Miratohet harta e re e çmimi të tokës për të gjithë territorin e vendit. Kjo është bërë e ditur dje nga Drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato, e cila, gjatë një konference për shtyp, dha detaje mbi vendimin e ekzekutivit. Qato sqaroi se sipas kësaj harte të re çmimesh tendencat janë në rënie dhe se ato do të shërbejnë si çmime referencë për kompensimin në vlerë financiare për pronarët, për shpronësimet për interesa publike, apo edhe për përcaktimin e masës së shpërblimit për subjektet prona e të cilëve u është zënë nga ndërtimet informale.
Vendimi
“Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave gjatë një periudhe intensive pune ka arritur të përfundojë hartën e vlerës së tokës në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë me qëllim arritjen e rezultateve sa më të arsyeshme dhe reale, duke marrë parasysh gjatë këtij procesi zhvillimin e tokës si dhe luhatjen e tregut. Kjo hartë e re është miratuar sot me vendimin e qeverisë”, – deklaroi Qato. Sipas saj, për nxjerrjen e vlerave të pronës është përdorur metoda e përpunimit të të dhënave bazuar në vendimin e qeverisë për miratimin e metodologjisë për vlerësimin e pronave të paluajtshme në Republikën e Shqipërisë. “Në realizimin e këtij procesi, AKKP-ja bashkërendoi punën me Ministrinë e Drejtësisë si dhe me Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Republikën e Shqipërisë. Harta e re e vlerës së pronës, realizon transparencën e plotë të çmimeve të tregut.
Për nxjerrjen e vlerave të pronës është përdorur metoda e përpunimit të të dhënave bazuar në VKMnë “Për miratimin e Metodologjisë për Vlerësimin e Pronave të Paluajtshme në Republikën e Shqipërisë”. Grupi i punës i ngritur në AKKP për përpunimin e të dhënave, është bazuar në kontratat e shitjeve në ZVRPP të regjistruara për një periudhë 1-vjeçare, për të gjitha llojet e pasurive të paluajtshme, sipas zonave kadastrale të çdo qarku”, – sqaroi drejtoresha e AKKP-së. Qato shtoi se çmimet e hartës së vlerës do jenë çmime referencë për kompensimin në vlerë financiare për pronarët që janë në pritje të kësaj vlere; shpronësime për interesa publike; përcaktimin e masës së shpërblimit për subjektet prona e të cilëve është zënë nga ndërtimet informale. “Gjithashtu këto çmime kanë ndikim në investimet strategjike dhe politikat qeverisëse pasi ato orientojnë sipërmarrjet private për investimet vendase dhe të huaja. AKKP-ja me miratimin në qeveri të hartës së vlerës të pronave shënon dhe fillimin e procedurave për rishikimin e metodologjisë së vlerës së pronës me qëllim përafrimin e saj me vlera të qarkullimit civil të pronave në territor”, – deklaroi ajo. E pyetur nëse çmimet e reja janë rritur apo ulur, Qato pohoi se: “Harta e re e vlerës së pronës e miratuar sot me vendim qeverie ka një trend uljeje të hartës së çmimeve të vlerës së pronës në krahasim me vitin e kaluar. Por këto janë çmime të cilat kanë dalë dhe janë produkt i metodologjisë së miratuar dhe të dalë me vendim qeverie. Jemi bazuar në gjithë transaksionet e kryera dhe regjistruara në zyrat vendore të ZRPP-së gjatë vitit të kaluar. Ato janë përmbledhur sipas një formule të caktuar dhe një metodologjie për të gjitha transaksionet e kryera në Republikën e Shqipërisë sipas llojit të pasurisë. Produkti i nxjerrë sot sipas kësaj harte është produkt i matematik i gjithë transaksioneve të paraqitura në zyrat e hipotekës”. Ajo shtoi më tej se reforma që do të ndërmerret vitin tjetër parashikon dhe rishikimin e metodologjisë për hartimin e vlerës së tokës. “Ju siguroj që reformat që duam të ndërmarrim vitin që vjen në raport me rishikimin e metodologjisë për hartimin e vlerës së hartës së pronave do parashikojë dhe masa konkrete që Ministria e Drejtësisë do ndërmarrë në raport me deklarimin e transaksioneve të shit-blerjeve pranë noterëve dhe regjistrimin e tyre pranë ZRPP-së. Ne si qeveri na intereson ti përafrohemi sa më shumë vlerave reale”, – tha drejtoresha e AKKP-së.
Vendimi
“Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e vlerës së pronës, sipas llojit të pasurisë së paluajtshme, për secilin qark të Republikës së Shqipërisë. Vendimet “Për miratimin e çmimeve të trojeve, që ndodhen në të gjitha bashkitë dhe në disa komuna”, “Për miratimin e vlerës së pronës për secilin qark të Republikës së Shqipërisë”, shfuqizohen”, – thuhet në vendimin e Qeverisë. Vlerat në këtë hartë janë përcaktuar për çdo bashki e komunë të vendit dhe janë shoqëruar me harta që i janë bashkëlidhur vendimit të Këshillit të Ministrave, duke qenë pjesë përbërëse e tij. Këto vlera do të përdoren në të gjitha rastet e shitjeve apo blerjeve, si çmime referencë, në bazë të të cilave do të taksohet shitësi me 10 për qind mbi fitimin e realizuar.
Lame: Mbajtëm premtimin
Vendimet e fundit të qeverisë janë tregues se po mbajmë premtimet e dhëna gjatë miratimit të ligjit të ri të legalizimeve. Kështu pohoi dje drejtori i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Ndërtimeve, të Zonave Informale, Artan Lame gjatë një konferencë për shtyp së bashku me drejtoreshën e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato, pas vendimeve të qeverisë për caktimin e çmimeve të reja të pronës por dhe vendimit që ka të bëjë me përcaktimin e çmimit për parcelat e ndërtimit dhe kategoritë që përfitojnë falje të pagesës, çka lehtëson edhe procesin e legalizimit të pronës.
“Ky vendim formalizon në mënyrë të detajuar gjithçka premtuam në fazën e miratimit të ndryshimeve në ligjin e legalizimeve, cilat janë kategoritë e qytetarëve që përfitojnë ulje, sa është masa e uljes, cilat janë kategoritë që e përfitojnë tërësisht falas, sa është përqindja e uljes së parcelës, si dhe sa do të përdoren bonot e privatizimit, e kështu me radhë”, – deklaroi Lame. Ai shtoi se miratimi i kësaj VKM-je, u bë në qeveri javën që shkoi, por efektet e saj do të ishin të pjesshme pa miratimi dje të VKM-së për hartën e vlerës së tokës, të përgatitur nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Lame u bëri më tej thirrje qytetarëve dhe në mënyrë të veçantë emigrantëve që të aplikojnë për legalizimet.
/Shekulli
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.