Moda e shtepive ne fshat 2

30/10/2007 00:00 0 komente

Kompanitë: Po ecim mirë me shitjet

Rritjen e interesit për këto zona e konfirmojnë edhe kompanitë që kanë hyrë në këtë treg. Sipas administratorit të shoqërisë VistaGroup, e cila ka nisur ndërtimin e një kompleksi vilash dhe apartamentesh në zonën e Farkës, kërkesa është shumë e lartë, ndërkohë që edhe çmimet që ofrohen nuk janë shumë të shtrenjta dhe e konkurrojnë mirë tregun.

“Ka pasur shumë interes për të blerë shtëpi në kompleksin tonë. Nëse dua të shes e bëj menjëherë, por ne kemi edhe disa kritere që duhet të përmbushin banorët që do të jetojnë aty”, -thotë Mimi Kruja.

Interesi është i lartë midis klientëve të synuar e veçanërisht komunitetit diplomatik, ndërkohë që nuk po mungojnë edhe kërkesat e shumta nga klientët e shtresës së mesme. Në mënyrë të ngjashme, partnerët e kreditit nga sistemi bankar kanë shprehur vullnetin për të vazhduar mbështetjen e projektit dhe të klientëve të Vistës.

“Vista nuk është e interesuar në shitjen e një përqindjeje të lartë të sipërfaqes së projektit. Ne jemi të bindur se çmimet do të rriten shpejt brenda një kohe të shkurtër, ndërkohë që infrastruktura po ndërtohet”, -thonë të dhënat nga kjo kompani.

Komuniteti diplomatik i huaj, veçanërisht Ambasada Amerikane, kanë deklaruar të vendosin personelin në këtë komunitet, komuniteti i huaj i biznesit, shqiptarë që kanë jetuar jashtë shtetit, veçanërisht në Amerikën e Veriut, dhe ata të cilët kanë vizionin se si duhet të jetë një komunitet, shqiptarë nga fushat e biznesit, politikës dhe kulturës.

Sipas Krujës, tani shumë njerëz po e vlerësojnë ndryshe dhe më mirë jetën, kërkojnë ajër të pastër, më shumë liri. “Në kompleksin tonë deri më sot janë ndërtuar 70 vila, ndërkohë që brenda 3 viteve numri i tyre do të arrijë në 240. Të gjithë i blejnë për të jetuar dhe jo si shtëpi pushimi”, -thotë administratori i Vista Group.

 
çmimet, rritje deri në 30%

Siç ndodhi me Tiranën-qytet gjatë 15-vjeçarit të fundit, ku pothuajse të gjitha hapësirat u zunë me shpejtësi, po ndodh sot edhe me Tiranën-fshat. Sipas drejtorit të agjencisë imobiliare, Dev Information, Dritan Caka, trojet në këto zona po zihen me shpejtësi gjatë dy viteve të fundit, ndërkohë që çmimi i trojeve është rritur me rreth 30% krahasuar me një vit më parë.

“Ka rreth dy vjet që kërkesa për këto zona është në rritje, ku motivi kryesor i atyre që blejnë është largimi nga zhurmat. Më shumë blejnë shtresat e pasura, por nuk mungojnë as përfaqësues të shtresës së mesme”, -thotë Caka i Dev Information.

Edhe agjentët e Albania Info konfirmojnë se kërkesa për zonat e zhurmshme, që më së shumti i takojnë qendrës së Tiranës, nuk është rritur më, ku sidomos po bie interesi për shtëpitë me qira. “Shumë po kërkojnë periferinë, pikërisht për qetësinë që ofron”. Në fakt, 2007 është edhe viti i parë ku çmimet e ndërtimeve në Tiranë nuk pësuan rritje. Drejtori i Dev Information sqaron se fuqia blerëse nuk ka rënë, niveli i saj mbetet pak a shumë i njëjtë, por hapja çdo ditë e fronteve të reja të shitjeve të apartamenteve e ka shpërndarë shumë kërkesën. “Ka qenë pikërisht zgjerimi i hartës së ndërtimeve ai që ka ndikuar më së shumti në mosrritjen e çmimeve të apartamenteve në Tiranë këtë vit”, -thotë Dritan Caka.

Një faktor mjaft pozitiv që po ndikon në rritjen e çmimeve të trojeve të këtyre zonave periferike, është investimi që po kryhet për urbanizimin e tyre. Komuna e Farkës, që fillon 3 km nga Tirana, është në fakt edhe një nga më të shtrenjtat ndër zonat e konsideruara “fshat”. Të ngjitesh në kodër në "ajër të pastër" do të jetë shumë e lehtë kur 4 rrugët e projektuara do të përfundojnë brenda dy viteve të ardhshme: rruga e Elbasanit jashtë qytetit është duke u zgjeruar tani, Unaza e re, e cila do të kalojë nga liqeni artificial do ta afrojë qendrën e qytetit për 5 minuta, po ashtu dhe hyrjen në arteriet Perëndimore (p.sh. aeroporti). Dy rrugët, një që lidh Senatoriumin me Qytetin Studenti, dhe një që lidh Fushën e helikopterëve me Shkozën, do të kenë hyrje në Lindje.

 
Trojet, deri në 100 euro/m2

Interesi për të ndërtuar një shtëpi në fshat tashmë nuk është më vetëm individual. Ndonëse individët që kanë blerë një tokë në fshat dhe më pas kanë ndërtuar një shtëpi në të janë më të shumtë në numër, tani nuk mungojnë as subjekte që po kërkojnë të ngrenë komplekse në këto zona. Sipas të dhënave nga agjencitë imobiliare në kryeqytet tendenca është për të krijuar minifshatra, që kanë edhe një urbanistikë të përshtatshme për një jetesë komode.

“Këto komplekse kanë brenda një gamë të gjerë shërbimesh, duke përfshirë edhe miniambulanca”, -thotë Caka i Dev Information. Sipas tij, kohët e fundit ka edhe një tendencë të bashkimit të disa individëve në një grup me qëllimin për të ngritur një minifshat në këto zona. Në periferi më së shumti ndërtohen vila ose apartamente me shumë pak kate, pasi edhe studimi urbanistik nuk lejon ngritjen e ndërtesave të larta. Njëherësh me rritjen e interesit të ndërtimeve në këto troje janë rritur edhe çmimet. Të dhënat konfirmojnë se zona më e shtrenjtë mbetet ajo e Farkës ku çmimet e trojeve variojnë 80-100 euro/metri katror. Për shkak të afërsisë më të madhe edhe me qendrën e kryeqytetit, rreth 7 kilometra larg, dhe hapësirave të mëdha të gjelbra që ka Farka, ofron çmimet më të larta ndër zonat e fshatit rreth Tiranës. Të shumta janë kërkesat edhe për zonën e Lundrës.

“Edhe në këtë zonë çmimet janë rritur me shpejtësi gjatë viteve të fundit, duke arritur deri në 80 euro/metri katror”, -thonë agjentët imobiliarë. Më pak i kushtueshëm mbetet Kashari, ku trojet nuk janë më shumë se 60 euro/metri katror. Kjo zonë, në fakt, është bërë një nga pikat më të kërkuara nga ndërtuesit, ku po ngrihen me shpejtësi pallate shumëkatëshe.

Por fenomeni i rritjes së çmimeve së trojeve në fshatrat rreth Tiranës nuk do të ndalet me kaq. Ekspertët e tregut imobiliar parashikojnë një tendencë në rritje për to, ku sigurisht më të fituar do të rezultojnë ata që vendosin tani të blejnë një truall në këto zona.

“Shtëpitë në këto troje nuk janë turizmi, por ambiente të mirëfillta banimi. Shumica i blen që tani trojet për t’i siguruar për më vonë, ku çmimet do të jenë shumë më të larta”.

 
Ndërtuesit, nuk kemi interes për këto zona

Përveç disa rasteve sporadike të kompanive që ndërtojnë në zonat e fshatit rreth Tiranës, moria e ndërtuesve ka qëndruar larg këtij tregu. Sipas kryetarit të Shoqatës së Ndërtuesve për Tiranën, Avenir Kika, ky treg nuk përbën ndonjë interes të veçantë, përsa kohë urbanizimi në këto zona lë mjaft për të dëshiruar.

“Shumë njerëz kanë tashmë një shtëpi në qendër, një në bregdet dhe ndoshta tani ka ardhur koha që të kenë një shtëpi pushimi edhe në fshat, por nuk mund të jetë kurrsesi për momentin një ambient i përshtatshëm banimi”, -thotë Kika. Sipas tij, këto zona do të mbushen shumë shpejt me ndërtime dhe do të humbin vlerën më të madhe që ato ofrojnë për momentin, qetësinë.

Në fakt, edhe të dhënat konfirmojnë se interesi i ndërtuesve për këto zona është i ulët, gjithashtu është në rënie edhe tregu total i ndërtimeve.

 
Pak interes nga të huajt

Ndërkohë, që në Bullgari parashikohet që rreth 35% e investimeve të huaja për vitin 2008 të vijnë në tregun imobiliar, në Shqipëri interesi i të huajve për ngritjen apo blerjen e shtëpive është mjaft i ulët. Përveç të huajve që jetojnë në Shqipëri, ende nuk po duken blerës të tillë, siç ndodh p.sh., në Mal të Zi (ku investimet e huaja në pasuritë e paluajtshme kanë qenë gati 400 milion euro në 6 uajt e parë të vitit 2007), që e duan shtëpinë në bregdet si të dytë dhe si një ambient të mirë pushimi, madje dhe për të jetuar vitet e pensionit.

 

çmimet, në rritje vetëm në zonat luksoze

Gjatë 10 muajve të fundit cmimet kanë qenë stabël në zonat periferike

Sipas informacioneve të agjencive, çmimet e banesave në zonat më qendrore dhe luksoze, si blloku, Rruga e Kavajës, RTSH etj., këta muajt e fundit janë në rritje. Në zonën e ish-Bllokut dhe RTSH-së çmimet shkojnë nga 1000 deri në 1400 euro për m2.

Ndërsa në zonat më periferike, nuk vërehet ndonjë luhatje e ndjeshme e çmimeve krahasuar me fillimin e këtij viti si dhe me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në zonat e tjera të qendrës, çmimet shkojnë nga 800 deri në 1000 euro për m2, në zonat pranë unazës 600-800 euro për m2. Në pjesët më larg qendrës së Tiranës banesat kushtojnë rreth 450-500 euro për m2.

Gjithmonë duke iu referuar agjencive, çmimet e dyqaneve në Tiranë këta muajt e fundit nuk kanë pësuar ndryshime. Mesatarja për Tiranën është 3 mijë euro për m2. çmimet lëvizin nga 1 mijë euro për m2 zonat periferike në 5-6 mijë euro/m2 në zonat më qendrore. Por ndërkohë ndërtuesit vendas thonë se kompanitë nuk i kanë rritur çmimet gjatë 8-mujorit të fundit, duket përfshirë këtu edhe muajt e parë të këtij viti.

“Gjatë kësaj kohe nuk ka patur asnjë rritje të materialeve të ndërtimit, ndërkohë që edhe marrëdhëniet me pronarët e trojeve janë stabilizuar. Kjo situatë normale nuk na ka detyruar që të rrisim çmimet e apartamenteve”, -thonë ndërtuesit. Por ndonëse gjatë muajve të fundit nuk ka patur lëkundje drejt rritjes së çmimeve, parashikimet për të ardhmen duket se flasin për ngritje të vazhdueshme të tyre.

 
çmimet

-30% janë rritur çmimet e trojeve në zonat e fshatrave rreth Tiranës;

-80-100 euro/m2 variojnë çmimet e trojeve në zonën e Farkës;

-60-80 euro/m2 luhaten çmimet e trojeve në zonën e Lundrës;

-60 euro janë çmimet e trojeve në komunën e Kasharit.

(Burimi: agjencitë imobilare)

 
Tendenca

-Shumë blerës po kërkojnë të blejnë banesa në minifshatra me qëllim që të jetojnë larg qendrës;

-Interesi për këto zona i përket më shumë shtresës së pasur, si rezidentë të huaj, diplomatë apo biznesmenë shqiptarë;

-Huatë bankare janë duke nxitur edhe një kategori të shtresës së mesme, e cila vlerëson jetesën e mirë në shtëpitë e këtyre zonave;

-Agjencitë imobiliare parashikojnë një rritje të vazhdueshme të çmimeve të trojeve të fshatit. Shumë po kërkojnë që të blejnë sot, ku niveli i urbanizimit është mjaft i ulët;

-Blerësit e huaj po qëndrojnë ende larg tregut imobiliar shqiptar. Ndërtuesit konfirmojnë se blejnë vetëm të huajt që jetojnë në Shqipëri.

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.