Në Gjermani, modeli ekonomik i së keqes dhe së mirës janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Gjermania admirohet për stabilitetin e saj, por vihet në lojë për suficitet e vazhdueshme tregtare
Nëse do të bisedoni me politikëbërësit e Gjermanisë, qoftë në Berlin apo në Frankfurt, ka shumë mundësi që dikush prej tyre do të marrë si shembull Gëten, figurën më të shquar të letërsisë së kombit, në lidhje me rreziqet e inflacionit. Në kryeveprën e tij, “Fausti”, një perandor bindet nga djalli që të nxjerrë “monedhat fantazmë”, çmimet u rritën dhe shkatërrimi ekonomik vetëm sa përkeqësohej, shkruan The Economist.
Bashkëbiseduesit e huaj mund të kundërshtojnë me një shprehje të tyre nga poeti i madh. “Gjermanët”, është shprehur ai, “e bëjnë gjithçka të vështirë, si për veten ashtu edhe për të gjithë të tjerët”. Për vite me radhë, “të gjithë” janë ankuar se ekonomia e Gjermanisë po shkakton vështirësi edhe për pjesën tjetër të botës.
Ata pëshpëritnin se vendi kursen shumë dhe shpenzon pak dhe se Gjermania eksporton më shumë mallra sesa importon. Pothuajse në pjesën më të madhe të viteve, që prej 1950, Gjermania ka një suficit në llogarinë e saj rrjedhëse, një nivel i lartë i bilancit të tregtisë. Në rastin e suficiteve, kursimet e brendshme tejkalojnë investimet vendase, me tepricën e huazuar jashtë vendit.
Këto suficite nënkuptojnë që vendet e tjera duhet të udhëheqin deficite në llogaritë e tyre rrjedhëse (me fjalë të tjera, të huazojnë) në mënyrë të tillë që të sigurohet se ka kërkesë të mjaftueshme agregate për t’i mbajtur njerëzit në punë.
Vitin e kaluar, suficiti i Gjermanisë ishte 8.3% e PBB-së. Afërsisht rreth 300 miliardë dollarë, vlerë që është shumë më e madhe edhe se suficiti i Kinës, i cili dikur shihej si objektivi i dëshiruar për t’u arritur nga shumë kongresmenë të zemëruar amerikanë.
Tani Gjermania po akuzohet se po hedh në kurriz të vendeve të tjera kostot e shpenzimeve dhe humbjen e madhe të vendeve të punës.
Donald Trump e ka cilësuar tepricën e Gjermanisë si “shumë të keqe”, duke shprehur pakënaqësi mbi të gjitha për numrin e madh të makinave gjermane të shitura në Amerikë. “Ne do ta ndalojmë një gjë të tillë”, u shpreh ai.
Brenda Eurozonës, ankesa është se Gjermania, duke qenë anëtari më i besueshëm, ka këmbëngulur në lehtësimin e masave shtrënguese për vendet me borxhe të rënda, pa pranuar se kufizimi i saj i lartë i shpenzimeve e bën më të vështirë një gjë të tillë.
Megjithatë, ekonomia e Gjermanisë është e admiruar. Shkalla e papunësisë ka rënë në 3.9%, më e ulët se pothuajse në të gjitha vendet e pasura. Ekonomia u anashkalua brutalisht nga “Recesioni i Madh” i 2008-’09, por punësimi pothuajse nuk u prek fare, në kontrast të thellë me vendet e tjera.
Goditjet politike të vitit të kaluar në Britani dhe Amerikë janë të lidhura me humbjen e vazhdueshme të vendeve të punës të punëtorëve të thjeshtë, si pasojë e automatizimit dhe importeve më të lira, veçanërisht nga Kina. Gjermania e ka luftuar këtë prirje.
Pjesa e punëve të sektorit prodhues nuk ka shënuar pothuajse fare rënie. Vende të tjera, veçanërisht Franca, po shpresojnë përsëri të imitojnë sistemin e stazheve të punës profesionale gjermane, me anë të të cilave, u jepej mundësia që të fitonin një aftësi profesionale të gjithë atyre personave që nuk ishin të aftë për të vazhduar universitetin.
Dhe gjermanët janë shumë krenarë për një arritje të tillë.
Ideja që suficiti tregtar i Gjermanisë është një keqdashje e qëllimshme është hedhur poshtë në qarqet e politikave. “Do të ishte vërtet shqetësues fakti nëse do të kishim të bënim me një shtrembërim të politikës ekonomike”, deklaroi një zyrtar.
“Por nuk është”. Kufizimet e larta shpjegohen me faktin se janë gjëja e duhur dhe e matur për t’u bërë. Vendi ka nevojë të kursejë shumë, vazhdon argumenti, sepse ai po plaket më shpejt se vendet e tjera. Por jo të gjithë e shohin në këtë këndvështrim. Sipas FMN-së, suficitet tregtarë të Gjermanisë janë më të mëdha sesa mund të justifikohen ose aq sa do të dëshirohej, në mënyrë të tillë që të kishte stabilitet ekonomik global. Edhe pse kanë kaluar dekada të tëra, për arsye të ndryshme një dialogu ende vazhdon. “Çfarë kërkoni që të bëjmë, të eksportojmë më pak?”, shprehet një zyrtar tjetër, i lodhur nga ky debat.
Ajo që e bën këtë çështje të vështirë për t’u zgjidhur, apo edhe për t’u pranuar, është se suficitet e kursimeve të Gjermanisë nuk janë rezultat i një politike të qartë ekonomike.
Në vend të kësaj, rrënjët e saj janë pjesë e një model biznesi/ marrëveshjeje të heshtur nga e cila dalin në pah të dyja anët e medaljes së ekonomisë së Gjermanisë, si ajo e admiruar ashtu edhe ajo e kritikuar.
Modeli gjerman i zhvillimit
Për të kuptuar këtë model, duhet të kthehemi pas në kohë, në fund të viteve 1990, kur ekonomia po dështonte.
Papunësia ishte mbi 4 milionë, një e dhjeta e fuqisë punëtore. Pjesa e Gjermanisë në eksportet e mallrave po zvogëlohej. Llogaria rrjedhëse ishte në deficit.
Betejat e ekonomisë ishin pjesërisht si pasojë e zhvlerësimeve ndaj monedhës gjermane, kur spekulatorët thyen kufijtë e mekanizmit të kursit të këmbimit të Europës, një sistem që kufizonte luhatjet e monedhës. Porositë e shumta dhe vendet e punës që u humbën në industrinë e kapitalit të Italisë gjatë viteve 1990 janë pjesë e folklorit gjerman të biznesit.
Kjo gjendje frike u pasqyrua gjithashtu edhe në rritje të lartë të pagave, veçanërisht në Gjermaninë Lindore, pas ribashkimit në vitin 1990.
Krizat në Azi dhe Rusi, dy tregje të mëdha të eksportit për Gjermaninë, nuk ndihmuan aspak në përmirësimin e kësaj situate, por përkundrazi, problemet vetëm sa u zhvilluan edhe më shumë.
U bë rutinë t’i referohej Gjermanisë si “E sëmura e Europës”. Megjithatë, në atë situatë të zymtë dhe të pashpresë, një refleks i vjetër filloi të japë efekt.
Kur sistemi i normave fikse të këmbimit të Bretton Woods falimentoi në vitet 1970, marka gjermane u rimëkëmb, duke i bërë eksportet e Gjermanisë më të shtrenjta. Ky ishte edhe momenti kur industria gjermane gjeti një mënyrë për të rifituar konkurrencën. Dhe tani, ajo veproi përsëri në të njëjtën mënyrë.
Vlerat konkurruese
Firmat gjermane filluan të fitonin dalëngadalë aftësinë konkurruese të eksportit që kishin humbur në bumin e ribashkimit. Një matës i rëndësishëm i kësaj është kostoja e punës së njësisë relative të një vendi, e cila bie poshtë teksa pagat ulen, përmirësimi i produktivitetit në krahasim me vendet e tjera ose dobësimi i monedhës. Indeksi i Gjermanisë ra me 16% midis viteve 1999 dhe 2007, kryesisht për shkak të kufizimit të pagave.
Rritja e pagave ishte një normë modeste prej 1% në vit në periudhën midis viteve 2000 dhe 2007, në krahasim me mesataren e OBZHE-së prej 3.5%.
Ajo që e bëri të mundur një gjë të tillë, sipas një studimi të Christian Dustmann dhe disa bashkautorëve të tij nga University College London, ishte sistemi rrënjësor i marrëdhënieve industriale bashkëpunuese. Një tipar tjetër i rëndësishëm i sistemit është se sindikatat kanë përfaqësues në bordet e kompanive, të cilët mund të shohin se si rritja e pagave mund të dëmtojë konkurrencën.
Nga ana e tyre, firmat i shohin negociatat mbi pagën si një mjet për të ndjekur zona të tjera me interes të përbashkët, siç janë trajnimet ose orët fleksibël.
Marrëdhëniet e mira të punës, të qeverisura nga normat dhe jo nga legjislacioni, nënkuptonin atë që firmat duhet të ishin mjaft fleksibële për t’u përshtatur me sfidat e reja. Njëra prej tyre ishte edhe pranimi në BE i fqinjëve me kosto të ulët, duke përfshirë Poloninë, Hungarinë dhe Republikën Çeke.
Një tjetër ishte shfaqja e Kinës, si një eksportues me rëndësi globale. Deri në fund të viteve 1990, firmat dhe sindikatat kishin filluar të largoheshin nga një sistem i marrëveshjeve të pagave në nivel kompanie në atë ku paga do të caktohej në varësi të sfidave me të cilat do të përballeshin kompanitë individuale.
Një pasojë e mbështetjes së madhe në marrëveshjet e pagave në nivel të kompanive ishte një shpërndarje në rritje e pagave, ku pagat për punëtorët më të paguar u rritën më shpejt se mesatarja, ndërkohë që pagat e niveleve të ulëta ranë ndjeshëm.
Kostoja në rënie për prodhuesit e shërbimeve lokale, ku paga ishte më e kufizuar, luajti rol të madh në ringjalljen e eksportit të Gjermanisë.
Por kjo nuk ishte e gjithë historia. Në vitin 2002, Gerhard Schröder, kreu i Partisë Socialdemokrate, kërkoi një komision të kryesuar nga Peter Hartz, një ekzekutiv i Volkswagen-it, duke përfshirë drejtuesit e kompanisë dhe drejtuesit e sindikatave, për një projekt në lidhje me diskutimin e çështjes së papunësinë, e cila ishte në rritje. Propozimet, të cilat u bënë pjesë e një pakete më të gjerë reformash, të njohura si Axhenda 2010, u zbatuan në katër faza.
Plani i reformave, Hartz IV, hyri në fuqi në janar të 2005-s. Ai kufizoi në mënyrë kontroverse përfitimet për të papunët me afat të gjatë në një normë të sheshtë, pavarësisht nga të ardhurat e mëparshme. Për të përfituar nga përfitimet, të papunët duhej të tregonin se ishin në kërkim të vazhdueshëm për të gjetur punë.
Reformat vazhdojnë të festohen ende nga Mittelstand, legjioni shumë i admiruar i Gjermanisë për firmat me madhësi të mesme, kryesisht familjare.
Reforma
Në vitin 2002, Gerhard Schröder, kreu i Partisë Socialdemokrate, kërkoi një komision të kryesuar nga Peter Hartz, një ekzekutiv i Volkswagen-it, duke përfshirë drejtuesit e kompanisë dhe drejtuesit e sindikatave, për një projekt në lidhje me diskutimin e çështjes së papunësinë, e cila ishte në rritje. Plani i reformave, Hartz IV, hyri në fuqi në janar të 2005-s. Ai kufizoi në mënyrë kontroverse përfitimet për të papunët me afat të gjatë në një normë të sheshtë, pavarësisht nga të ardhurat e mëparshme. Për të përfituar nga përfitimet, të papunët duhej të tregonin se ishin në kërkim të vazhdueshëm për të gjetur punë.
Si u rimëkëmb
“Rrugëtimi nga ‘E sëmura e Europës’ në ekonominë numër një në botë është për shkak të Axhendës së Schröder-it në 2010-n”, shprehet Mario Ohoven, kreu i NVM-ve, shoqata Mittelstand. Por një sukses i tillë mbarti me vete edhe një kosto politike.
Partia Socialdemokrate humbi mbështetjen e forcës punëtore dhe, që prej asaj kohe, nuk ka ardhur më në pushtet.
Kultura e bashkëpunimit sjell me vete dy pasoja. Kur u goditën nga Recesioni i Madh, firmat në vende të tjera të pasura hoqën dorë nga punëtorët.
Ndërsa në Gjermani, kompanitë vazhduan t’i mbanin punonjësit e tyre, pavarësisht nga rënia që pësuan si në porosi, ashtu edhe në prodhim.
Në këtë rast, ata u ndihmuan nga miratimi i gjerë i llogarive të forcës punëtore, të përdorura për herë të parë në vitet 1990. Nëse punëtorët pranonim të punonin jashtë orarit, ata do të përfitonin pushime të paguara në një datë më të vonshme. Skemat e punës me kohë të shkurtër gjithashtu ndihmuan në kufizimin e dëmeve që mund t’u shkaktohej vendeve të punës.
Por përgjigjja nga Shoqata e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, ishte reflektim i një sistemi rregullash që ekonomia standarde i injoron, thotë Dennis Snoëer i Institutit Kiel për Ekonominë Botërore.
Firmat ishin bllokuar nga një marrëveshje e nënkuptuar me punëtorët e tyre.
Kufizimi i pagave e ktheu Gjermaninë sërish në pistë për të garuar, por me një kosto.
Ajo e ka lënë ekonominë më të paekuilibruar se kurrë më parë. Eksportet janë super konkurruese. Në vlerësimin e vitit të kaluar, FMN-ja tha se norma reale efektive e kursit të këmbimit të Gjermanisë u nënvlerësua me 10-20%. Ndërkohë që shpenzimet e konsumit, mbeten në depresion.
Pavarësisht rritjes së vendeve të punës, pjesa e PBB-së që shkon për ekonomitë familjare, ka rënë nga 65% në fillim të viteve 1990 në 60% ose më poshtë, në dobi të fitimeve të korporatave. Megjithatë, norma e kursimit të familjeve, nuk ka ndryshuar shumë dhe është aktualisht në 9.8%, pikërisht në përputhje me mesataren 20-vjeçare.
Si pasojë, pjesa e shpenzimeve të konsumit ka rënë në 54% të PBB-së, shumë më e ulët se në Amerikë apo në Britani. Nëse punonjësit do të paguheshin më shumë, ata mbase mund të blinin më shumë.
Kjo gjë nënkupton edhe ulje të eksporteve (sepse firmat do të prodhonin për një treg të brendshëm më të madh) dhe më shumë importe. Por Gjermania është bllokuar pa më të voglën shpresë, brenda një modeli që gjithmonë vendos eksportet përpara çdo gjëje tjetër.
Kosto politike
“Rrugëtimi nga ‘E sëmura e Europës’ në ekonominë numër një në botë është për shkak të Axhendës së Schröder-it në 2010-n”, shprehet Mario Ohoven, kreu i NVM-ve, shoqata Mittelstand. Por një sukses i tillë mbarti me vete edhe një kosto politike.
Partia Socialdemokrate humbi mbështetjen e forcës punëtore dhe, që prej asaj kohe, nuk ka ardhur më në pushtet.
Avantazhet teknologjike
Përgjigjja e parë e eksporteve ndaj vështirësive të fundviteve 1990, është përsosja e një modeli të provuar më parë dhe mbi të gjitha, të besuar nga gjermanët.
Aftësia e vendit në fushën e inxhinierisë do të thotë se për dekada të tëra, ajo ka pasur avantazh në ndërtimin dhe prodhimin e makinave luksoze, produkteve kimike dhe makinerive të ndryshme.
Të pasurit e këtyre industrive në nivele të tilla të larta kërkon një treg global, sepse një treg kombëtar është shumë i vogël për të pasur efikasitet.
Dhe natyrisht të pasurit e aftësive të tilla të veçanta bëri që Gjermania të kishte një ekonomi që udhëhiqet nga eksportet dhe jo nga shpenzimet e brendshme. Një numër i madh punësh me paga të larta u mbështetën tek eksportet, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo edhe tërthorazi. Suksesi i qëndrueshëm në një prodhim të tillë të lartë kërkon angazhim të madh për trajnimet profesionale, si dhe për fushën e kërkimit dhe të zhvillimit.
Në mënyrë të tillë që kompanitë gjermane të vazhdojnë të ecin përpara dhe të mbajnë një çmim premium për produktet e tyre duhet që fitimet të sjellin vazhdimisht risi.
Gjatë dekadave të ndryshme, këto kërkesa kanë formuar normat dhe institucionet që qeverisin ekonominë e Gjermanisë, sipas një studimi të hollësishëm nga David Soskice dhe David Hope, nga Shkolla e Ekonomisë në Londër dhe Torben Iversen, nga Universiteti i Harvardit.
Kufizimi i pagave në industritë e eksportit ishte një hap i rëndësishëm. Fuqia e negociatave të punëtorëve të kualifikuar e bën këtë të vështirë për t’u zbatuar.
Para se Gjermania t’i bashkohej Eurozonës dhe t’ia dorëzonte politikën e saj monetare Bankës Qendrore Europiane (BQE-së), banka qendrore gjermane Bundesbank veproi si mbikëqyrës. Pazaret e pagave inflacioniste do të “ndëshkoheshin” nga norma më të larta interesi.
Një përpjekje tjetër ishte një politikë e rreptë fiskale për të mbajtur pagat e sektorit publik në kontroll dhe në përputhje me ato të industrisë. Por shteti mbështeti trajnimin profesional për të siguruar një furnizim të mjaftueshëm të punëtorëve të kualifikuar.
Sipas z. Snower, kjo është një shoqëri me preferencë të lartë për stabilitetin në vend.
Ekziston një kulturë e përgjegjshmërisë, e nënshtrimit dhe respektimit të rregullave dhe një përbuzje e madhe ndaj rrezikut. Niveli i lartë i kursimeve ndihmon në mbrojtjen kundër një të ardhmeje të pasigurt.
Njerëzit punojnë shumë, por në këmbim të kësaj presin sigurinë e punës. Për ta siguruar një gjë të tillë, firmat kombinojnë operacionet e tyre të brendshme me impiantet që janë më fleksibël jashtë shtetit, të fituara nga përdorimi i fitimeve të tepërta.
Suksesi
Një numër i madh punësh me paga të larta u mbështetën tek eksportet, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo edhe tërthorazi. Suksesi i qëndrueshëm në një prodhim të tillë të lartë kërkon angazhim të madh për trajnimet profesionale, si dhe për fushën e kërkimit dhe të zhvillimit.
Dy janë ndryshimet që do t’i bëjnë kursimet që të arrijnë nivele edhe më të larta se në të kaluarën.
Së pari, konkurrenca nga tregjet në zhvillim me kosto të ulët ka bërë që sindikatat të jenë edhe më pak të gatshme për të kërkuar rritje të mëdha të pagave, sepse siguria e punës është gjëja më e rëndësishme.
Së dyti, kompanitë gjermane kanë më shumë mundësi për të ricikluar fitime më të larta në investimet brenda vendit..
Sipas Marcel Fratzscher nga Instituti Gjerman për Kërkime Ekonomike, gjysma e suficitit të llogarisë rrjedhëse gjermane pasqyron një “hendek të thellë nga fusha e investimeve”. Një ndër faktorët kryesorë të një situate të tillë është mungesa e investimeve publike. Ndërsa të tjerat janë shkaqe burokratike, një sistem taksash që nuk është i favorshëm për startup-et.
Firmat gjermane argumentojnë se ka më shumë kuptim investimi jashtë vendit, ku popullsia është në rritje, në krahasim me një treg të brendshëm në rënie relative. Të dhënat e mbështesin disi argumentimin. Sipas një studimi të Bundesbank, kthimet vjetore për Investimet e Huaja Direkte gjermane ishin në një nivel të mirë prej 7.25% midis 2005 dhe 2012.
Për më tepër, norma e investimeve vendase të Gjermanisë nuk është e dobët në krahasim me vendet e tjera. Në të vërtetë, është pjesa e shpenzimeve të konsumit ajo që duket e ulët. Peter Bofinger, nga Këshilli Gjerman i Ekspertëve Ekonomikë, që këshillon qeverinë, beson se ka një shpjegim më të thjeshtë për tepricat.
“E gjitha ka të bëjë me pagat”, thotë më tej ai. Kufizimi i pagës nuk është vetëm një problem për punëtorët gjermanë, veçanërisht për ata me pagë të ulët.
Vendet e tjera të Eurozonës duhet të mbajnë një normë edhe më të shtrënguar për rritjen e pagave, për të ulur përsëri konkurrencën e tyre.
Kjo sjell një paragjykim deflacioni në të gjithë zonën: pothuajse të gjitha vendet e Eurozonës tani kanë një suficit të llogarisë së tyre rrjedhëse. Kjo është edhe arsyeja se përse në pjesën më të madhe, inflacioni në bllokun e Eurozonës ka rënë nga targeti i BQE-së.
Rritja e nivelit të pagave në Gjermani mund të jetë një faktor pozitiv në shumë drejtime. Por a mund të ndodhë një gjë e tillë? Normat e pagave në vend janë subjekt i dy ndikimeve: negociatat e institucioneve dhe bazave ekonomike, thotë Henrik Enderlein nga Shkolla e Qeverisjes, Hertie, në Berlin.
Institucionet janë ngritur për të kufizuar pagat, gjë me të cilën janë shumë dakord punëdhënësit, ndërsa sindikatat negociojnë mbi një fakt të tillë nëse e kanë të sigurt vendin e punës. Por ekonomia është kundër gjithë kësaj.
Jo vetëm aq, me papunësinë nën 4%, tregu i punës është i ngushtë. Vendet e punës për popullsisë vendase ka shumë mundësi që të tkurren më shpejt se norma e emigracionit. Për herë të parë në dekada, firmat po përballen me mungesën e punëtorëve. Çmimet e shtëpive, të cilat kanë qenë të sheshta ose në rënie në terma realë për dekada me radhë, kanë shënuar rritje që prej vitit 2009.
Punëtorët, të cilët ishin të kënaqur për të ruajtur një nivel të caktuar të pagës kur çmimet e pronës ishin nuk kishin lëvizje, ka shumë mundësi që të kërkojnë për paga më të larta kur çmimet e shtëpive të rriten.
Për më tepër, normat e interesit janë të ulëta dhe nuk ka gjasa të rriten në një kohë të shkurtër: BQE-ja përcakton politikën monetare për Eurozonën, ku hendeku ekonomik është ende shumë i thellë dhe jo vetëm për Gjermaninë.
Problemet
Rritja më e shpejtë e pagave dhe çmimeve në Gjermani do të mirëpritej nga BQE-ja, e cila po pakësohet nga objektivat e saj inflacionistë për shkak të presioneve të dobëta të çmimeve në pjesën tjetër të Eurozonës. Ky është bumi i parë që Bundesbank nuk mund ta heqë, thotë Enderlein. Zakoni i kufizimit të pagave në mesin e drejtuesve të sindikatave vazhdon të ekzistojë, edhe pse ndikimi i tyre nuk është më aq i fortë saç ka qenë më parë.
Anëtarësimi në sindikata është ulur nga 35% e punëtorëve në 1990 në 18% në vitin 2013, edhe pse më shumë se gjysma e fuqisë punëtore varen nga marrëveshjet e pagave të ndërmjetësuar nga sindikatat. Rritja nominale e pagave vitin e kaluar me 2.3% mund të kishte qenë më e madhe nëse nuk do të ishte për inflacionin jashtëzakonisht të ulët të çmimeve të konsumit, prej 0.4% (në sajë të rënies në çmimin e naftës). Ankthi rreth ekonomisë së Kinës mund të ketë bërë që sindikatat të tregohen të kujdesshme.
Megjithatë, që nga viti 2010, Gjermania lidhet me Kanadanë për rritjen më të shpejtë të pagave midis vendeve të G7. Z. Enderlein pret që rritjet nominale të pagave gjatë viteve të ardhshme në Gjermani të jenë nga 3-4%.
Mundësia për rritje të produktivitetit do të jetë me 1% dhe inflacioni për njësinë e pagave do të jetë 2-3%.
Një rritje e tillë e pagave do të zhvendoste gradualisht kërkesën nga eksportet drejt konsumit. Një euro më e fortë do të ndihmonte shumë në këtë ribalancim.
Paguani ose pranoni kushtet?
Gjithsesi, zakonet e vjetra janë shumë të vështira për t’u ndryshuar. Disa vjet më parë, z. Bofinger argumentoi se mënyra më e mirë për të rivendosur ekuilibrin në Eurozonë ishte rritja e shpejtë e pagave në Gjermani, në vend të shkurtimeve të pagave në Europën Jugore. Ai u kritikua nga një udhëheqës i sindikatave, i cili arsyetoi se Gjermania do të humbiste vendet e punës në Kinë, si pasojë e një veprimi të tillë.
Impulsi për kujdes është i lidhur ngushtë me psikikën dhe institucionet e vendit. Reiner Hoffmann, udhëheqës i DGB-së, një federatë e madhe sindikaliste, thotë se çështjet kyçe për anëtarët e tij shkojnë përtej çështjes së pagës. Koha e punës fleksibël që u përshtatet interesave të punonjësve po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme.
“Pagat po negociohen nga sektori në sektor, prandaj fillimisht shikohet sesi punon çdo sektor”.
Në luftën ndërmjet kushteve të gjera ekonomike në Gjermani dhe institucioneve të kufizimit të pagave, i pari po fillon të fitojë mbështetje. Megjithatë, instinktet kombëtare kundër rritjes së pagave janë të frikshme.
Ekonomia e Gjermanisë ka shumë mbështetës: një suficit tregtar të mbivendosur; asete të huaja; një pjesë të lakmueshme të tregtisë globale; financat e forta publike dhe punësim të plotë. Megjithatë, udhëheqësit e saj të biznesit janë të shqetësuar për gatishmërinë e Gjermanisë ndaj ekonomisë dixhitale, prestigjin e markave luksoze në një botë makinash pa shofer dhe perspektivën e inflacionit më të lartë, kur normat e interesit mbeten kaq të ulëta. Fundamentalistët shprehen se Gjermania është vonuar prej shumë kohësh në rritjen e pagave.
Por sipas librit të pagave, një gjë e tillë nuk do të ndodhë shumë shpejt.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.