Teksa Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur garën për përzgjedhjen e katër operatorëve që do të mirëmbajnë rrugët në të gjithë vendin përkundrejt vlerës 128 milionë euro për një periudhë pesëvjeçare, në të njëjtën kohë po zhvillon tenderë të veçantë për mirëmbajtjen e disa akseve.
Dje, në Agjencinë e Prokurimit Publik, u shpall fituese kompania “Curri sh.p.k” për projektin “Mirëmbajtje rutinë dhe dimërore me performancë aksi rrugor Qafë Bualli – Krastë, 16.7 km, për afat 24 muaj me vlerë mbi 19 milionë lekë.
Pesë ditë më parë, Autoriteti Rrugor Shqiptar kishte shpallur hapjen e ofertave për shpalljen e katër kontratave të mëdha për mirëmbajtjen e rrugëve në të gjithë vendin për një periudhë pesëvjeçare. Rezultatet ende nuk janë publikuar. Kosto e mirëmbajtjes së rrugëve për pesë vitet e ardhshme llogaritet 128 milionë euro, nga të cilat 65.9 milionë euro do të financohen nga Banka Botërore.
Mirëmbajtja e rrugëve është ndarë në katër kontrata për katër rajone.
Kontrata A: Në Veri të Shqipërisë, ku përfshihen rrugët në Shkodër dhe Kukës.
Kontrata B: Përfshin mirëmbajtjen e rrugëve në rajonet e Dibrës dhe Tiranës.
Kontrata C: Përfshin mirëmbajtjen e rrugëve në rajonet e Fierit, Elbasanit dhe Korçës.
Kontrata D: Përfshin mirëmbajtjen në rrugët e Jugut, konkretisht në rajonin Vlorës dhe Gjirokastrës.
Qeveria e Shqipërisë ka marrë financime nga Banka Botërore për përballimin e kostove për mirëmbajtjen e rrugëve, duke shtuar edhe nga fondet e veta. Kontratat do të financohen bashkërisht nga Banka Botërore dhe Qeveria.
Burime të ‘Monitor’ nga sektori rrugor pohojnë se rasti i mirëmbajtjes me performancë për aksin rrugor Qafë Bualli – Krastë, nuk është mbivendosja e vetme. ARRSH ka shumë kontrata dyvjeçare për mirëmbajtjen e rrugëve në të gjithë vendin, teksa ka shpallur tenderin e ri të mirëmbajtjes për të gjitha rrugët në pesë vitet ardhshme.
Burimet e ‘Monitor’, pohojnë se si pasojë e këtyre shpërdorimeve, kostoja e mirëmbajtjes së rrugëve në Shqipëri është nga më të lartat në Europë, gati e njëjtë me Suedinë (1000 euro për kilometër në muaj), ndërsa situata në terren e rrugëve dhe akseve nacionale nuk i reflekton këto investime.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.