Miratohet qeveria e re dhe programi i saj për 4 vitet e ardhshme

13/09/2017 7:35 AM 0 komente

Pas një seance maratonë, Kuvendi ka miratuar në orët e para të mëngjesit me 78 vota qeverinë e re dhe programin e saj për katër vitet e ardhshme.

Lidhur me ekonominë, programi i qeverisë synon që të kalohet niveli prej 5% i rritjes ekonomike. Fokusi do të jetë tek turizmi, infrastruktura rrugore, arsimore dhe shëndetësore, përmirësimi i bashkëpunimit me biznesin.

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Kuvend paralajmëroi dhe nisjen e një aksioni të ri antiinformalitet. “Lufta kundër informalitetit do të hyjë po ashtu në një fazë të re, qysh në 100 ditët e para të qeverisjes dhe do të nisë me një ndryshim të ndjeshëm në qasje dhe në rezultate që do të konsolidohet pa ndërprerje për katër vite me radhë”.

Partneriteti me biznesin do të hyjë në një fazë të re, ka pohuar kryeministri. Qeveria e re do të ketë një Ministre Shteti për mbrojtjen e sipërmarrjes, de facto figurën e Ombudsmanit, Avokatit të Sipërmarrjes brenda qeverisë. “Edhe bashkëpunimi me sipërmarrjen për të luftuar korrupsionin në administratë, për të pastruar grabitqarët nga zyrat e shtetit, për të lehtësuar ndjeshëm ndërveprimin e biznesit me shtetin do të hyjë në një fazë të re dhe ne nuk do ngurrojmë të përdorim të gjitha metodat e nevojshme jokonvencionale”.

Prioritare mbetet sigurimi i financimeve publike në nivelin e 5% të Prodhimit të Brendshëm për Investimet

 

Infrastruktura  në shërbim të turizmit

Përsa i përket infrastructures, tha Rama, thelbi mbetet garantimi i lëvizshmërisë dhe i ndërlidhjes që do të orientojë investimet, me synim zhvillimin e sektorëve të turizmit, të bujqësisë dhe të trashëgimisë kulturore, përveçse atë që nënvizova, rimëkëmbjen tërësore të gjithë sistemit të rrugëve kombëtare. Do të ndërhyjmë në sistemin e rrugëve kombëtare me një projekt madhor që po përgatitet dhe besoj do ta sjellim edhe në këtë Parlament. Ndryshimi në qasje do të jetë thelbësor dhe sektorët prioritarë do të mbështeten jo vetëm nga investimet publike të financuara prej buxhetit të shtetit, por edhe përmes partneritetit publik-privat, si dhe tërheqjes së investimeve të huaja nëpërmjet një sërë lehtësirash specifike  për sektorët e  rëndësisë së veçantë, që po ashtu do t’ia paraqesim Kuvendit me paketën e re fiskale.

 

Bujqësia

Qëllimi është një riorganizim tërësor dhe me fokus të posaçëm në fermat mbi 5 ha dhe zmadhimin e  tyre të vijueshëm. Brenda dy viteve synohet që që 100% e tokës bujqësore të jetë ujë. Në katër vite, sipërfaqja e tokës  bujqësore e ujitshme u dyfishua dhe sot janë 225 mijë ha që vaditen dhe kullohen normalisht, krahasuar me 110 mijë në vitin 2013. Por objektivi mbetet për të mbuluar 100% të asaj toke që është në dispozicion dhe është një tokë bujqësore e punueshme që kërkon ujitje.

 

Gjiknuri detajon programin e infrastrukturës

Ministri i Industrisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, ka detajuar programin e qeverisë për infrastrukturën:

Qëllimi ynë primar është integrimi i sistemit rrugor shqiptar në rrjetet ballkanike dhe në sistemin paneuropian të transportit. Objektivi afatshkurtër do të jetë sigurimi i zbatimit të marrëveshjes ndërkufitare me Malin e Zi, si pjesë e projektit të autostradës Adriatiko-Joniane, ndërsa ai afatmesëm lidhet me rritjen e efikasitetit të marrëveshjeve të tjera ndërkufitare.

Ndër projektet më prioritare të qeverisë do të jetë korridori Adriatiko – Jonian për të cilin do të fillojë menjëherë puna për studimin e fizibilitetit. Do të investohet në zgjerimin e aksit Fushë Krujë-Shkodër dhe në aksin Thumanë-Kashar/Rrogozhinë; by-pass -et Tepelenë, Lezhë dhe Tiranë. Do të investohet për dublimin e aksit Milot-Rrëshen ashtu sikurse të përfundohet by-pass-i i Fierit dhe ai i Vlorës. Do të vazhdojë faza intensive e ndërtimit për Rrugën e Lumit të Vlorës, do të ndërtohet aksi Kardhiq-Delvinë si dhe do të përfundojë Unaza e plotë e Tiranës.

Brenda 100 ditëshit të parë besoj se do të shpallim fituesit e garës për ndërtimin e Rrugës së Arbërit. Edhe deputetja e Dibrës të mos shqetësohet për aksin që përmendi, pasi do të bëjmë realitet atë që deri tashti vetëm fjalë kanë qenë. Shtrohet pyetja nga do të burojnë paratë?! Një  pjesë  e madhe e këtyre projekteve do të financohet me skemën e njohur të partneritetit publik-privat dhe programit 1 Miliard dollar tashmë  të  shpallur nga qeveria shqiptare. Të gjithë veprat infrastrukturore paguhen nga përdoruesit. Nuk ka asnjë skemë tjetër. Ku keni parë partneritet publik-privat ku përfituesi final të mos paguajë veprën publike. E rëndësishme është që ne të mbajmë stabilitetin financiar brenda hapësirave buxhetore të bëjmë të mundur thithjen e kapitalit privat dhe tashmë një punë e mirë ka filluar. Ka disa projekte të ardhura në ministri, ka projekte të tjera që presim dhe me ngritjen e strukturave të posaçme që dot ë trajtojnë të gjitha projektet koncesionare, pra PPP këto projekte do të vihen në zbatim me kohë. Njëkohësisht edhe shteti do të marrë riskun e tij.

Qeveria do të ndjekë një sërë praktikash efektive si stimuj financiarë për automjete më të pastra dhe më të efektshme; nxitjen e transportit ekologjik ndaj mjedisit; sistem inteligjent për transportin; rreth-rrotullime dhe krijimi i by-pass –ve në rrugë kombëtare si dhe në zona rurale.

Brenda muajve të parë do të vëmë në funksion stacionin e përbashkët hekurudhor të Tuzit që përbën edhe kusht me rëndësi për lëvrimin e granteve e kreditë të buta nga ë BIF në kuadër të Procesit të Berlinit.

Do të përgatisim një masterplan mbi investimet e mundshme për një sistem transporti të shpejtë hekurudhor për udhëtarë, për zonat turistike dhe me përqendrim të lartë urban (modeli i linjës së shpejtësisë së lartë Tiranë-Rinas-Durrës).

Do të punohet për një projekt mbi lidhjen e linjës mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë duke e futur rrjetin hekurudhor në kontekstin e një rrjeti rajonal. Kjo do të do të ndikonte në shndërrimin e Porteve të Durrësit, Shëngjinit dhe Vlorës si porte pikë referuese rajonale. Në kuadër të projektit INTERREG do të punohet për pre-fizibilitetin e lidhjes hekurudhore me Greqinë. Patjetër këto janë të vështira për tu realizuar në 4 vite, por e rëndësishme është të fillohet nga projektet. Projektet hekurudhore janë të vështira për të investuar, por jam i bindur që përsa i përket cargove dhe mallrave interesi do të jetë i lartë dhe ka një axhendë europiane të interkonektivitetit që bënë të mundur që dhe vendi jonë të mos jetë më i shkëputur nga hekurudhat europiane.

Qeveria do të ketë përparësi zhvillimin e trekëndëshit tranzit Hani i Hotit– Durrës – Maqedoni e anasjelltas, gjë e cila do të rrisë ndjeshëm volumet e transportit me vendet fqinj. Do të nxisim shfrytëzimin e transportit hekurudhor edhe për rastet e transportit të lëndëve me rrezikshmëri apo që ndikojnë në ndotjen e mjedisit duke lehtësuar rrugët e vendit nga ky lloj transporti.

Shqipëria do të veprojë si një qendër transiti për vendet fqinje pa dalje në det si Maqedonia dhe Kosova. Zhvillimi i porteve detare do të konsistojë në specializimin dhe zhvillimin e harmonizuar të tyre, duke rehabilituar dhe ristrukturuar infrastrukturën portuale ekzistuese. Do të garantohet ofrimi i shërbimeve komerciale në bashkëpunim me sektorin privat. Niveli i menaxhimit të porteve detare por edhe grupe të tjera të interesit do të orientohen më shumë në përmirësimin dhe në zgjerimin e numrit të shërbimeve që ofrohen në këto porte.

Do të shmangim çdo procedurë burokratike për të krijuar lehtësitë maksimale me synim tërheqjen e turizmit elitar të krocerave të huaja apo jahteve të cilat përbëjnë një potencial ekonomik për gjithë vijën bregdetare.

Forcimi i kapaciteteve administrative dhe performancës së Autoritetit të Aviacionit Civil do garantojë rritjen e mbikëqyrjes në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Gjatë katër viteve të ardhshme, qeveria angazhohet për avancimin e projekteve për ndërtimet infrastrukturore aeroportuale në jug të vendit; aeroportin e Vlorës dhe aeroportin potencial turistik të Sarandës.

Do të nxisim rritjen e konkurrencës dhe tërheqjen e sa më shumë kompanive low -cost të cilat do të mund të reduktojnë koston e udhëtimit të qytetarëve shqiptarë përmes linjave ajrore.

Në fushën e ujësjellës kanalizimeve do të synohet krijimi i një sistemi të integruar qeverisjeje dhe menaxhimi si harmonizim mes qeverisë qendrore dhe atyre lokale. Duhet të pranojmë që ka qenë një dështim i madh sistemi i ujësjellës kanalizimeve në këtë vend. Kjo edhe për shkak të mungesës së investimeve në vite, por mbi të gjitha për shkak të keqmenaxhimit nga autoritetet lokale. Kjo është një sfidë e vërtetë që i përket të gjithë shqiptarëve, nuk është vetëm çështja e qeverisë. Kjo është një pikë tjetër që jam i bindur që duhet të gjejmë konsensus. Nuk mund të kemi më financimeve politike apo financime pa treguar performancë nga ana e ujësjellësave lokalë. Nuk mund të ketë ujësjellësa që vetëm kërkojnë lekë nga Buxheti i Shtetit, ndërkohë nuk kapin asnjë parametër përsa i përket perfomancës. Për çfarë bëhet fjalë?! Pëdorimi i paligjshëm i ujit. Vjedhja masive e ujit ku pushtetarë lokalë apo edhe autoritetet që e menaxhojnë ujin atje mbyllin sytë dhe nuk bëjnë asgjë. Por kjo nuk mund të vazhdojë gjatë. Ndaj jemi të bindur që jo vetëm do të fillojmë një operacion kundër lidhjeve të paligjshme që kërkon dhe bashkëpunimin e pushtetit vendor, por nga ana tjetër sistemi i perfomancës. Nëse do para për investime për përmirësimin e ujësjellësit duhet te përformosh, ndryshe qeveria nuk ka pse të të financojë pa limit. Do të zgjedhim një skemë të re sesi do të bëjmë të mundur financimin e ujësjellësve dhe mirëmenaxhimin e tyre. Rastet kur ato dështojnë le të konsolidohen me ujësjellësa të tjerë më të suksesshëm. Sepse nuk mund të ketë ishuj ujësjellësash të cilët nuk bëjnë asgjë, përveçse krijojnë borxhe, nuk paguajnë energjinë dhe në fund lënë edhe njerëzit pa ujë.

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz