Flasin: Milva Ekonomi; Auron Pasha; Neritan Sejamini; Thanas Goga. Problemet me kampionimin, marzhet e gabimit, metodologjia, exit-poll-et etj…
Sondazhet gjithnjë e më shumë po kthehen në “shtyllën” kryesore të fushatave elektorale, kjo falë gazetave dhe mediave të tjera që i mbështesin në publikim. “Raca” e tyre po evoluon.
Pas çdo realizimi, anketuesit kërkojnë përgjigjet për çka nuk shkoi si duhet, duke u përpjekur që të përmirësojnë metodologjinë, me qëllim që besueshmëria e tyre të mos vihet në rrezik. Kështu ndodh të paktën në ato vende që kanë një përvojë të hershme në realizimin e tyre. Në Shqipëri, sondazhet dhe exit-poll-et janë si një “terren i minuar, kur të gjithë shkelin dhe askush nuk lëndohet”.”
Nga Elona Bedalli
“Moda” e sondazheve në Shqipëri shpërtheu në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut 2005, deri atëherë përpjekjet për t’i realizuar ishin sporadike. Ishte koha kur ato u kthyen në një retorikë të rëndësishme të forcave kryesore politike në vend. Disa politikanë shprehën mosbesim, ndërsa të tjerë i morën në konsideratë. Në atë kohë organizata “Mjaft!” në bashkëpunim me “Gallup Organization” dhe NDI (Instituti Demokratik Amerikan) organizuan sondazhe për atë fushatë, më pas atyre iu bashkua edhe kompania “Gani Bobi” që organizoi exit-poll-in e 3 korrikut 2005. Shifrat e sondazheve nuk u përputhën plotësisht, por diferenca me rezultatin zyrtar, duke marrë në konsideratë dhe marzhin e gabimit, nuk ishte e lartë. Vështirësitë në marrjen e rezultatit në atë kohë lidheshin edhe me faktin se atëherë votohej me sistem mazhoritar të korrektuar. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, përllogaritja ishte më e lehtë pasi u kalua (ashtu sikundër është edhe sot) në sistemin proporcional rajonal. Në këtë kohë, sondazhet nisën të pranoheshin më lehtë, pasi publiku u familjarizua disi. Një nga parashikimet më të veçanta të fushatës së asaj kohe ishte futja në “lojë” e kompanive të basteve. Partitë u kuotuan me koeficient njësoj si të ishin skuadra futbolli. Gjatë dy muajve të parë të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 u kryen sondazhe nga tri kompani: “Zogby International”, “Gani Bobi” dhe “IPR Marketing”.
Ekspertët thonë se në Shqipëri, organizimi i sondazheve dhe exit-polleve është ende në fazën fillestare dhe përpjekjet për të qenë sa më të saktë dhe të paanshëm kanë dështuar. Sipas tyre, një pikë që ul besueshmërinë e kompanive që kryejnë sondazhet është se me afrimin e datës së zgjedhjeve, rezultatet duhet të jenë sa më afër atij zyrtar dhe jo sa më larg. Njohësit e kësaj fushe thonë se duhet të rritet sasia dhe cilësia e kampionimit. Në zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA u vu re se kompanitë që kishin përdorur metodat e reja të anketimit nëpërmjet internetit ishin më të sakta në parashikim.
Ekspertët, “1001 problemet” e sondazheve
Në Shqipëri, të realizosh sondazhe duket se është më shumë se një “mision i pamundur”.
Ekspertët ndajmë mendimin se që në fillim ato janë të destinuara të dështojnë në prodhimin e rezultateve të sakta dhe të besueshme. Problemet kryesore lidhen me mungesën e informacioneve mbi situatën ekonomiko-sociale, me përzgjedhjen e kampionit më përfaqësues, me metodologjinë, etj. E ndërsa këto janë kryesisht çështje teknike, në pah del edhe një vështirësi jo e vogël, që ka të bëjë me drojën që ka shoqëria shqiptare për t’iu përgjigjur drejt pyetjeve. Në këto kushte është e vështirë të pretendosh për matje të saktë të opinionit publik. Ekspertët japin për “Monitor” argumentet e tyre.
Pyetjet
1. Cilat janë problemet kryesore të sondazheve në Shqipëri, duke filluar nga hartimi i kampionimit dhe fazat e tjera të procesit.
2. Cili është marzhi i pranueshëm i gabimit i cili tregon një tendencë të saktë?
3. A është i përshtatshëm kampioni “1,000” dhe sa përfaqësues është duke pasur parasysh se votimet bëhen në bazë qarku?
4. Kush do të ishte, sipas jush, kampionimi më i përshtatshëm?
5. Si e shpjegoni ju që në Shqipëri, exit-pollet nuk arrijnë dot të prodhojnë një rezultat të saktë, sikundër ndodh në vende të tjera të botës?
Sondazhet, jo e vetmja mënyrë për të matur opinionin
Flet Milva Ekonomi, drejtore ekzekutive e institutit “Agenda”
1. Sondazhet në Shqipëri janë iniciativa të reja, që kanë filluar kryesisht gjatë këtyre 10 viteve të fundit dhe që në shumicën e herëve, ato kanë qenë matëse të opinionit parazgjedhor ose të votuesve direkt. Në shumë pak raste, ato janë përdorur për të orientuar politika ose lëvizje të caktuara sociale. Pra, në përgjithësi, kultura jonë e sondazheve është e re dhe e brishtë. Në momentin kur nuk ka shumë kërkesa për to, kuptimi mbi procesin dhe rezultatin e tyre mbetet ende disi i panjohur.
Sondazhet bëhen duke filluar nga hartimi i një kampioni, i cili mund të ketë dy mënyra hartimi; me kuota ose në hapësirë. Sondazhi me kuota merr në konsideratë karakteristika, si: popullsia gjithsej, ndarja urbane rurale, ndarjet në gjini, ndarjet në grupmosha, ndarjet në profesione etj. Ndërsa sondazhi në hapësirë cakton një objekt për të vrojtuar dhe brenda objektit një subjekt i cili në përgjithësi përmbush kriterin e datëlindjes më të afërt me ditën e lindjes (KISH).
Por, padyshim që madhësia kritike në sondazh ka nevojë për një kornizë të përditësuar, për të siguruar mbulimin e plotë të popullsisë. Gjithashtu kampionimi i sondazhit duhet të udhëhiqet nga një kërkesë qartësisht e formuluar e vetë sondazhit. Që vlerësimet të jenë të besueshme është e nevojshme të realizohet një kampion i ndërtuar me kujdes, me kusht që një pjesë e madhe e subjekteve (njerëzve që intervistohen) të japin informacionin e kërkuar. Por, edhe në rastet kur përgjigjet nuk vijnë të plota, statisticienët duhet të bëjnë vlerësime të kujdesshme dhe eksplicite të diferencimit të përgjigjes nga jopërgjigja në përfaqësimin e kampionit dhe në nxjerrjen e rezultateve.
Mënyra e grumbullimit të të dhënave varet edhe nga sasia e fondeve në dispozicion dhe nga mënyra se si do të gjykohet më tej për gabimin e mostrës.
2/3. Së pari, madhësia e kampionit varet nga saktësia që kërkohet (pranohet) dhe nga fondet që janë në dispozicion.
Rasti A: Nëse duhen rezultatet për çdo qark, atëherë me një nivel sigurie 95% dhe me një gabim +/-5% për çdo qark duhen rreth 400 individë. Në shkallë vendi, kjo krijon një kampion prej 4,800 individësh, i cili me një nivel sigurie 95% jep një gabim prej rreth 1.4% që konsiderohet shumë i sigurt në shkallë vendi.
Rasti B: Nëse duhen rezultatet për çdo qark, atëherë me një nivel sigurie 95% dhe me një gabim +/-10% për çdo qark, duhen rreth 100 individë. Në shkallë vendi kjo krijon një kampion prej 1.200 individësh, i cili me një nivel sigurie 95% jep një gabim prej rreth 2.8%, që konsiderohet normal në shkallë vendi.
Rasti C: Nëse duhen rezultatet për çdo qark, atëherë me një nivel sigurie 95% dhe me një gabim +/-7% për çdo qark, duhen rreth 200 individë. Në shkallë vendi, kjo krijon një kampion prej 2,400 individësh, i cili me një nivel sigurie 95% jep një gabim prej rreth 2% që konsiderohet normal në shkallë vendi.
4. Për mendimin tim, një kampion me rreth 1,200 individë për të dhëna në nivel kombëtar do të ishte i mjaftueshëm.
5. Edhe në vendet e tjera të botës ndodh e njëjta gjë si në Shqipëri, por rezultatet ndryshojnë. Ka shumë artikuj që tregojnë se pse “Gallup” nuk ia doli të maste plotësisht dhe mirë këtë exit-poll ose atë poll. Por, natyrisht që mund të ketë disa arsye pse ndodh kjo situatë. Unë mendoj se ka një arsye primare që opinionet mund të kenë këtë zhvillim ciklik. Ato varen nga ngjarjet më të fundit në vend, nga fjalimet në publik të politikëbërësve, nga energjia që krijohet në opinion. Pas këtyre mund të renditen të tjera arsye, si: shumë sondazhe mund të bëjnë pyetje që të drejtojnë opinionin dhe nuk krijojnë hapësira që lejojnë subjektin të japë opinionin; mund të kërkojnë përgjigje me “po ose jo” për një situatë që subjekti nuk ka një qëndrim kaq të prerë; mund të qëllojë që edhe subjektet të mos jenë plotësisht të ndershëm kur përgjigjen ose të mos kenë informacionin e plotë që duhet për të dhënë një përgjigje. Por, nganjëherë ndodh që pyetjet më të vështira të mos bëhen pjesë e sondazhit. Hartuesit e sondazhit e kanë të vështirë të formulojnë dhe vendosin që edhe pse kjo është pyetja për të cilin bëhet realisht sondazhi, të mos e përfshijnë atë në intervistë.
Mendoj se është më e rëndësishme që politikëbërësit të mos mbështeten vetëm te sondazhet, por duhet të përdorin edhe shumë burime të tjera informacioni për të kuptuar opinionin në vend. Vendimet e mira duhet të merren me mendje të kthjellët dhe zemër të ndershme.
Një klimë e tensionuar politike nuk është e mirë për sondazhet
Flet Auron Pasha, drejtor ekzekutiv i “IDRA Research & Consulting”
1. Së pari duhet të bëjmë një ndarje mes sondazheve politike dhe të tjerave në përgjithësi. Ka një specifikë të rëndësishme sondazhi politik, që ka të bëjë me kulturën e përgjithshme politike në një vend. Gjë të cilën do të mundohem ta sqaroj, por le të kthehemi te pyetja juaj e parë.
Kampionimi është absolutisht një nga elementet më kyç të një sondazhi dhe ku zakonisht ndodhin edhe problemet më të mëdha. Ka një terminologji specifike për një kampionim të drejtë dhe një shpjegim specifik për këtë. Kampioni duhet të jetë rastësor dhe përfaqësues. Rastësor, në kuptimin që çdo anëtar i popullatës nga e cila nxirret kampioni/mostra ka të njëjtin shans/probabilitet për t’u përzgjedhur në anketë ose të paktën probabilitet të njohur (pra e dimë se sa shanse ka për t’u përzgjedhur) në mënyrë që ta peshojmë kampionin më vonë. Dhe përfaqësues, në kuptimin që profili i kampionit duhet t’i përqaset profilit të përgjithshëm demografik-social-ekonomik të popullatës. Duket e thjeshtë, por nuk është edhe aq për t’u zbatuar. Le të marrim një rast specifik. Bëhet kampionim nga adresari telefonik për të bërë një anketë përfaqësuese të popullsisë për preferencën votuese. Në radhë të parë, a ka mundësi/probabilitet të njëjtë për çdo shtetas votues që të mund të përzgjidhet në këtë anketë? Nëse niveli i penetrimit të telefonisë fikse është 40-45% në të gjithë vendin, atëherë ne kemi më shumë se gjysmën e familjeve shqiptare (dhe anëtarëve të tyre) që nuk e kanë këtë shans. Aq më problem bëhet fakti kur kupton se kjo gjysmë, nuk ka profil të njëjtë, pasi shumica e tyre gjenden në zonat rurale. E thjeshtë fare, kampioni është i deformuar. Shpesh përdoren kampionime mikse, siç raportohet, disa përzgjidhen nga telefonia fikse, disa nga ajo celulare. Ka shumë pikëpyetje në të tilla raste, pasi njëra ka si lidhje familjen (telefoni fiks) kurse tjetra ka si lidhje individin (celulari) dhe algoritmet për të gjeneruar numra rastësorë celularësh që nuk janë të njohur. Një hyrje pak e gjatë për të shtjelluar idenë se ky element është shumë i rëndësishëm për një sondazh dhe informacioni që jepet për kampionimin në sondazhe të tilla është shumë i vakët për të gjykuar.
Megjithatë unë mendoj se në radhë të parë, problemi kryesor në Shqipëri për sa u përket sondazheve politike (e theksoj që kjo vlen për sondazhe politike) ka të bëjë me ndjesinë e lirisë për t’u shprehur për çështje politike nga qytetarët. Pra, sa i lirë dhe i sinqertë është qytetari në këto sondazhe? Më lejoni t’ju them se kjo nuk është një pyetje “filozofike” që po bëj me këtë rast, por është një çështje të cilën ne e kemi hulumtuar në thellësi. Në sondazhet në Shqipëri janë mbi 30-35% e të anketuarve të cilët ose “refuzojnë” të përgjigjen për pyetjen e preferencës politike, ose deklarojnë “Nuk e di”. Natyrisht që ka një diferencë midis atij që “Refuzon” të përgjigjet dhe atij që thotë “Nuk e di”. Por, në teknika indirekte kemi konstatuar se shumë nga ata që thonë “Nuk e di”, në fakt janë shumë qartë të pozicionuar politikisht, thjesht nuk duan të prononcohen. Kjo e bën shumë të vështirë pastaj projektimin e rezultateve. Le të marrim rastin e atyre që “Refuzojnë”. Nëse ata që “Refuzojnë” do të kishin një shpërndarje preference pak a shumë të njëjtë si ata që e deklarojnë votën e tyre në anketë, atëherë nuk do të kishim probleme. A është kjo kështu? Jo. Këtu refuzon edhe ai që ka frikë se mos humbet vendin e punës, por edhe ai që po mendon ta shesë votën. Të marrim rastin e atij që “Refuzon” se mund të humbasë vendin e punës. Këtu refuzon edhe ai që do të votojë “kundër porosisë së drejtorit” por edhe ai që do të “votojë sipas porosisë së drejtorit por kundër preferencës së vet personale”. Të gjitha këto ndërlikime që e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë projektimin real të votës, vijnë vetëm nga fakti se njerëzit nuk ndihen të lirë të shprehen për këtë çështje. Le ta themi troç, kjo është situata. Situatën e rëndojnë jashtëzakonisht partitë politike, të cilat sulmojnë agresivisht çdo sondazh që nuk i nxjerr ata mirë. Një klimë e tensionuar politike, e mbarsur me përplasje të mëdha, me presione mbi votuesin, nuk është klimë e mirë për sondazhe. E për fat të keq, ne akoma nuk kemi mbërritur në situata ku përplasja politike – elektorale të jetë “normale”. Dhe ku sondazhet të gjykohen nga rezultatet në fund dhe jo të sulmohen apriori.
2. Zakonisht sondazhet operojnë me marzhe gabimi nga ±2.5% – ±3.5% me një interval besimi 95%. Çfarë do të thotë kjo në terma më të thjeshtë? Kjo do të thotë se, nëse ne e kryejmë një anketë 100 herë me nga 1000 persona çdo herë, atëherë në 95 herë nga këto, rezultatet që do përftojmë nuk do të devijojnë me më shumë se ± 3.2%. Në 5 herë mund të devijojnë më shumë se kaq. Por, në Shqipëri, zakonisht raportohet elementi i parë (marzhi i gabimit) dhe nuk raportohet elementi i dytë (intervali i besimit/konfidencës). Por, çfarë ndodh? Nëse ulet intervali i konfidencës, ulet edhe marzhi i gabimit dhe bëhet “më i pranueshëm”. Pra nëse ne themi që nuk na duhet interval besimi 95%, por 90% (ç’punë prishi 5%?) atëherë marzhi i gabimit nga 3.2% vetë në 2.4%. Dhe natyrisht bëhet “më i pranueshëm” për popullin. Prandaj kemi çudira në Shqipëri ku për të njëjtin kampion të kryer me të njëjtën metodë, dikush raporton marzh gabimi 3.5%, kurse tjetri 2.5%.
Edhe disa elementë të tjerë shumë të rëndësishëm. Së pari, marzhi i gabimit që zakonisht raportohet është marzh gabimi që vjen nga gabimi rastësor në kampionim. Pra, teorikisht pranohet që gjithçka në kampionim është perfekt dhe ky gabim vjen nga rastësia. Në fakt marzhi i gabimit rritet shumë nga niveli i mospërgjigjeve (Refuzime apo Nuk e di), nga mënyra e kryerjes së anketës nga intervistuesit, nga devijimi në kampionim etj. Sa më të pasigurt të jemi për këto të dhëna shtesë, aq më e paqartë bëhet situata për rezultatet që prodhon anketa. Së dyti, marzhi i gabimit që raportohet është për kampionin e plotë. Pra, për një pyetje së cilës i përgjigjen të 1000 personat. Nëse ne na duhet të gjykojmë mbi përgjigjet e një nëngrupi të kampionit, p.sh. të themi banorëve të Kukësit, apo të analizojmë përgjigjet e të papunëve, atëherë marzhi i gabimit rritet dhe ka shumë raste që mund të shkojë edhe ±12%.
3. Kjo është një pyetje me shumë vend, sepse shpesh debati mbi sondazhet dhe rezultatet e tyre anashkalon elementin kyç, që është modeli i sistemit zgjedhor në Shqipëri. Me këtë sistem zgjedhor që ne kemi në Shqipëri, një sondazh kombëtar me 1000 persona, sado përfaqësues të jetë, është shumë i vështirë, pothuajse i pamundur të projektohet në ndarje vendesh në Parlament. Sondazhi mund të jetë një indikacion i votës popullore, por jo i rezultatit zgjedhor në Parlament. Ky sistem që kemi ne në Shqipëri, fare lehtë mund të prodhojë paradokse të tilla, që një forcë politike mund të marrë shumicën e votës popullore por jo shumicën e vendeve në Parlament. Situata bëhet më e ndërlikuar kur qarqe të ndryshme janë bastione të njërës apo tjetrës forcë (pra mund të devijojnë fort nga mesatarja kombëtare).
Prandaj, ajo që do të kishte vlerë më të madhe do të ishin anketat mbi bazë qarku. Dhe çdo qark duhet të kishte një kampion solid (p.sh. N=1000). Si Kukësi ashtu edhe Fieri apo edhe Tirana. Pra në këtë rast, do të kishim një kampion të madh prej 12,000 personash (1000 për çdo qark) në mënyrë që të kishim baza më solide për të gjykuar. E kuptoni që kostot për të bërë një anketë të tillë rritet shumëfish. Problemi megjithatë mbetet në mënyrën se si kalkulohen mandatet. Pra përsëri, edhe me anketa mbi bazë qarku, është e vështirë të bësh projektim mbi mandatet. Sepse me një grusht votash, një mandat mund të lëvizë nga një forcë politike te një tjetër. Mund të ndodhë që për një diferencë prej 0.5% të asaj që del pas numërimit të votave krahasuar me atë që kishte parashikuar anketa (që është shumë më pak se sa marzhi i pranuar i gabimit) rezultati i mandateve në një qark të shkojë nga 5 me 5 (i projektuar) në 6 me 4 (real).
Në kushtet kur diferencat midis forcave politike nuk janë shumë të mëdha, anketat e kanë shumë të vështirë të projektojnë saktësisht me këtë model zgjedhor. Maksimumi mund të funksionojnë skenarët. Pra ndërtimi i 2-3 skenarëve të mundshëm që mund të rezultojnë duke marrë parasysh rezultatet e anketave në bazë qarku.
4. Para së gjithash, për të njëjtin argument që përmenda në fillim. Nivel i lartë refuzimi për t’u përgjigjur në Exit Poll. Ky nuk është Refuzim që vjen nga Liria që kanë njerëzit për të zgjedhur nëse duan të shprehen apo jo. Është Refuzim që vjen nga fakti që njerëzit nuk janë të lirë të shprehen për atë që kanë votuar, por edhe sepse nuk besojnë në këto mekanizma që janë denigruar nga politika me sa fuqi ka pasur. Nëse refuzimi vjen nga frika apo mosbesimi nuk parametrizohet dot për t’u futur në modelet e projektimit të rezultatit zgjedhor.
Përveç kësaj, duhet të kemi parasysh që exit pollet funksionojnë mirë në vende ku sistemi është mazhoritar i pastër. Në vende me sisteme si ky i yni, ka shumë probleme gjithmonë. Edhe exit polli ballafaqohet me të njëjtën sfidë që përmenda më lart në lidhje me projektimin e rezultateve në Parlament, ku ndryshime të vogla në përqindje prodhojnë rezultate shumë të ndryshme në ndarje mandatesh. Sido që të jetë, unë do të doja të shprehja mbështetjen për të gjitha llojet e sondazheve që bëhen në Shqipëri në këto momente. Shqipëria ka mungesë sondazhesh në përgjithësi dhe kulturë të pakët në këtë drejtim. Të gjitha sondazhet janë të vlefshme për sa kohë ka informacion të mjaftueshëm mbi të cilin të gjykohet profesionalizimi i tyre dhe për sa kohë ato do të ballafaqohen me rezultatet në fund. Por publiku, gazetarët, analistët duhet të edukohen më shumë me këto çështje në mënyrë që të gjykojnë mbi to me ftohtësi apolitike. Edhe “sondazhierët” do ta kishin vështirë që të gatuanin çfarëdo lloj “çorbe” kur të përballeshin me këtë gjykim dhe kërkesë llogarie.
Në Shqipëri ka më shumë “pseudo sondazhe”
Flet Thanas Goga, Ceo i “Abacus Research”, kompani e matjes elektronike të audiencës
1. Së pari, më duhet të theksoj se të vetmet sondazhe që duhen raportuar janë sondazhet “shkencore”, dhe për këtë qëllim, ka një deontologji të mirëpërcaktuar për të dalluar nëse një sondazh i caktuar është “shkencor” dhe nëse ia vlen të raportohet – apo nëse sondazhi në fjalë është pa vlerë. Me keqardhje kam vërejtur së fundmi publikimin e të dhënave nga pseudo-sondazhe joshkencore, të cilët ndonëse janë interesantë në dukje, në të vërtetë nuk ofrojnë kurrë atë lloj informacioni që duhet të pasqyrohet në një raport serioz. Rezultatet e këtyre sondazheve joshkencore nuk janë asgjë më tepër se sa thjesht ajo çka mendojnë vetëm të anketuarit e tyre, dhe jo popullsia që ato marrin përsipër të përfaqësojnë.
Në masën dërrmuese, rezultatet e publikuara nga sondazhet e fundit është e pamundur të analizohen me një vështrim kritik përderisa, organizatorët përkatës nuk ofrojnë asnjë mundësi praktike për të verifikuar vlefshmërinë e tyre. Në dijeninë time, asnjë prej tyre nuk ka publikuar të paktën instrumentin matës të anketimit, apo pyetësorin, si një praktikë që siguron transparencën për mënyrën e hartimit, renditjes së pyetjeve dhe sigurimit të paanshmërisë së tij. Gjithashtu, askush nuk e bën me dije metodologjinë e përdorur për përzgjedhjen e kampionit përfaqësues të popullsisë, apo të ashtuquajturat “practical survey dispositions” (praktikat e zhvillimit të sondazhit), që s’janë asgjë tjetër përveçse një lloj verifikimi i mënyrës së zhvillimit të punës në terren, mbledhjes, përpunimit dhe analizës së të dhënave. Pra, si vëzhgues të jashtëm, nuk kemi mundësi për të verifikuar nëse praktika e anketimit të sondazhit dhe rezultatet e tij pasqyrojnë saktësisht opinionin publik dhe nuk janë thjesht një mjet për promovimin e një pikëpamjeje të veçantë.
2. Për arsye se sondazhet japin përgjigje të përafërta. Sa më tepër njerëz të intervistohen në një anketim shkencor, aq më i vogël do të jetë edhe gabimi që rrjedh si pasojë e madhësisë së kampionit të përzgjedhur, nëse çdo parametër tjetër do të ishte i njëjtë. Një nga grackat që duhen shmangur në këtë rast është mendimi se “sa më i madh të jetë kampioni, aq më të sakta janë edhe rezultatet e anketimit”. Është patjetër e vërtetë se sa më tepër njerëz të intervistohen në një anketim shkencor, aq më i vogël do të jetë edhe gabimi që rrjedh prej përzgjedhjes së kampionit, megjithatë, ka edhe faktorë të tjerë që mund të jenë më tepër të rëndësishëm në gjykimin e cilësisë së një sondazhi.
Por, përgjithësisht pranohet që për nivel besueshmërie (level of confidence) p < .05, kufiri i pranueshëm i gabimit (margin of error) 2.3-2.4, për një kampion 1,100-1,200 të tipit shumëfazësh të shtresëzuar (multi-stage stratified systematic random sampling) do të ishte i pranueshëm në kushtet e Shqipërisë.
E theksoj në kushtet e Shqipërisë, për shkak se listat që do të përbënin edhe kuadrin e mundshëm të kampionizimit (sampling frames) janë përgjithësisht të mangëta dhe/ose të kontestuara (p.sh. listat e gjendjes civile, listat e zgjedhësve, lista e adresave të banimit, etj.), kështu që çdo kampion do të duhej të përzgjidhej bazuar kryesisht mbi ndarjen përkatëse territoriale dhe/ose administrative. Shumica e kampionëve shkencorë përdorin teknika të veçanta për të qenë ekonomikisht të zbatueshëm.
Për shembull, disa metoda të përzgjedhjes së kampionëve nëpërmjet intervistimit telefonik nuk zgjedhin numra telefonikë thjesht në mënyrë të rastësishme. Në këtë rast, përzgjidhen vetëm listat me numra telefonikë, të cilat janë të njohura si adresa banimi, me qëllim që të reduktohet numri i telefonatave të pasuksesshme. Pra, kjo mënyrë jep si rezultat një kampion të rastësishëm, por kampionët e përzgjedhur vetëm nga numrat telefonikë të listës me adresa banimi, nuk mund të prodhojnë një kampion të të gjithë numrave telefonikë të një popullsie të caktuar. Përveç kësaj, ekspertët e fushës kanë një debat të madh ndërmjet tyre për anketimin nëpërmjet telefonit dhe dallimet telefoni celular përkundrejt atij fiks.
3. Për mënyrën se si kemi mundësi të përzgjedhim kampionët përfaqësues të popullsisë në Shqipëri, një kampion i vetëm prej 1,000 të anketuarish në rang kombëtar nuk do të ishte në gjendje të ofronte të dhëna në nivel qarku, por vetëm, e ritheksoj, vetëm në rang kombëtar. Për të përllogaritur rezultate në nivel qarku do të duhej një kampion prej të paktën 416 apo mundësisht 1,100-1,200 të anketuarish (në varësi të nivelit të besueshmërisë dhe kufirit të gabimit të dëshiruara), për të nxjerrë rezultate që kanë domethënie statistikore.
Por, cilët faktorë mund të shtrembërojnë rezultatet e sondazhit?
Gabimi në përzgjedhjen e kampionit është vetëm njëri prej burimeve të mundshme të pasaktësive në një sondazh. Nuk është domosdoshmërisht burimi i gabimit më të madh të mundshëm; ne e përdorim këtë lloj përkufizimi, sepse ai është i vetmi që mund të përcaktohet në mënyrë sasiore. Dhe, nëse të gjithë elementët e tjerë do të ishin të njëjtë, atëherë do të ishte me dobi të vlerësonim nëse diferencat ndërmjet rezultateve të sondazhit do të kishin kuptim nga pikëpamja statistikore.
Formulimi i pyetjeve dhe radhitja e tyre në pyetësorin e anketimit mund të përbënin gjithashtu burime të mundshme të gabimeve në rezultatet e sondazhit. Trajnimi dhe mbikëqyrja e pamjaftueshme e intervistuesve, gabimet në përpunimin e të dhënave dhe probleme të tjera operacionale mund të bëhen shkak i shtrembërimit të rezultateve të sondazhit.
Organizatat me operacione profesionale të anketimit kanë shumë më pak gjasë që të bëhen pre e këtyre problemeve se sa ato që zhvillohen nga vullnetarë profesionistë, të cilët janë zakonisht më pak të besueshëm. Duhet të jemi veçanërisht të kujdesshëm për sa u përket sondazheve që zhvillohen nga studentë të patrajtuar dhe të pambikëqyrur në mënyrë të kujdesshme. Ka pasur mjaft raste kur një pjesë e rezultateve që janë raportuar nga studentët, janë bazuar në sondazhe të paqena.
Duhet që përherë të pyesim nëse rezultatet e sondazhit janë “peshuar” (weighted). Ky proces përdoret zakonisht për të marrë në konsideratë grupe të veçanta demografike, duke iu dhënë atyre mundësi të barabarta përzgjedhjeje dhe duke e përshtatur lehtësisht përfaqësimin e tyre në kampion. Gjithashtu, duhet të jemi të vetëdijshëm se një sondazh mund të manipulohet padrejtësisht nga peshimi i numrave për të prodhuar rezultatin e dëshiruar.
Ndërkohë që njëfarë peshimi mund të jetë i përshtatshëm, ndërsa disa mund të mos jenë të tillë. Peshimi në një sondazh shkencor mund të jetë i përshtatshëm, vetëm atëherë kur duhet të pasqyrojë probabilitetin e pabarabartë, ose kur duhet të përshtatë një vlerë të pavarur ndryshoreje që në shumicën e rasteve ka një vlerë konstante.
4. Ashtu siç e theksova edhe më lart, një kampion 1,100-1,200 të anketuarish, i përzgjedhur sipas mënyrës shumëfazëshe me cluster-a, do të ishte ideal për kushtet e Shqipërisë (përherë duke pasur parasysh nivelin e besueshmërisë p < .05, dhe kufirin e gabimit +/- 2.3).
5. Kjo nuk është thjesht çështje saktësie statistikore, por është një shumësi faktorësh që kanë të bëjnë me traditën e sondazheve në vendin tonë, shkallën e bashkëpunimit të të anketuarve, etj.
Gjithashtu, gabimi në përzgjedhjen e kampionit është i lidhur ngushtë me një nga çështjet më të ndërlikuara në pasqyrimin e rezultateve të një sondazhi, sidomos kur kemi të bëjmë me një sondazh për gara politike apo elektorale, të cilët përpiqen t’i japin përgjigje pyetjes se cili prej kandidatëve është përpara tjetrit në garën në fjalë? Sigurisht që, nëse hendeku ndërmjet dy kandidatëve është më i vogël se sa kufiri i gabimit në përzgjedhjen e kampionit, atëherë, askush nuk mund të thotë me siguri se cili prej kandidatëve është përpara konkurrentit të vet.
Mund të themi se rezultati është “i ngushtë”, se ai mund të jetë “pothuajse i njëjtë”, apo se “ka pak diferencë ndërmjet kandidatëve”. Megjithatë, nuk duhet të konsiderohet si “barazi e plotë” (dead heat) ndërmjet kandidatëve, përveçse në rastet kur kandidatët kanë të njëjtat rezultate në përqindje. Dhe sigurisht, që nuk mund të flasim për një “barazim statistikor”, nëse kandidatët nuk kanë saktësisht të njëjtat rezultate në përqindje.
Dhe mund të themi me të njëjtën siguri, atëherë kur diferenca ndërmjet dy kandidatëve është e barabartë ose më e lartë se sa dyfishi i kufirit të gabimit – për shembull, 6 pikë në përqindje, – dhe nëse ka vetëm dy kandidatë të mundshëm dhe nuk ka zgjedhës të pavendosur, se rezultatet e sondazhit tregojnë se Kandidati A është përpara Kandidatit B.
Atëherë kur diferenca ndërmjet dy kandidatëve është më e madhe se sa kufiri i gabimit, por më e vogël se sa dyfishi i kufirit të gabimit, mund të themi se Kandidati A “është përpara”, “ka një përparësi”, ose “është në epërsi”. Raportimi i këtyre rezultateve duhet të marrë parasysh faktin se ka një mundësi të vogël që Kandidati B të jetë përpara Kandidatit A.
Mungon terreni për të realizuar sondazhe të besueshme
Flet Neritan Sejamini, njohës i fushës
1. Në Shqipëri ka disa probleme në lidhje me sondazhet që lidhen në radhë të parë me kampionimin. Për të zgjedhur një kampion është e nevojshme që realizuesi i tij të ketë një listë të të gjithë popullsisë (në rast se do të bënin një anketim për ndërmarrjet atëherë me “popullsi” do të nënkuptonim listën e gjithë ndërmarrjeve). Pra, në këtë rast, do të ishte e nevojshme lista e atyre nga do të zgjidhej një kampion. Në Shqipëri, për fat të keq, mungon lista e plotë e popullsisë. Një listë e tillë mund të përftohej nga abonentët e telefonave, duke ditur shtrirjen gjeografike, atëherë do të ishte më e lehtë. Në të gjithë botën ndiqet kjo praktikë. Ka kosto më të ulët, është më direkte dhe është e shkurtër. Në Shqipëri mungon një penetrim i tillë i telefonit që do të mundësonte një kampionim të tillë, të lehtë. Duhet të kemi parasysh se një anketim i tillë bëhet vetëm me telefona bazikë dhe jo me celular, pasi numri i celularëve është më i lartë se numri i popullsisë, por nga ana tjetër për një numër mund të ketë më shumë përdorues (që mund të jenë nga e njëjta familje) dhe në këto kushte nuk dihet se kush po pyetet. Ajo që mund të themi është se vëzhgimi përmes celularëve nuk ka asnjë lloj kriteri ku mund të bazohet, prandaj rruga e duhur do të ishte me telefon. Ajo që kompani të ndryshme mundohen të bëjnë në Shqipëri është kampionimi sipas zonave gjeografike (administrative) në mënyrë të njëpasnjëshme, pra duke kaluar nga njësia administrative më e madhe tek ajo më e vogël (lagje, rrugë apo edhe shtëpi) dhe më pas realizojnë intervistimin “kokë më kokë”. Pak a shumë ato që bëjnë vrojtimet më serioze. Natyrisht edhe kjo ka problemet e veta. Të hartosh kampionin e duhur kërkon që të posedohen lista të detajuara, adresa rrugësh, pallatesh, shtëpish të sakta etj. Në Shqipëri nuk është e lehtë që të sigurosh një informacion të tillë dhe për mendimin tim ky është një nga problemet kryesore të kampionimit.
Problemi i dytë i kampionimit (në rastin e sondazheve zgjedhore) ka të bëjë me faktin (dhe kjo është e vërtetuar) se sjellja e votuesit është e lidhur me faktorë ekonomikë dhe socialë. Për shembull: ka studime të detajuara që vërtetojnë se një kampionim me sasi të caktuara të ardhurash ka një orientim të caktuar elektoral. Në Amerikë përgjithësisht njerëzit e pasur votojnë djathtas. Edhe gjendja sociale ndikon në sjelljen e votuesit, shkollimi gjithashtu.
Për të zgjedhur kampionin e duhur duhet që anketuesit të përfaqësojnë edhe situatën ekonomike dhe sociale të mbarë popullsisë. Pra, kampioni nuk mund të zgjidhet në mënyrë të rastësishme (p.sh: nga 100 persona të zgjidhen 10), ai duhet të jetë me klasifikim dhe me pesha. Zgjedhja e kampionit bëhet në mënyrë që ata që përzgjidhen të jenë pothuajse të njëjtë me popullsinë për nga arsimimi, të ardhurat, mosha, gjinia etj. E gjithë kjo kërkon që të dihet shumë mirë se cila është gjendja popullsisë (të ardhurat për frymë etj.).
Në Shqipëri, në kampionim duhet të përfshihen njerëz si nga zonat rurale, ashtu edhe urbane, të pasur, por edhe me nivel më të ulët të të ardhurave, të arsimuar dhe jo shumë të arsimuar, mashkull/femër. Të gjithë këto çështje zgjidhen me kampionimin. Në këtë mënyrë do të kishim një kampion që përfaqëson vërtet popullsinë. Në fund të fundit, qëllimi i anketimit është që duke pyetur kampionin të kuptohet edhe sjellja e popullsisë, pra kampioni të përfaqësojë popullsinë në gjendjen ekonomiko-sociale.
Kjo bëhet me metodat e konsoliduara, siç janë si stratifikimi dhe dhënie a peshave paraprake, por kjo kërkon informacion për përbërjen ekonomike dhe sociale, që në Shqipëri nuk ekziston.
Të gjitha këto bëjnë që sondazhet në vendin tonë të jenë pak të besueshme dhe të sakta.
2/3. Në lidhje me marzhin e duhur të gabimit, kjo është një çështje që varet nga kampioni që përzgjidhet. Sa më përfaqësues të jetë kampioni, aq më i vogël është gabimi. Shpeshherë kompani të ndryshme, për të bërë kampionime të shpejta, marrin një kampion të vogël, e anketojnë me telefon dhe në këtë rast marzhi i gabimit do të ishte më i lartë.
Në rastin e vrojtimeve që zhvillohen në një kohë të gjatë (jo në rastin e zgjedhjeve elektorale) marzhi i gabimit është më i ulët, pasi në përzgjedhjen e kampionit përdoren më shumë burime. Prandaj, në përgjithësi nuk ekziston një rregull i qartë se cili është marzhi i duhur i gabimit për të dhënë një situatë realiste.
Madhësia e kampionit duhet të përcaktohet në lidhje me atë se çfarë vrojtohet, nëse çështja është shumë e ndryshme për popullsinë, atëherë është i nevojshëm një kampion i madh, në të kundërt duhet një kampion i vogël. Pra, madhësia varet nga ajo që kërkohet të pyetet dhe nga sa i diversifikuar është në popullsi, prandaj nuk mund të thuhet paraprakisht se cili do të jetë kampioni. Për çdo lloj vrojtimi zgjidhet edhe kampionimi i duhur. Teorikisht do të ishte e pamundur të thoshim se një kampion prej 1,000 vetash do të ishte ideali. Në rastin ideal, kampioni më i mirë do të ishte e gjithë popullsia (gjë që është e pamundur të realizohet), por edhe në këtë rast, do të kishim marzh gabimi.
Nga ana tjetër, kampionimi varet nga metodologjia. Në Shqipëri shpesh metodologjia që ndiqet nuk publikohet. Kudo në botë është detyrim që kur realizohet një anketim të publikohet edhe metodologjia.
Një tjetër problem që vihet re në vendin tonë (edhe sikur çdo gjë të bëhet e saktë në lidhje me kampionimin dhe metodologjinë) në lidhje me testimin e opinionit publik është se mungon kultura e duhur. Njerëzit tregohen të ndrojtur dhe shpesh nuk japin të dhëna të sakta. Në çdo rast kampionim përfaqësues ka nevojë edhe për përgjigje të sinqerta, pasi në çdo rast do të tregonte një realitet të gënjeshtërt. Diçka e tillë ul saktësinë e rezultateve të anketimeve.
Në rastin e zgjedhjeve elektorale në Shqipëri, arsyeja se përse rezultatet e sondazheve përafrohen me rezultatet zyrtare është e thjeshtë, se jepen përqindje votash fituese me diferencë të ngushtë dhe me një marzh gabimi (+ -) 3%. Pra, diferenca është aq e ngushtë sa me çdo lloj marzhi gabimi do t’i përafrohej realitetit.
4. Në Shqipëri exit-pollet nuk kanë arritur të prodhojnë një rezultat të saktë, sepse askush nuk ka përdorur metodologjinë e duhur. Të realizosh exit-polle është shumë e kushtueshme.
Në radhë të parë duhen në dispozicion duhen shumë njerëz. Nga ana tjetër, duhet të zgjidhet kampioni i duhur (sepse edhe në këtë rast janë të nevojshme të dhënat ekonomike). Në rastin e Shqipërisë çështja vështirësohet (edhe nga ana financiare), pasi zgjedhjet realizohen me zona elektorale dhe duhet që të mbulohen me njerëz për çdo rajon apo qendër votimi. E gjitha kjo duhet të bëhet me shpejtësi, pasi qëllimi i exit-polleve është që të japin një rezultat në brenda pak orë. Pra, në Shqipëri askush nuk ka burime të mjaftueshme financiare për t’i realizuar, por nga ana tjetër, nuk janë marrë me seriozitetin e duhur.
Është shumë e rëndësishme që të zgjidhet kampioni i duhur (p.sh: çdo një në tre votues anketohet) pasi ai duhet të jetë sa më përfaqësues. Të mos harrojmë që ne votojmë në bazë të një sistemi proporcional, rajonal, pra ai bazohet në përqindje sipas rajoneve dhe ne na mungon kjo e dhënë.
Problematika
Ekonomi: Që vlerësimet të jenë të besueshme është e nevojshme të realizohet një kampion i ndërtuar me kujdes, me kusht që një pjesë e madhe e subjekteve (njerëzve që intervistohen) të japin informacionin e kërkuar.
Pasha: Në sondazhet në Shqipëri janë mbi 30-35% e të anketuarve të cilët ose “Refuzojnë” të përgjigjen për pyetjen e preferencës politike, ose deklarojnë “Nuk e di”. Natyrisht që ka një diferencë midis atij që “Refuzon” të përgjigjet dhe atij që thotë “Nuk e di”. Por, në teknika indirekte, kemi konstatuar se shumë nga ata që thonë “Nuk e di”, në fakt janë shumë qartë të pozicionuar politikisht, thjesht nuk duan të prononcohen.
Goga: Në masën dërrmuese, rezultatet e publikuara nga sondazhet e fundit, është e pamundur të analizohen me një vështrim kritik përderisa organizatorët përkatës nuk ofrojnë asnjë mundësi praktike për të verifikuar vlefshmërinë e tyre. Asnjë prej tyre nuk ka publikuar të paktën instrumentin matës të anketimit, apo pyetësorin, si një praktikë që siguron transparencën për mënyrën e hartimit, renditjes së pyetjeve dhe sigurimit të paanshmërisë së tij.
Sejamini: Të hartosh kampionin e duhur kërkon që të posedohen lista të detajuara, adresa rrugësh, pallatesh, shtëpish të sakta etj. Në Shqipëri nuk është e lehtë që të sigurosh një informacion të tillë dhe për mendimin tim, ky është një nga problemet kryesore të kampionimit.
Kampionimi
Ekonomi: Një kampion me rreth 1,200 individë për të dhëna në nivel kombëtar do të ishte i mjaftueshëm.
Pasha: Me këtë sistem zgjedhor që ne kemi në Shqipëri, një sondazh kombëtar me 1000 persona, sado përfaqësues të jetë, është shumë i vështirë, pothuajse i pamundur të projektohet në ndarje vendesh në Parlament.
Goga: Për të përllogaritur rezultate në nivel qarku do të duhej një kampion prej të paktën 416 apo mundësisht 1,100-1,200 të anketuarish (në varësi të nivelit të besueshmërisë dhe kufirit të gabimit të dëshiruar), për të nxjerrë rezultate që kanë domethënie statistikore.
Sejamini: Teorikisht do të ishte e pamundur të thoshim se një kampion prej 1,000 vetash do të ishte ideali. Në rastin ideal, kampioni më i mirë do të ishte e gjithë popullsia (gjë që është e pamundur të realizohet), por edhe në këtë rast, do të kishim marzh gabimi.
Modeli më i mirë ai amerikan, aty nga ku kanë startuar
Sondazhet që parashikojnë rezultatin e zgjedhjeve janë përdorur për herë të parë në vitin 1824 në SHBA dhe për më shumë se një shekull janë pika e referimit për politikanët dhe qytetarët.
“Gallup Organization” është kompania e parë e cila ka organizuar një anketim popullor të kuruar për zgjedhjet në SHBA. Në përgjithësi, sondazhet e realizuara prej saj kanë dhënë parashikime të sakta që ishin afër rezultateve zyrtare të fituesve. Ajo që mund të thuhet është se sondazhet elektorale kanë evoluar shumë. Për dekada me radhë ato janë realizuar nëpërmjet internetit, intervistave “kokë më kokë”, por edhe duke përdorur mediat apo edhe nga vetë kandidatët politikë.
Sot, sondazhet nëpërmjet internetit po bëhen gjithnjë e më shumë popullore. Shpesh anketimet iniciohen nga kompanitë e specializuara jo për llogari të ndonjë klienti, por si një metodë për t’u vetëpromovuar. Edhe shpërndarja e rezultateve të sondazheve ka ndryshuar, me rritjen e numrit të tyre ato raportohen direkt në blogje apo edhe në faqet e internetit të vetë kompanive anketuese më shumë sesa në median tradicionale. Gazetarët nuk janë më “rojtarët” e sondazheve, pra ata të cilët përcaktojnë nëse është cilësor apo ia vlen të tërheqë vëmendjen e opinionit publik.
Por, le të ndalemi pak te zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në SHBA. Cilat u vlerësuan si sondazhet më të mira? Një studim i “Fordham University” realizoi renditjen e anketuesve më të mirë për zgjedhjet e vitit 2012 dhe renditja ishte e tillë:
1. Public Policy Polling
2. Daily Kos/SEIU/PPP
3. YouGov
4. Ipsos/Reuters
5. Purple Strategies
Studimi tregoi se edhe mënyra e metodologjisë ka ndryshuar. Rreth 9% e shtëpiakeve nga “Pew Research Center” u anketuan me metodën klasike të telefonit ose rreth 15% më pak se tre vite më parë dhe 36% më pak se në vitin 1997. “Pew” ia atribuoi rënien përmirësimit të teknologjisë për thirrjet e padëshiruara, por edhe faktit se njerëzit kanë gjithnjë e më pak kohë të lirë.
Kreu i “Rasmussen Reports”, Scott Rasmussen, një tjetër kompani shumë e rëndësishme e sondazheve, deklaroi se pavarësisht se kjo industri është zhvilluar shumë, do të duhet të bëhet edhe më deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Mësimi i madh ishte se ky ishte fundi i epokës së sondazheve me telefona dhe në vitin 2016 ato nuk duhet të ekzistojnë më. Anketuesit duhet të gjejnë mënyra të tjera për të arritur njerëzit, në mënyrë që të rritet besueshmëria”, tha Rasmussen.
Disa të tjerë u treguan më pozitivë ndaj praktikave që zbatohen nga industria e sondazheve.
“Për ta balancuar duhet thënë se sondazhet vazhdojnë ta ‘kapin’ mirë elektoratin, pavarësisht vështirësive të panumërta që ka anketimi sot”, tha Bill McInturff, i cili së bashku me Peter Hart drejtoi sondazhin e Wall Street Journal/NBC News.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.