Kohët e fundit është thënë se Sony do të fillojë me prodhimin e linjës së re të telefonave, të cilët do t’i bazojë në sistemin operativ të Microsoft, Windows Phones.
Më saktë, është thënë se Microsoft ia ka dhënë rreth 500 milionë euro kompanisë Sony për krijimin e disa modeleve të reja në Windows Phone, edhe pse ky lajm nuk është konfirmuar nga asnjëra palë.
Mirëpo, sipas ‘The Verge’, thuhet se gjatë verës së këtij viti, mund të shohim disa modele të reja të telefonave të Sony me Windows Phone, dhe një ndër datat e mundshme të lançimit të llojit të parë të kësaj linje pritet të jetë muaji korrik.
Tashmë dihet se Sony është në bisedime me Microsoft, pasi këtë e kishte konfirmuar më herët drejtori i kompanisë japoneze për njësinë mobile në Europë.
Sony është shndërruar në një lojtar të rëndësishëm për sistemin operativ Android, pasi disa nga modelet e saj të telefonave janë shumë të popullarizuar në treg, dhe një marrëveshje me Microsoft vlerësohet se do ta ndihmonte shumë këtë të fundit.