Përveç këtij ankandi, Banka e Shqipërisë njofton se do të shesë po në 22 gusht 3.5 miliardë lekë obligacione fikse 2 vjeçare me kupon indikativ 5.9%…
Ministria e Financave do të nxjerrë për shitje në ankand përmes Bankës së Shqipërisë 15 milionë euro bono thesari në euro, me afat maturimi 1 vjeçar. Nga kjo shumë, pjesa që i takon Bankës së Shqipërisë është zero, duke e lënë ankandin në “dorën” e bankave tregtare, që janë blerësit kryesorë të bonove, apo dhe të individëve, që së fundmi kanë shfaqur interes për të investuar në letrat me vlerë të qeverisë.
Ankandi është planifikuar të zhvillohet në 22 gusht.
Ky është ankandi i dytë për shitje të eurobonove brenda një harku të shkurtër kohor. Ankandi i mëparshëm u zhvillua në fund të korrikut, ku u shitën vetëm 9.3 milionë euro eurobono, nga 11 milionë euro që kishin planifikuar financat, teksa bankat kërkuan interesa të larta, duke e detyruar Bankën e Shqipërisë të pranojë vetëm ofertat që kanë interes të ulët.
Në ankandin e korrikut, yield-i mesatar i ponderuar i kërkuar ka qenë 4.27%, ndërkohë që ai i pranuar ishte 3.9%, nga 5% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm të zhvilluar në 24 dhjetor 2012.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky është ankandi i nëntë që realizohet në euro, që kur filluan të shiten eurobono ne maj 2010.
Përgjithësisht interesi i eurobonove është më i lartë se ai i depozitave në euro, duke përbërë një shans të mirë investimi dhe për individët.
Përveç këtij ankandi, Banka e Shqipërisë njofton se do të shesë po në 22 gusht 3.5 miliardë lekë obligacione fikse 2 vjeçare me kupon indikativ 5.9%.
Individët: Si të investojnë në bono thesari në euro
Individët mund të marrin pjesë në ankandet e bonove te thesarit nëpërmjet subjekteve të liçensuara nga a Ministria e Financave, që janë: Banka Raiffeisen, Banka Intesa SanPaolo, Banka Kombëtare Tregtare (BKT), Banka e Tiranës, Banka Credins, Alpha Bank dhe Banka e Parë e Investimeve (F i B).
Një individ për të marrë pjesë në ankand nëpërmjet subjekteve te lIçensuara nga MF, duhet q ë përpara organizimit të ankandit:
1. Të çelë një llogari pranë subjektit të liçensuar nëpërmjet të cilit kërkon të marrë pjesë në ankand.
2. Të bllokojë fondet që do të investojë në llogarinë e çelur.
3. Të plotësojë kërkesën për pjesëmarrje në ankand.
Sipas Ministrisë së Financave shuma minimale e nevojshme për të marrë pjesë në ankandin e bonove të thesarit në euro është kundervlefta në euro e 300.000 lekëve.
Investimi në bono thesari konsiderohet si forma më e sigurt e investimit pasi garantohet nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë. Ky investim është i lehtë, me kosto të ulët, dhe shumë fitimprurës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.