Rritja e çmimit të mishit në tregjet ndërkombëtare ka bërë që përpunuesit e mishit të shtrenjtojnë çmimet e sallamrave dhe produkteve të tjera derivateÇmimet e mishit në tregjet ndërkombëtare, kohët e fundit janë rritur në masën 10-20%, duke detyruar dhe prodhuesit shqiptarë të produkteve të përpunuara të mishit (të cilët punojnë me mish importi) të shtrenjtojnë prodhimet e tyre. Arsyet e kësaj rritjeje të çmimit të mishit të llojeve të ndryshme në tregjet ndërkombëtare sipas ACIT (Qendrës Shqiptare për Tregti Ndërkombëtare) janë: lëvizjet e kursit të këmbimit, rritja e kërkesës për mish dhe produkteve të tij si dhe kufizimet tregtare, që kanë vendet e ndryshme të botës në tregjet kryesore të mishit në botë. Tregtarët shqiptarë, që më parë e blinin mishin në Brazil dhe Uruguaj me 250 lekë/kg, tashmë e blejnë me 300 lekë/kg. Edhe mishi vendas nga 600 lekë/kg është shtrenjtuar në 650-700 lekë/kg.Rritja e kohëve të fundit e çmimit të mishit të ngrirë të importuar i përdorur për përpunim, sipas z. Jeton Starova, Këshilltar për Zhvillimin e Agrobiznesit në projektin EDEM “ka krijuar shqetësime për industrinë e përpunimit të mishit në Shqipëri dhe kjo është dhe arsyeja pse është rritur çmimi i mishit dhe produkteve të tij në vend”.Industria e përpunimit në vend është pothuajse tërësisht e varur nga mishi i importit, i cili përdoret si lëndë e parë, duke zënë deri në 70% të kostos së përgjithshme të prodhimit. Importuesit e mishit e blejnë mishin në tregje të hapura ndërkombëtare, të cilat po globalizohen përherë e më tepër. Sipas të dhënave nga përpunuesit e mishit në vend dhe projektit EDEM, kjo industri importon në vend mbi 98% të lëndës së parë, që i duhet për përpunim. Shkak për këtë, sipas përpunuesve të mishit “është mungesa e ndërmarrjeve të organizuara të rritjes së derrit apo gjedhit që mund ti sigurojnë mish të freskët kësaj industrie”. Ushqimet e blegtorisë vijnë nga jashtë vendit, duke bërë që kostoja për rritjen e derrit apo të gjedhit të jetë e lartë. Sipas të dhënave të ACIT rreth 42 % e mishit në vend importohet nga Brazili (për shkak të çmimeve të lira), 20 % nga Italia, 15% nga Greqia dhe pjesa tjetër nga vende të ndryshme të botës si SHBA, Spanja, Kandaja, Uruguaji, etj. Llojet e mishit që importohen janë të ndryshme që nga mishi i gjedhëve, shpendëve, derrave, kuajve mushkave dhe gomerëve. Lënda e parë, pse vjen nga importiNë Shqipëri nuk ka qendra tregtare blegtorale, por vetëm thertore ambulante, që jo rrallë herë kanë vënë në rrezik shëndetin e konsumatorëve shqiptarë. Aktualisht tregtimi i mishit dhe nënprodukteve të tij bëhet në thertore, ku kushtet higjieno-sanitare të tyre janë katastrofike. Pikat e shitjes së mishit me pakicë, të cilat janë të shumta në vend furnizohen pikërisht nga këto thertore. Ndërsa sipas të dhënave nga projekti EDEM, në Shqipëri veprojnë mbi 50 ndërmarrje private, të cilat me ritmet e investimeve të bëra vitet e fundit në teknologjinë e përpunimit, arrijnë të furnizojnë mbi 90 % të tregut me nënprodukte mishi. Sipas një studimi të përpunuesve të mishit, investimet përgjithësisht në këtë sektor janë të reja dhe duke qenë biznese në rritje, financimet vazhdojnë në drejtim të ndërtesave dhe pajisjeve sipas parametrave bashkëkohorë. Por aktualisht prodhimi i mishit në vend nuk plotëson kërkesat e industrisë në sasi dhe kosto, ndaj ky sektor do të vazhdojë të mbahet me lëndë të parë nga importi. Përpunuesit e mishit në vendin tonë klasifikohen në tre kategori: 1. prodhues të mëdhenj me mbi 3 ton në ditë prodhim dhe me mbi 50 punëtorë. Këta prodhues sigurojnë vetë një pjesë të lëndëve të para, kanë rrjetin e tyre të shitjes me shumicë dhe pakicë dhe dyqane e markata;2. prodhuesit e mesëm, të cilët lëndën e parë e sigurojnë nga importuesit dhe kanë rrjet shpërndarës me dyqanet. Ata prodhojnë 0.5 deri 3 tonë në ditë prodhime mishi;3. prodhuesit e vegjël, që prodhojnë më pak se 0,5 ton/ditë. Aktualisht kjo industri e ka të pamundur të sigurojë lëndët e para nga prodhimi i vendit, ndaj 95 % e mishit të gjedhit sigurohet nga importi, ndërkohë që mishi i derrit importohet 100 %. Importuesit e mishit janë rreth 15 shoqëri të konsoliduara, të pajisura me frigoriferë të fuqishëm.Industria e mishit një mal me problemeEdhe pse industria e përpunimit në vend është mjaft fitimprurëse dhe e zhvilluar, përsëri përpunuesit shqiptarë hasen me mjaft vështirësi si: sigurimi i lëndës së parë në vend, mungesa e energjisë elektrike etj. Lënda e parë për prodhimin e mishit (rritjen e bagëtive) vjen nga importi. “Këtu, duhet të ndërhyhet nga shteti, që ky sektor ekonomik të bëhet sa më efiçent, pasi kjo industri ka mjaft vështirësi sa në shumë raste prodhuesit nuk mund të mbijetojnë”, thotë Anton Kaçi, president i Fabrikës së Sallimit Rozafa- Kaçi Shkodër. Edhe për vitin që vjen, në kuadër të ndryshime në Paketën Fiskale 2005 nuk është parashikuar ulja e TVSH-së për produktet blegtorale dhe buqësore, që ishte një nga kërkesat kryesore të agrobiznesit. “Ne punojmë me një nivel TVSH-je jashtëzakonisht të lartë, prej 20 %, dhe shumë prej tregtarëve detyrohen të bëjnë evazion fiskal duke iu shmangur taksave dhe tatimeve”, thotë Roland Arani, administrator i Fabrikës së përpunimit të mishit “Tirana Arani Ekspres”. Një vështirësi tjetër është dhe sigurimi i lëndës së parë për ushqimin e bagëtive në vend. “Lënda e parë nuk mund të sigurohet në vend, pasi dhe për fshatarin ka kosto shumë të lartë, që nga blerja e farës e deri tek punimi i tokës”. Mishi i vendit, sipas të dhënave nga përpunuesit e mishit është me një çmim dy herë më të shtrenjtë se mishi i importit për dy arsye: në Shqipëri nuk ka ferma që të mund të sigurojnë lëndë të parë në mënyrë të vazhdueshme si dhe cilësia e mishit të vendit është shumë më e lartë se mishi i importit. Një problem tjetër për këtë industri mbetet dhe mungesa e kreditimit nga ana e bankave. “Bankat na e vështirësojnë punën akoma më shumë, pasi japin kredi me kushte marramendëse”, thotë një përpunues mishi. Për të eleminuar këto probleme, përpunuesit e mishit në vend kërkojnë nga shteti “regjime fiskale të njëllojta si ato evropiane dhe përparësi dhe ndihmë konkrete për këtë sektor”.MTL-të favorizojnë eksportin e mishit në KosovëPër momentin, të vetmet eksporte të mishit janë në Kosovë, Maqedoni e Itali. Një sasi shumë e vogël e mishit të tymosur është eksportuar në Kosovë dhe për 18 muaj (2003-korrik 2004) nuk ka shkuar më shumë se 19.5 ton. Në fakt, mundësitë e eksportimit të mishit dhe nënprodukteve të tij për në Kosovë, në kuadrin e MTL-së Shqipëri- Kosovë, sipas përfaqësuesve të EDEM janë të pakufizuara. Produktet e mishit, që i drejtohen tregut kosovar paguajnë një taksë fikse prej 10%. Taksa mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) prej 15 % do të paguhet për të gjithë importet, që hyjnë në Kosovë. Megjithëse produkti i mishit të tymosur po eksportohet aktualisht nga Shqipëria drejt Kosovës, totali i eksporteve të mishit të përpunuar nga Shqipëria mbetet i ulët. Megjithë mundësitë, që ekzistojnë për përpunuesit e mishit në Shqipëri për të eksportuar në Kosovë, vështirësitë, sipas një studimi të EDEM, do të jenë sidomos në krijmin e besimit në prodhimin e produkteve të mishit pa përmbajtje të mishit të derrit. Ky është edhe elementi ndaj të cilit janë më të ndjeshëm jo vetëm konsumatorët kosovarë, por edhe vetë shpërndarësit dhe pronarët e supermarketeve në Kosovë.Tregjet ndërkombëtare: Rritja e çmimeve pritet të vazhdojëSëmundjet e kafshëve, rritja e çmimeve të ushqimit blegtoral, dhe një pasiguri e konsiderueshme për kërkesën konsumatore për produkte mishi kanë ngadalësuar përhapjen e produkteve të mishit në rang global për vitin 2004. Pritet që prodhimi i mishit në shkallë ndërkombëtare këtë vit të rritet 1%, e cila është rritja më e ngadaltë e regjistruar vitet e fundit. Sipas Jeton Starovës, Këshilltar për Zhvillimin e Agrobiznesit në projektin EDEM, “ndikimi i gripit të pulave, që çoi në rritjen e vdekshmërisë së pulave në gjithë Azinë dhe pjesë të Amerikës Veriore, lopa e çmendur në Amerikën e Veriut kanë çorientuar ngarkesat globale të mishit për import”. Në Azi, prodhimi i mishit pritet të rritet më pak se 2%, gjysma e normës mesatare të rritjes të pesë viteve të fundit. Z. Starova thotë se “pas një vit ndalimi të importit të mishit të viçit nga SHBA, Korea dhe Japonia mund të rifillojnë importet nga ShBA në nëntor të 2004-ës, çka u dha udhë spekullimeve në tregjet e mishit, të pulës dhe derrit, si dhe zëvendësuesve të mishit të viçit, të cilit do ti kthehen shumë konsumatorë kur Korea dhe Japonia ti hapin dyert mishit të viçit amerikan. Çmimet e mishit të pulës dhe të viçit janë në rritje dhe priten të rriten dhe më shumë, si pasojë e rritjes së kërkesës gjatë muajit të Ramazanit dhe festave të fundvitit. Një nga vendet kryesore të prodhimit të mishit të viçit në botë, Australia, po përballet me një thatësirë, që e ka pakësuar prodhimin me 6% gjatë vitit 2003 dhe 2004. Arsye të tjera si kufizimi i importeve të mishit të derrit dhe viçit nga Rusia, që pritet të ndodhë në prill të vitit të ardhshëm dhe blerja në sasi të mëdha nga tregtarët e mëdhenj të mishit, që ndjek rënien e dollarit amerikan, gjithashtu kontribuan në mënyrë të dukshme në rritjen e kërkesës dhe çmimit në këtë periudhë të vitit. Duket sikur çmimet e mishit do të vazhdojnë të rriten në rang global edhe pas sezonit të festave, sadoqë parashikohet një rikuperim i tregut për shkak të rritjes së prodhimit të mishit” përfundon Z. Starova.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.