Treni-hostel Hokutosei është i pari hotel në të cilin të duket sikur jeni duke udhëtuar në një tren. Ndodhet në Tokio – kabinat ngjajnë me dhoma anijesh, me krevate marinari dhe banjo të përbashkëta.
Nuk mungojnë megjithatë lehtësitë që ofrohen nëpër hotele si për shembull televizori dhe Wi-fi.
Hokutosei, treni në pension
Hokutosei është treni i famshëm që dikur udhëtonte në Japoni, ndërsa që prej gushtit të 2015-s ka dalë në pension (udhëtimi i parë, 13 mars 1988). Lidhte Tokion me Sapporo-n. Rruga zgjaste 16 orë e 30 minuta. Treni kishte kabina për udhëtarët, të cilët udhëtonin gjatë natës.
Duket një tren i vërtetë
Për të realizuar këtë hotel janë përdorur elemente të mobilimit të vagonëve të trenit të vjetër, që nga perdet, karriget, divanet e deri te shkallët e aluminit. Nuk mungojnë llambat dhe dyert që janë marrë direkt nga magazinat e stacionit origjinal.
Hoteli ka dhoma për një person, por edhe dhoma me më shumë shtretër. Ka një “kat” vetëm për femrat, dy suita private, një kuzhinë të përbashkët, një dhomë ndenjeje. Ndër të tjera ka një dalje që të çon brenda stacionit të Bakurocho, nga ku nisen trenat nga Japonia lindore drejt Yokohama.
Çmimi
Më shumë se sa një hotel është një hostel, që mund të mirëpresë deri në 78 persona. Fjetja në këtë tren-hostel kushton 22 euro nata. Fëmijët nën katër vjeç nuk lejohen të hipin në tren.