Është miratuar sot nga qeveria shqiptare marrëveshja trepalëshe për projektin TAP mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë.
Sipas deklarimeve të kryeministrit Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë, “miratojmë sot marrëveshjen për projektin TAP mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë. Në territorin e këtyre vendeve do të kalojë projekti i ardhshëm më i madh i kohës për Europën, siç është gazsjellësi Transadriatik”.
“Garantoj të gjithë aktorët e mëdhenj të këtij projekti të madh se Shqipëria sikundër deri më sot do përmbushë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kjo marrëveshje për vendin tonë”, theksoi më tej Berisha.
“Përshëndes ekipin negociator të 2 vendeve fqinje, qeveritë e tyre për vendosmërinë që treguan në përparësinë që i dhanë në axhendën e tyre, këtij projekti, që siç theksoj dhe njëherë do jetë më i madhi projekt në rajon dhe Europë, për kohën që vjen. Ky projekt do të sjellë tek familjet shqiptare një ulje të qartë të kostos që ata bëjnë sot për ngrohje dhe gatim. Përbën një mundësi të madhe për Shqipërinë, superfuqi energjike në rajon. Një burim tjetër të fuqishëm, energjie për Shqipërinë, vend për zhvillim të shpejtë dhe vend për rritje të kërkesës për energji. Projekti TAP përbën gjithashtu në vetvete një nivel të ri marrdhëniesh ekonomike me 2 vendet e tjera”.
Pritshmëritë për TAP
Me përfundimin e ndërtimit, TAP do të jetë një Interkonektor madhor, i cili do të hapë Korridorin Jugor të Gazit për furnizimin e Europës me gaz prej burimeve të Kaspikut. Këto sasi të reja gazi, parë nga një perspektivë Europiane do të jenë të konsiderueshme për të reduktuar vartësinë e furnizimit me gaz të Bashkimit Europian prej burimeve tradicionale si Rusia, Algjeria dhe Norvegjia veçanërisht të kombinuara me burimet e furnizimit me gaz që importohen në Itali prej Afrikës së Veriut dhe vendeve të tjera. Në shtesë, TAP do të bëhet një rrugë furnizimi vitale për Europën Jug Lindore sepse ai do të lehtësojë gazifikimin e vendeve te rajonit, do të ulë vartësinë e tyre prej një burimi të vetëm furnizimi dhe do të kontribuojë në zhvillimin e infrastrukturave të tjera të rëndësishme sikurse Jonian Adriatik Pipeline (IAP) dhe Unaza e Gazit të Komunitetit të Energjisë.
Për më tepër TAP do të kontribuojë në krijimin dhe zhvillimin e tregut të gazit në Shqipëri duke i dhënë fund izolimit të tij prej tregjeve Europiane nëpërmjet lidhjes njëherazi me sistemet përkatëse të Italisë dhe Greqisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.