Strategjia në vijim duhet të jetë parandalimi i situatës dhe jo reagimi pas saj. Është ky angazhimi që ka marrë përsipër ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, javën e shkuar në takime të mbajtura në disa nga zonat e prekura nga përmbytjet. Por çfarë ka konstatuar në fakt Ministria e Bujqësisë në terren gjatë këtyre ditëve, a kanë funksionuar siç duhet hidrovorët dhe gjithë infrastruktura e kullimit.
“Nga vlerësimet në terren rezulton se nuk kemi pasur shkatërrime të argjinaturave, por dëmtime të pjesshme (përgjithësisht të vogla) që kanë ardhur si rezultat i kapërdimit të tyre nga uji. Përmbytjet e ndodhura nuk kanë ardhur nga mosfunksionimi i kanaleve kulluese dhe hidrovorëve, të cilët kanë për qëllim largimin e ujërave sipërfaqësorë që krijohen nga reshjet e shiut, por nga vërshimi i sasive të mëdha të ujërave të lumenjve (kryesisht lumi Vjosa) mbi tokat bujqësore nga nivelet e larta të ujit (duke kapërdirë edhe argjinaturat mbrojtëse).
Sistemet e kullimit funksionuan dhe po funksionojnë normalisht çka po mundëson largimin me shpejtësi të ujërave nga sipërfaqja e përmbytur. Sasitë e mëdha të ujit kërkojnë disa ditë që të largohen plotësisht, duke theksuar se aftësia larguese e ujërave nga kanalet kulluese dhe hidrovoret është maksimale”, thekson Ministria e Bujqësisë në një prononcim për “Monitor”.
Po kështu vihet në dukje se ka pasur një përqendrim te pastrimi i kanaleve nga ana e bashkive duke hequr tërësisht faturën e përgjegjësisë nga këto njësi dhe duke ia lënë në dorë vetëm intensitetit të lartë të reshjeve.
“Largimi i shpejtë i ujërave nga tokat bujqësore është rezultat i një pastrimi masiv të kanaleve të parë dhe të dytë kullues me 61 ekskavatorët e bashkive dhe 25 ekskavatorët e Drejtorive të Ujitjes dhe Kullimit, duke mundësuar largimin nga sistemi kullues për një periudhë 3-vjeçare, të rreth 10 milionë m³ dhera, ose gati 50% të akumulimeve të dherave nga mospastrimi rregullisht i këtyre kanaleve për gati 20 vjet.
Nëse para vitit 2016 mund të largonim rreth 2.5 milionë m³ dhera në vit, tani jemi në gjendje të largojmë rreth 8 milionë m³ dhera në vit. Ky proces ka përmirësuar dukshëm treguesit e kullimit në rreth 200 000 hektarë, kryesisht në Ultësirën Perëndimore”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Bujqësisë.
Një situatë si ajo e përmbytjeve të fillimit të dhjetorit kërkon angazhim të të gjithë aktorëve për të ndjekur një strategji të koordinuar, në mënyrë që në të ardhmen këto situata të minimiziohen. Por fillimisht, duke qenë se jemi ende në mes të sezonit të shirave, kërkohet ndërhyrje emergjente. “Me rënien e nivelit të ujit ka filluar kontrolli në vend i argjinaturave mbrojtëse dhe digave për të parë mundësinë e ndërhyrjeve emergjente dhe post-emergjente. Kryesisht këto inspektime do të kryhen në lumin Vjosë, Shkumbin, Seman, Osum, Devoll, Droje etj. Mbrojtja nga lumenjtë duhet të sensibilizojë të gjithë aktorët, pasi përmbytja i prek të gjithë.
Në këtë kontekst, krahas ndërhyrjeve emergjente riparuese, sepse jemi ende në mesin e stinës me reshje, do të duhet një qëndrim shumëplanësh, ku krahas përmirësimit të sigurisë së mbrojtjes nga përmbytjet, nëpërmjet rehabilitimit apo ndërtimit të argjinaturave mbrojtëse, do të duhej që për perspektivën, të ndërmerren edhe masa të tjera të çlirimit të disa zonave me risk të lartë nga ndërtimet apo skema sigurimi, pasi përmbytjet nuk mund të përcaktohen saktësisht. Të gjitha aktivitet që ndërmerren janë për të minimizuar rrezikun nga përmbytjet”, – pohohet nga Ministria e Bujqësisë.
Rrugët e dëmtuara, kontratat e performancës
japin efekt, “mirëmbajtja” ngrihet në këmbë
Kontratat mbi bazë performancën kanë bërë që këtë herë, kompanitë që merren me mirëmbajtjen e rrugëve, sipas projektit të Bankës Botërore të jenë në gatishmëri për të përballuar situatën. Të paktën këtë raportoi Autoriteti Rrugor Shqiptar. Në një prononcim për “Monitor”, ARRSH bëri me dije se në kuadër të situatës së emergjencës, drejtoritë rajonale kishin organizuar shtabet e tyre të Emergjencës, si dhe grupet e specialistëve në terren.
“Është bërë raportim në kohë reale nga terreni ka bërë nga mbikëqyrësi i kontratave me performancë, kontraktorët dhe Njësia e Projektit të Bankës Botërore. Në kohën që Jugu përballej me shirat e rrëmbyer, disa akse të Veriut dhe të Juglindjes u përballën me reshjet e borës, si në akset e Tropojës dhe në Dardhë. Kontraktorët kanë bërë pastrimin e tyre dhe shpërndarjen e kripës. Është ndërhyrë në kohë rekord për eliminimin e çdo situate në rrugë të shkaktuara nga reshjet e shiut dhe rënia e gurëve apo në raste të caktuara nga reshjet e borës. Rrugët janë zhbllokuar brenda pak orësh duke garantuar lëvizjen e qytetarëve dhe mjeteve”, vlerëson ARRSH. Tashmë, pas kalimit të fazës së parë të emergjencës, nga ARrSh dhe drejtoritë e rajoneve po organizohen grupe pune për inspektimin dhe verifikimin në terren të dëmtimeve të krijuara nga reshjet.
Rrugët me probleme dhe dëmtime
Autostrada Tiranë – Durrës, u bllokua për disa orë,
Aksi Fushë Krujë – Laç, u bllokua nga dalja e ujit mbi rrugë
Aksi Mamurras – Ura e Drojës ku u dëmtua Ura e Drojës,
Segmente Qafë Priskë – Shëngjergj, ku ka ndodhur një çedim i trupit të rrugës
Aksi Krujë – Qafë Shtamë, dëmtim të tombinos
Aksi K/Zëmblak – Goricë, ku u dëmtua ura e Zëmblakut
Aksi Ura e Gjadrit – Mnele, ka pati çedim të trupit të rrugës,
Aksi Qafa e Dushkut – Kuç, ku ka një rrëshqitje masive
Aksi Ura e Leklit – Këlcyrë, ku pati dy rrëshqitje masive
Problematikat e krijuara nga Liqeni i Viroit, në aksin Tepelenë – Gjirokastër – Kakavijë,
Aksi Vlorë – Selenicë, që u bllokua, si rezultat i daljes së Vjosës,
Aksi i vjetër Levan – Vlorë, që u bllokua si rezultat i daljes nga shtrati të Vjosës
Shiu e pati edhe një të mirë, KESH fitoi disa milionë euro nga energjia
Kur të gjithë vuajtën pasojat negative të shiut të rrëmbyer, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare arriti që t’i kthente prurjet në përfitim ekonomik, duke prodhuar energji dhe duke e shitur atë në tregun e parregulluar. Kjo i dha asaj jo pak. por mbi 2.2 milionë euro me dy shitjet e para. Referuar shifrave zyrtare të KESH për periudhën 01-06 dhjetor 2017, KESH sh.a. ka prodhuar nga HEC-et kaskadës së Drinit sasinë prej 55,937.51 MWh. Nga kjo, sasia e energjisë elektrike e kërkuar nga OSHEE për furnizimin e klientëve fundorë për periudhën 01-06 dhjetor 2017 është 8,440 MWh. Vetëm për ditët e para të post-emergjencës 01-04 dhjetor u shitën në treg të lirë 29,590 MWh me një vlerë monetare prej 1,240,288.50 euro. Një pjesë të energjisë sipas marrëveshjes me Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës KESH e ka depozituar në shtetin fqinj në një sasi rreth 17,900 MWh.
Përmbytja e nënstacionit të Kasharit, OSHEE: Po vlerësohen projektet ku do të investojmë
Përmbytjet transmetuan efektet e tyre edhe në sektorin energjetik, por ndryshe nga KESH që kishim përfitim ekonomik tek shpërndarja, u has në probleme që nisnin nga më të thjeshtët tek më të komplikuarit. Pavarësisht menaxhimit dhe angazhimit në terren të 2200 punonjësve “Thembra e Akilit” në këtë përmbytje ishte Tirana, ku përmbytja e nënstacionit të Kasharit detyroi kompanitë të bënte stakim të energjisë. “Në lidhje me furnizimin me energji elektrike, kemi pasur mbi 200 fidra jashtë pune, ndërsa tani, numri i tyre nuk shkonte më shumë se mesatarisht 60 fidra dhe kjo falë investimeve të OSHEE-së në rrjetin e shpërndarjes.
Është e vërtetë që pati ndërprerje të energjisë elektrike, por në mbi 70% të rasteve, stakimet vinin prej përmbytjeve. Sipas standardeve ndërkombëtare, në rast përmbytjesh të kabinave, sidomos të nënstacioneve, duhet stakuar energjia për të mos rrezikuar jetën e popullatës. Lidhur me nënstacionin Kashar, i cili u përmbyt, është një përvojë e ngjashme kjo me nënstacionin e Lezhës, për të cilin investuam rreth 2 milionë USD për ta rritur nivelin nga toka, plus edhe vendosjes së pajisjeve të reja. Aktualisht për këtë problem, OSHEE është në analiza të vazhdueshme projektesh për të parë nevojën se ku duhet të ndërhyjmë. Të njëjtën rrugë ndoqëm dhe me nënstacionin e Gjirokastrës, ku janë investuar 1.5 milionë dollarë, ndërsa i vjetri që përmbytej do të dalë gradualisht jashtë funksionit”, shprehet Petraq Lika, drejtor i Divizionit të Shpërndarjes në OSHEE-së. Ai nënvizon se ka pasur një vëmendje të veçantë tek pjesa e hidrovorëve, ku gjatë situatës vetëm dy prej tyre shfaqën probleme. “OSHEE ka investuar më herët me linja të reja ABC, kabina dhe rrjete të tensionit të mesëm në 10 dhe 20 kV, kryesisht në zonat e Veriut, në Lezhë sidomos, në zonën e Vlorës, Fier apo edhe më gjerë.
Pra nga ana jonë, janë bërë punimet që hidrovorët të ushqehen me energji elektrike nga një rrjet i sigurt, madje në disa stacione të rëndësishme janë vendosur edhe linja të dyta, pra në formë unaze. Duhet kuptuar që kjo është puna jonë dhe bashkëpunimi me institucionet e tjera është mjaft i rëndësishëm. Ndaj dhe për hidrovoret, ashtu sikurse ne mirëmbajmë rrjetin e jashtëm elektrik, e njëjta gjë duhet bërë me rrjetin e brendshëm, që i takon institucionit të Bujqësisë. Në raport me periudhat e shkuara, në situata të njëjta moti, shikojmë që kemi përmirësim të menaxhimit. Përjashto në dy raste, të gjithë hidrovorët ishin në punë”, nënvizon Lika.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.