Ka hyrë në fuqi pr.ligji “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar”, të ndryshuar, i cili nisi diskutimet që vitin e shkuar.
Si përpjekje për të përafruar ligjin me direktivat e BE-së, ndryshimet e miratuara janë në funksion të rritjes së cilësisë dhe përgjegjshmërisë së audituesve ligjorë dhe shoqërive të auditimit, duke përmirësuar procesin e certifikimit, mbikëqyrjes së cilësisë dhe forcimin e qartësimin e shkeljeve dhe masave disiplinore.
Ndryshimi kryesor i miratuar në ligj ka të bëjë me rishikimin e statusit të Bordit të Mbikëqyrjes Publike, nëpërmjet krijimit të një strukture mbështetëse teknike, synohet të rritet pavarësia dhe të forcohet roli mbikëqyrës i Bordit ndaj profesionit.
Masat ndëshkimore të parashikuara në rast të parregullsive të konstatuara nga Bordi i Mbikëqyrjes, si më poshtë:
– Gjoba nga 50 000 -150 000 lekë, merret në rastet kur audituesi ligjor ka bërë kërkesë për çregjistrim, me arsyen e fillimit të një veprimtarie të re, dhe e ka nisur veprimtarinë e re, që u sjell dëm interesave etike e morale të profesionit, përpara marrjes së vendimit nga Komiteti i Regjistrimit.
– Gjoba, në masën 100 000 – 500 000 lekë, merret në rast se, në përfundim të procesit të kontrollit të cilësisë, rezulton që puna audituese nuk është kryer në përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit dhe me kërkesat e këtij ligji e akteve nënligjore.
– Gjoba, në masën 50 000 – 150 000 lekë, merret në rastin e mosdhënies së informacionit apo dokumentacionit të kërkuar nga autoritetet përgjegjëse, në kuadër të procesit të kontrollit të cilësisë.
– Gjoba, në masën 100 000 – 500 000 lekë, merret në rast të mosndjekjes së rregullave dhe procedurave të auditimit, si rrjedhojë e një opinioni të mangët ose të gabuar për pasqyrat financiare subjekt auditimi.
– Gjoba, në masën 50 000 – 150 000 lekë, merret në rast se nuk respektohen kërkesat e parashikuara nga neni 34, i këtij ligji, për mbrojtjen e konfidencialitetit.
– Gjoba, në masën 50 000 – 100 000 lekë, merret në rastin kur informacionet vjetore statutore, të paraqitura pranë organizatës profesionale të audituesve ligjorë, përmbajnë informacion të pavërtetë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.