Në fillim të muajit nëntor, në rrugët e Tiranës gjendeshin reklama të shumta të një universiteti të ri jopublik me emrin City University, ku ftoheshin të gjithë të interesuarit, që të ndiqnin studimet e tyre, në këtë institucion të ri, i cili ofronte ambientet mësimore në Autostrada Tiranë-Durrës, Km 3, ish- ambientet e Universitetit të mbyllur sakaq Kristal.
Gjithashtu, në kuadër të promovimit të këtij institucioni, krahas reklamave në rrugët e Tiranës apo edhe në televizion, ky institucion njoftoi publikun edhe nëpërmjet një website zyrtar dhe një faqeje në Facebook.
Ndërkaq, tashmë reklamat në rrugët e Tiranës nuk janë më, sipas urdhrit të ri të Ministrisë së Arsimit, e cila nëpërmjet një njoftimi zyrtar, publikuar në faqen e saj të internetit, i drejtohet Bashkisë së Tiranës heqjen e të gjitha reklamave të këtij subjekti nga stendat e afishimit që janë në administrim të Bashkisë, pasi dizinformojnë publikun. Njoftimi mban datën 16 dhjetor.
Ministria e Arsimit njofton publikun se, pas monitorimit të ligjshmërisë së aktivitetit të këtij subjekti, u mësua se ky universitet nuk është licencuar për të ofruar shërbim në fushën e edukimit në territorin shqiptar.
Subjekti në fjalë ka aplikuar për licencë pranë Qendrës Kombëtare të Licencimit, për të hapur një institucion parauniversitar plotësues, por akoma nuk është licencuar për këtë qëllim.
Ky subjekt, ka ndërtuar një faqe interneti www.cityu.al e cila nuk shpjegon qartë se çfarë ofron ky institucion në të vërtetë dhe ndërkohë ofron aplikacionin për aplikim online të menjëhershëm për regjistrim në kurse.
Grupi i punës nga MAS i bëri me dije drejtuesve, se nuk mund të reklamojnë në faqen e internetit, të pavërteta dhe njëkohësisht të paraqesin si real një institucion që akoma nuk është licencuar dhe kërkoi heqjen e menjëhershme të reklamave dizinformuese për publikun.
Gjatë inspektimit nga përfaqësuesit e subjektit, MAS pohon se nuk ka asnjë student të regjistruar.
Me kërkesë të MAS, ky subjekt hoqi, nga godina qendrore e tij, tabelën e përmasave të mëdha, me emrin e subjektit.
Ministria e Arsimit dhe Sportit i ka kërkuar Autoritetit të Mediave Audiovizive për marrjen e masave për heqjen e të gjitha reklamave dizinformuese në media dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për kontroll të specializuar të subjektit.
Duke qenë se ky subjekt, ka filluar veprimtarinë pa licencimin/miratimin përkatës nga organi kompetent, MAS i ka rekomanduar QKR-së marrjen e masave për çregjistrimin të tij nga regjistri tregtar.
Në fund, Ministria e Arsimit dhe Sportit deklaron se do të vijojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar zbatimin e ligjshmërisë në arsimin e lartë.
Reforma në Arsim
Në gusht të këtij viti, Ministria e Arsimit dhe e Sportit, njoftoi, pas një monitorimi të detajuar të kushteve që duhet të plotësojnë institucionet e arsimit të lartë, u hiqet licenca e 18 universiteteve, si më poshtë:
1-Universiteti Kristal
2-Universiteti Vitrina
3-Universiteti i Lartë Elitë
4-Universiteti Planetar i Tiranës
5-Justiniani i I
6-Medicadent
7-Institucioni i Arsimit të Lartë ‘Gjon Buzuku’, Shkodër
8-Akademia e Ndërtimit Tiranë
9-Akademia e Studimeve të Aplikuara Durrës
10-Akademia Pedagogjike Tiranë
11-Shkolla e Lartë “Nëna mbretëreshë Geraldinë”
12-Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës
13- Shkolla e Lartë Amerikane e Tiranës
14-Kolegji profesional i Sporteve, Fier
15-Shkolla e Lartë “Illyrija”
16-Kolegji profesional “Argent” Shkodër
17- Kolegji profesional “Medicom”
18. SHLUJ “ Medikadent”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.