Buxheti ka pasur një ecuri pozitive në drejtim të mbledhjes së të ardhurave për 7 muajt e parë të vitit, por në kahun tjetër, shpenzimet kapitale vijojnë të jenë shumë poshtë planit
Tatimet, doganat dhe sigurimet kanë arkëtuar në buxhet 248 miliardë lekë në 7 muajt e parë të vitit, me një rritje prej 15.1 miliardë lekë, ose 6.5% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Financave. Edhe në raport me planin, janë arkëtuar 7.8 miliardë lekë plus, ose 3.2% më shumë.
Efektin kryesor në rritjen e të ardhurave e ka shënuar me rreth 10.8 miliardë lekë më shumë.
Të ardhurat nga TVSH arritën në 78.2 miliardë lekë, me një rritje prej 5.6% me bazë vjetore dhe duke tejkaluar lehtë planin dhe duke shënuar rritjen më të lartë në vlerë absolute nga të gjithë zërat e tjerë në buxhet (+4.2 miliardë lekë). Ky zë ka shënuar një përmirësim muajt e fundit, duke sinjalizuar për një gjallërim të konsumit.
Të ardhurat nga tatim fitimi u rritën me 6.5% për të arritur në 19.3 miliardë lekë. Ky është zëri që ka shënuar ecurinë më të mirë në raport me planin, me +4.1 miliardë lekë.
Akciza u zgjerua me 8.2%, ndërsa të ardhurat personale vijojnë të jenë i vetmi zë me trend negativ, në raport me 7 mujorin e një viti më parë (-2.4%).
Kjo është kompensuar nga përmirësimi i të ardhurave nga taksa nacionale dhe të tjera, që u rritën me 20%, apo 3.8 miliardë lekë më shumë. Financat kanë deklaruar me herët se këtu ka ndikuar rivlerësimi i pasurisë, i cili ka sjellë 3.2 miliardë lekë për 6 mujorin.
Të ardhurat nga pushteti vendor u rritën me 32%, në 12 miliardë lekë, si rrjedhojë e performancës së mirë të taksave vendore, teksa taksa e pasurisë vijon të jetë e nënmbledhur.
Arkëtimet nga sigurimet shoqërore e shëndetësore u rritën përkatësisht me 9.3% dhe 6.5%.
Në rënie janë të ardhurat jo tatimore, me -7.3%, si rrjedhojë e rënies së transferimit të tatim fitimit nga Banka e Shqipërisë dhe uljes së arkëtimeve nga dividendi i kompanive shtetërore.
Nuk realizohen shpenzimet kapitale
Qeveria e ka lëshuar dorën me shpenzimet në shtatë muajt e këtij viti, e nxitur edhe nga performanca më pozitive e të ardhurave.
Sipas statistikave të Ministrisë së Financave, totali i shpenzimeve buxhetore ishte 245 miliardë lekë për periudhën janar-korrik 2017, me një rritje të fortë prej 29 miliardë lekësh, ose 13.5% më shumë.
Kjo rritje vjen teksa vitin e kaluar, financat e kishin rrudhur dorën dhe i kishin ulur shpenzimet me gati 24 miliardë lekë në raport me janar-korrik 2015. Megjithatë, në raport me planin, shpenzimet ishin rreth 4 miliardë lekë më pak.
Zërat kryesorë që kanë ndikuar në këtë shtim të shpenzimeve janë fondet speciale (pagesat nga buxheti për subvencionimin e pensioneve), që janë zgjeruar me 9.7 miliardë lekë dhe shpenzimet për buxhetin vendor, që janë rritur me 51% (+9.7 miliardë lekë).
Ndërkohë, pagesa e papunësisë është ulur me 45% (nga 406 milionë lekë në 220 milionë lekë, ose gjysma e shumës së planifikuar), ndërsa ndihma ekonomike është rritur me 12% (nga 10. 1 miliardë lekë në 11.4 miliardë lekë).
Shpenzimet kapitale ishin 29 miliardë lekë, me rritje prej 35% në raport me 7-mujorin e vitit të kaluar, megjithatë ato ishin 6 miliardë lekë, ose 46 milionë euro më pak sesa plani i parashikuar në fillim të vitit. Për të disatin vit radhazi, nuk arrin të realizohet plani i shpenzimeve kapitale, që nënkupton më pak para të hedhura në ekonomi për rrugë, spitale, shkolla etj.
Rritja e shpejtë e të ardhurave dhe tejkalimi i planit të fillim-vitit me 7.8 miliardë lekë, ka bërë që pavarësisht shtimit të shpenzimeve, buxheti të vijojë të jetë me suficit edhe për 7 -mujorin. Megjithatë, niveli i suficitit është ulur ndjeshëm, nga 17 miliardë lekë një vit më parë, në rreth 2.9 miliardë lekë për janar-korrik 2017.
——————–
Energjia ndryshon buxhetin
Qeveria ka miratuar ndryshimin në buxhetin e shtetit me një akt normativ duke reflektuar atë që tashmë pritej, lidhur mbi të gjitha me situatën energjetike në vend. Në nenin 10 të ligjit për buxhetin zëri i huadhënies për energjinë është vendosur në kufirin e 4.5 miliardë lekëve nga 1.5 miliardë lekë që ishte sipas parashikimit fillestar. Një tjetër zë që ka ndryshuar është ai i fondit rezervë që është rritur me 1.2 miliard lekë duke arritur në 2.7 miliardë në total. Përtej ndryshimeve qeveria ka vendosur të mos prekë deficitin duke e mbajtur atë të pandryshuar në kufijtë e 31 miliardë lekëve kurse të ardhurat janë parashikuar të paktën 2 miliardë më shumë krahasuar me planin e fillim vitit. Të njëjtin trend kanë ndjekur edhe shpenzimet.
Përdorimi i fondeve rezervë
Fondi rezervë që ka pësuar rritje me të paktën 1.2 miliardë lekë është ndarë mes tre zërave. Në ndryshim nga plani fillestar ku mbështetja për institucionet ishte 1 miliardë lekë tashmë ajo është bërë 1.2 miliardë ndërsa ka mbetur I pandryshuar fondi 500 milionë lekë parashikuar për krijimin dhe funksionimin e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, sipas vendimit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Listës i është shtuar edhe zëri për përballimin e emergjencave natyrore deri në 1 miliardë lekë.
Borxhi
Ne specifikimet lidhur me kufirin e borxhit, ndarjes e huamarrjes së brendshme dhe të huaj duket se ka vetëm një ndryshim. Qeveria ka vendosur që të rrisë me 700 milionë lekë huamarrjen neto për financimin e projekteve të huaja ku nga 10.03 miliardë në 10.73 miliardë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.