Qeveria Shqiptare është e ndërgjegjshme që situata tejet e rëndë financiare dhe ekonomike që ka trashëguar, është faktori kryesor i uljes së vlerësimit të borxhit nga B+ në B.
Vlerësimi reflekton situatën ekonomike dhe financiare të nëntë muajve të parë të vitit 2013, për të cilat ka të dhëna zyrtarisht të konfirmuara.
Trashëgimia e papërgjegjshme e një borxhi tepër të lartë e të rrezikshëm, të dokumentuar apo të fshehur, por tashmë të verifikuar e bërë transparent nga Qeveria aktuale, FMN e institucione të tjera financiare ndërkombëtare, e bëjnë Qeverinë e mëparshme përgjegjëse të drejtpërdrejtë, jo vetëm për këtë zhvlerësim, por edhe për gjendjen e rënduar të buxhetit të shtetit, për gjendjen e vështirë ekonomike dhe financiare të vendit dhe të qytetarëve shqiptarë.
Kjo qeveri trashëgoi një defiçit të rëndë buxhetor, një borxh të fshehur prej 600 milionë dollarësh, një situatë te degraduar të mbledhjes së të ardhurave, një situatë të rënduar të kredive të këqija prej 24% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, një renditje gjithnjë dhe më negative në indeksin e korrupsionit dhe një përkeqësim i situates së të bërit biznes, e më tej, një klimë dukshëm të përkeqësuar biznesi.
Sikurse theksohet dhe në raportin e Standard& Poor’s në përkeqësimin e ndjeshëm të financave publike një kontribut të madh ka dhënë politika fiskale e papërgjegjshme që qeveria e larguar ndoqi përpara zgjedhjeve elektorale, gjë që e rriti defiçitin buxhetor në nivelin 6.5% nga 3.5% që ishte në vitin 2012. Gjatë së njëjtës periudhë, qeveria e larguar regjistroi një rritje të shpenzimeve dhe mblodhi më pak taksa. Të dhënat për peiudhën Janar – Tetor dëshmojnë rëniene të ardhurave me 3% dhe rritjen e shpenzimeve me 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Qeveria aktuale në përgjegjshmërinë e saj është e vetëdijshme për situatën dhe po harton së bashku me Fondin Monetar Ndërkombetar, Bankën Botërore e Komisionin Europian një përgjigje të matur e të mirë-menduar ndaj krizës së trashëguar, e cila jo vetëm që do të ristabilizojë ekonominë por, do të krijojë të gjitha kushtet për një rritje të qëndrueshme e cilësore të ekonomisë shqiptare në vijim.
Programi i Qeveriseë është përgjegjshmëri e plotë ndaj premtimeve që ne kemi bërë për rritje të punësimit, ulje taksash për 95% të shqiptarëve, luftë ndaj krimit dhe korrupsionit, monopolevedhe transparencë të plotë ndaj qytetarëve shqiptarë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.