Të dhënat për turizmin janë aq të vakëta dhe primitive sa dhe vetë turizmi shqiptar. Shifrat më të sakta dhe më të fundit për këtë sektor në Shqipëri i përkasin një kohe pak të largët. Burimi më i besueshëm i këtyre të dhënave, Banka e Shqipërisë, ka matjet vetëm për tre muajt e parë të 2016-s, ndërkohë që kulmi i turizmit në vend është në sezonin verës, ndaj për këtë arsye, analiza mbi to do t’i largohej së vërtetës për turizmin shqiptar në një vit. Megjithatë ia vlen barra qiranë t’i analizojmë këto shifra, për dy arsye.
Së pari, të dhënat tregonin se Shqipëria arriti të kishte një suficit mbi 60 milionë euro në turizëm vetëm për janar-marsin. Ky është një ndër rastet e rralla ndaj ia vlen të shikohet se a ka vijuar ky trend për periudhat e mëvonshme. Meqenëse vendi, këto vitet e fundit, është renditur shpesh në krye të listave nga shumë agjenci të njohura ndërkombëtare, si një destinacion për t’u vizituar, dhe sektori po i afrohet pikut të tij, ndoshta do të jetë e logjikshme që rezultati të jetë më i mirë.
Por vrojtimi i fundit i Qendrës së Kërkimeve Monitor tregon se në javën e tretë të korrikut, hotelet kishin të zëna vetëm 55% të kapacitetit kur në të njëjtën periudhë, ajo ishte 64%. QKM thotë se vetëm 10% e të anketuarve ishin më mirë, ndërsa një vit më parë, optimistët ishin rreth dy herë më shumë. Disa nga arsyet e rënies lidhen me kushte specifike që mund të mos jenë një vit më pas, si p.sh. Kampionati Europian, ku shumë shqiptarë harxhuan para në Francë për të ndjekur kombëtaren, si dhe disa ndërhyrje në infrastrukturë që po zgjatin shumë në disa nga destinacionet kryesore. Kështu ka ndodhur edhe herë të tjera. Turizmi në Shqipëri është diktuar nga ngjarje rrethanore, qoftë pozitive apo negative, dhe ende nuk ka arsye të shëndosha që të mund të krijojnë të ardhura të shëndosha. Ai ende vuan nga probleme të mëdha, që lidhen me cilësinë e infrastrukturës dhe shërbimeve mbështetëse. Dhe ca më keq, nuk ka një profil që t’i japë avantazhin konkurrues.
Megjithatë, numri i turistëve nuk do të thotë gjithçka.
Arsyeja e dytë pse ia vlen të ndalesh te të dhënat e Bankës së Shqipërisë lidhet me përfundimin e saj se, pavarësisht se vendi krijoi suficit, të ardhurat për turistë në ditë kanë rënë. Ky rezultat dëshmon se, pavarësisht investimit financiar apo njerëzor, turizmi është më i varfër. Turistët nuk shpenzojnë se nuk kanë çfarë të konsumojnë më tepër. Por çfarë duhet bërë që turistët të qëndrojnë më gjatë në Shqipëri e të harxhojnë më shumë. Diell, det, mal, ushqim?! Megjithëse agjencitë e huaja i reklamojnë ato me shumicë, këto të mira i kemi pasur edhe më parë, por nuk kanë kthyer mbrapsht përfitime të mëdha, ashtu siç treguan edhe të dhënat e BSH-së. Janë bërë disa strategji për turizmin, herë me fokus te deti dhe rëra, e herë te kultura, e herë te turizmi i biznesit (konferenca, ngjarje të mëdha). Një vend duhet t’i shfrytëzojë të gjitha, por nuk bëhet destinacion i dukshëm në hartën e madhe globale të turizmit, nëse nuk ka kutin autentik konkurrues.
Por atëherë çfarë? Nga duhet t’ia fillojmë?
Një fill të këtij problemi e kemi gjetur te sugjerimet e të huajve. Përpara një jave, një nga portalet e njohura turistike, e rendiste kalanë e Skënderbeut si destinacionin e dytë të kalave në botë që duhet vizituar, pas kështjellës tepër të famshme të kontit Drakula në Rumani. Kalaja e Skënderbeut në Krujë nuk është as më e madhe e as më e bukur se shumë kështjella të tjera në botë. Por ekspertët ndërkombëtarë e përfshinë në top listë jo për arkitekturën, por për historinë, atë çfarë ajo përfaqësonte dhe atë se çfarë Skënderbeu ishte. Pra këshillonte subjektin dhe jo objektin. Për këtë ka nevojë emergjente Shqipëria, rritjen dhe shtimin e shërbimeve dhe produkteve turistike, pse sfida e turizmit global nuk është numri i turistëve, por aftësia për të bindur turistët të harxhojnë më shumë, sepse ke çfarë t’u japësh më shumë. Për ta thjeshtëzuar konkluzionin do të thoshim, se besojmë duhet të shtojmë gamën e shërbimeve dhe produktit. Ia vlen më shumë “të shesim Skënderbeun”. Por, për të shitur atë, duhet që muzetë të jenë hapur, agjencitë turistike të përfshijnë guida në të, të ketë ciceron në disa gjuhë të huaj, etj., etj., pastaj gjithë të tjerat – restorantet baret, qendrat e pushimit, hotelet janë plotësuese. Me pak fjalë, Shqipëria duhet të krijojë fabulën e saj të bukur turistike, ta shërbejë atë dhe të caktojë yllin që do të ndjekë (profilin). Skënderbeu ishte një yll, por shumë shekuj më parë. Tani më, ai duhet shërbyer, sepse turizmi nuk mbahet me patriotizëm, por me mençuri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.