Pasi ka fituar tenderin për mirëmbajtjen e rrugëve në Rajonin e Veriut, konsorciumi Biolap-Geci ka fituar edhe kontratën B që përfshin mirëmbajtjen me performancë të rrugëve në rajonin e Shqipërisë së Mesme që përfshin Qarkun e Tiranës dhe atë të Dibrës, kundrejt vlerës 19.2 milionë euro për një periudhë 5-vjeçare.
Ndërsa kompania Salillari, e cila është në konsorcium me një kompani greke, Elika ATEE, ka fituar garën për mirëmbajtjen e rrugëve në qarqet e Vlorës dhe Gjirokastrës për pesë vitet në vijim kundrejt shumës 16.5 milionë euro.
Kështu kompania e ndërtimit të rrugëve, Geci, ka siguruar një kontratë me vlerë rreth 41 milionë euro për mirëmbajtjen e rrugëve në gjysmën e territorit të vendit.
Banka Botërore si asistuesja kryesore për projektin e mirëmbajtjes së rrugëve qysh vitin e kaluar, ka nisur një plan për realizimin e kontratave afatgjata të mirëmbajtjes. Për llogari të këtij projekti, vendi është ndarë në katër rajone, teksa fituesit janë shpallur për tre rajone dhe është në proces edhe kontrata e mirëmbajtjes së rrugëve për Qarkun e Fierit, Elbasanit dhe Korçës.
Kosto e mirëmbajtjes së rrugëve për pesë vitet e ardhshme llogaritet 128 milionë euro, nga të cilat 65.9 milionë euro do të financohen nga Banka Botërore.
Qeveria e Shqipërisë ka marrë financime nga Banka Botërore për përballimin e kostove për mirëmbajtjen e rrugëve, duke shtuar edhe nga fondet e veta. Kontratat do të financohen bashkërisht nga Banka Botërore dhe Qeveria.
Kompanitë shqiptare të rrugëve, vitin e fundit kanë parë rënie të aktivitetit për shkak të tkurrjes së fondeve nga investimet publike krahasuar me para vitit 2013.
Në këtë situatë, shumë prej tyre i janë drejtuar ndërtimit dhe zhvillimit të HEC-eve të vogla.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.