Rumaninë) në zbatim të ligjit ndërkombëtar”. Muajin e kaluar, Gjykata e Lartë vendosi se një numër i madh ndryshimesh të Kodit Penal, të nxitura kryesisht nga socialdemokratët ishin antikushtetuese.
Nëntë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese hodhën poshtë njëzëri 60 ndryshime në Kodin Penal që ndërkohë ishin kritikuar edhe nga Komisioni Europian në Bruksel dhe Presidenti rumun Klaus Iohannis. Sipas disa kritikëve në vend, disa nga ndryshimet do t’i japin mundësinë liderit të Partisë Social Demokrate, Liviu Dragnea, të kërkojë një “rishqyrtim” të dënimit me dy vite burg që ai mori në vitin 2016, për shkak të mashtrimeve gjatë zgjedhjeve. Sipas tyre, ata mendojnë se këto ndryshime do ta ndihmojnë atë që t’i shpëtojë ndjekjes penale edhe për sa u përket dy rasteve të tjera. Parlamenti Europian pritet të miratojë një rezolutë që do të denoncojë disa ligje të miratuara në muajt e fundit nga socialdemokratët, me arsyetimin se ato po kërcënojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe po ndikojnë negativisht në luftën kundër korrupsionit. Prokurorët kanë pasur njëfarë merite në uljen e korrupsionit në Rumani, një nga vendet më të korruptuara në BE, por qeveria i akuzon ata për tejkalimin të pushtetit. Pas fitimit të zgjedhjeve në fund të vitit 2016, Qeveria socialdemokrate u përpoq të hidhte poshtë legjislacionin antikorrupsion, por i braktisi planet përballë shpërthimit të valës më të madhe të protestave që nga rënia e komunizmit në vitin 1989. Jo më larg se një muaj më parë, Komisioni Europian i kërkoi Bukureshtit të siguronte respektimin dhe zbatimin e shtetit ligjor, teksa Rumania po përgatitet për të marrë për herë të parë Presidencën e BE-së. Gjatë kësaj jave, Komisioni pritet të publikojë edhe raportin vjetor nën të ashtuquajturin Mekanizëm i Bashkëpunimit dhe Verifikimit, duke monitoruar reformat e shtetit në drejtim të zbatimit të shtetit ligjor.