Ministria e Financave ka mbështetur në Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave kërkesën e MZHETTS, lidhur me zgjerimin e gamës së magazinave doganore të llojit “duty free shops”, duke kërkuar disa ndryshime në Kodin Doganor.
Ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani, që prezantoi kërkesën për ndryshim të Kodit, tha se ky ndryshim vjen në mbështetje të komunitetit të biznesit, por edhe prish një monopol, duke krijuar hapësira të reja për konkurrencë për biznesin.
Aktualisht, Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë ka parashikuar praninë e “dyqaneve të çliruara nga taksat” (duty free shops) vetëm në aeroporte. Me anë të këtij projektligji, Këshilli i Ministrave synon të zgjerojë gamën e magazinave doganore të llojit “dyqane të çliruara nga taksat” (duty free shops) edhe në disa nga pikat kufitare tokësore dhe detare.
Sipas relacionit që shoqëron ndryshimin e kërkuar, “rritet konkurrenca dhe interesi i operatorëve që do t’u jepet kjo e drejtë, që ata të zbatojnë standarde të larta, realizohençmime më të ulëta, shtohet llojshmëria e produkteve, nxitet transparenca dhe krijohet mundësia e tërheqjes në Shqipëri të investitorëve të huaj seriozë, me eksperiencë dhe me reputacion në këtë fushë shërbimesh”.
“Dyqanet e çliruara nga taksat” ofrojnë mundësimine blerjes në këto dyqane në territorin shqiptar, ndërkohë që, aktualisht, mundësohet vetëm në territorin e huaj. Kjo, gjithashtu, do të ndikojë në mbajtjen e valutës së huaj në vend apo qarkullimin e monedhës brenda vendit, duke influencuar edhe në fuqinë e operatorëve ekonomikë që shërbejnë në pikat kufitare, si dhe ndihmon ekonomitë lokale”- shpjegoi ministri Cani para deputetëve të këtij komisioni.
Ndryshimi i ligjit përforcohet nga faktori “turizëm” apo blerje nga turistët. Sikundër është bërë e ditur, po vërtetohen rritje të ndjeshme të turistëve në vend, nga të gjitha pikat kufitare. Prania e dyqaneve “duty free” është një mundësi shtesë për blerje të mallrave që do i gjejnë me leverdi dhe në llojet e cilësitë e kërkuara. Por, potencialisht krijohet mundësi e reklamimit edhe të produkteve shqiptare, kryesisht artizanale, në këto pika. Kështu imazhi i vendit përafrohet me atë të vendeve të zhvilluara, pasi dyqanet “duty free” janë dëshmi e zhvillimit tregtar dhe standardeve që zbatohen në ato vende.
Përmes hapjes së këtyre dyqaneve do të krijohen premisa për rritjen e të ardhurave të aeroporteve dhe porteve dhe, një pjesë e këtyre të ardhurave, do të investohet për përmirësimin e infrastrukturës së tyre. Gjithashtu, pritet rritje e të ardhurave nga tatim-fitimi për shkak të rritjes së volumit të shitjeve, rritje e cila, synohet edhe duke krijuar kushtet e afrimit të investitorëve të huaj seriozë, si kusht paraprak për zhvillimin e këtij tregu.
Ministria e Financave bën me dije se, sipas të dhënave të INSTAT, mesatarisht ndër vite rreth 14% e shqiptarëve kalojnë kufirin me rrugë ajrore, rreth 15% me rrugë detare, dhe rreth 71% me rrugë tokësore (shifrat janë të ngjashme edhe për shtetasit e huaj). Pra, u ofrojmë mundësinë e një shërbimi edhe pjesës dërrmuese të qytetarëve që kalojnë kufirin (që nuk kanë dëshirë/mundësi të përdorin transportin ajror).
Ministria e Financave sqaron se, në ndryshim nga viti 2003, kur janë mbyllur “dyqanet pa taksa”, tani ka një tjetër angazhim tëAdministratës Doganore, që i mbyll rrugën kontrabandës nëpërmjet këtyre njësive, sikundër është evidentuar në të kaluarën.Sipas deklaratës së bërë në Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave të Kuvendit, sot kemi një rritje të numrit të punonjësve që operojnë në degët doganore ashtu edhe të atyre në qendër, kryesisht në strukturat e zbatimit të ligjit.Përveç shtimit të burimeve njerëzore, kemi edhe përmirësim në strukturën organizative si dhe qartësim të detyrave funksionale.
Ministria sqaron se në ndryshim nga viti 2003, tashmëekzistojnë strukturat e Antikontrabandës Tokësore dhe Detare, përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe kontrollin e operacioneve të parregullta në të gjithë territorin doganor të Republikës së Shqipërisë në tokë dhe në det, e cila ka përmirësuar ndjeshëm forcën zbuluese ndaj veprimeve të paligjshme; ekziston Drejtoria e Hetimit, e cila është përgjegjëse për hetimin e veprave dhe kundërvajtjeve penale ne fushën doganore, aktivitet që e kryen në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e tjera të procedimit penal, si Policia, Prokuroria si dhe Krimi Ekonomik, Shërbimi Informativ, etj.Drejtoria e Kontrollit pas zhdoganimit, që është një strukturë relativisht e re, ka, ndër të tjera, si funksion kryesor kontrollin edhe të regjimeve doganore ekonomike ku bëjnë pjesë magazinat doganore, përfshirë magazinat doganore të tipit C “Duty Free Shops”.
Një element tjetër i rëndësishëm është ekzistenca tani e një Drejtorie Monitorimi dhe Analize Risku, e cila monitoron, përmes sistemit të kamerave, zonën doganore, 24 orë pa ndërprerje si dhe ka përmirësuar ndjeshëm modulin e selektivitetit dhe analizës së riskut.
Forcimi i marrëdhënieve me doganat homologe, gjithashtu, ka mundësuar, shkëmbimin e informacionit, çfarë ndihmon ndjeshëm në evidentimin e shkeljeve doganore.
Për sa më sipër, Administrata Doganore merr përsipër të mundësojë mbikëqyrje dhe kontroll të këtyre dyqaneve, ndërsa Ministria e Financave, që miraton ose jo autorizimin për hapjen e një dyqani pa taksa, cakton një sërë kushtesh në zbatim të VKM 205, datë 13.04.1999 “Për dispozitat zbatuese të Kodit Doganor”, ku do të jenë të parashikuara një tërësi kërkesash që duhet të plotësojë një operator ekonomik që të pajiset me autorizim për “duty free shops”, kushtëzime këto që padyshim do të rishikohen dhe përmirësohen nën fokusin e kontrollit dhe mbikëqyrjes.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.