Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes ka zhvilluar një takim me përfaqësues nga 24 shoqata biznesi të Shqipërisë, organizuar nga BIZNES ALBANIA. Ky takim çeli një proces të gjatë diskutimesh e dëgjesash, prej të cilave do të hartohen propozime konkrete me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit në Shqipëri.
Diskutimet u drejtuan nga paneli i folësve, i përbërë nga ministrja Qato, presidenti i BIZNES ALBANIA, zoti Bregasi, si dhe Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë, znj. Muçostepa.
Në fjalën e saj, znj. Qato u shpreh se mision i përbashkët i rritjes dhe fuqizimit të sipërmarrjes në Shqipëri, si dhe ndërtimit të një klime të re të Biznesit, duke krijuar një dimension të ri, ku e gjithë administrata shtetërore vihet në dispozicion të sipërmarrjes si kontribuuesi më i fuqishëm i ekonomisë sonë kombëtare.
Vetë Kryeministri Rama ka vendosur një mision të qartë dhe konkret:
“Atë të luftës pa kompromis ndaj çdo zyrtari që pengon, nuk vepron apo zhvat aktivitetin tuaj, ndaj çdo procedure burokratike shtetërore ku ju përballeni, përmes krijimit të një Partneriteti qeverisës së bashku me ju, sipërmarrësit gjenerator të ekonomisë, për të ndërtuar themelet e një Shqipërie moderne, inovative dhe shoqërore.
Është shumë e rëndësishme kontakti ynë i drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin për çdo problematikë që ju do të hasni në dyert e çdo ministrie apo institucioni ligjzbatues, pasi eksperienca juaj duhet të shërbejë për të korrigjuar ato hallka të ndryshkura të sistemit aktual, për të cilat qeveria në këtë mandat ka marrë përsipër për t’i lehtësuar, për t’i deburokratizuar dhe për t’i përshtatur me teknologjinë e inovacionit në mënyrë që ju të shërbeheni në kohë reale, pa zvarritje, me dinjitetin e një partneri të rëndësishëm bashkëqeverisës”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.