Nga Bardhi Sejdarasi*
PAK FJALË PËR HYRJEN
Revista “Monitor”, në numrin e saj të 629, i jep një hapësirë të konsiderueshme shprehjes së opinioneve të specialistit të njohur Eduard Gjokutaj, lidhur me ekuivalencën midis pagës minimale dhe rritjes ekonomike dhe punësimit. Duke e vlerësuar të lavdërueshme këtë qasje të revistës dhe të ekspertit të njohur, dua të theksoj se debati për çështje të tilla të ndjeshme është një e mirë publike, në fakt, që mund e duhet t’u shërbejë edhe administratorëve publikë, përveçse aktorëve të interesit.
Doemos që këndvështrimet janë diverse, po ashtu edhe opinionet, disa herë edhe studimet specifike në këtë fushë. E rëndësishme është që në referenca të merret në konsideratë edhe terreni konkret, “fusha e lojës” e vendit përkatës, ku mund të gjesh, të mbështesësh apo të kundërshtosh korrelacionin mes rritjes së pagës minimale dhe punësimit, por sidomos këtë të parën me punësimin e të rinjve (të atyre që hyjnë për herë të parë në tregun e punës).
Nëse vëzhgojmë me kujdes politikat e qeverisë “Rama” dhe sidomos aksionin agresiv të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për realizimin e programit të qeverisë në fushën e punësimit, të bie pikërisht në sy kjo gjë: nevoja për të rritur numrin e punëtorëve të rinj, nevoja për të “shqitur” nga skemat parazite të mbështetjes sociale të gjithë ata që mund e duhet të bëjnë një punë, nevoja për të punësuar deri në 300 mijë punëtorë të rinj, nga të cilët 40 mijë vetëm në sektorin e manifakturave.
Do të ndalesha te kjo e fundit, duke e shprehur qartazi, që në fillim, dakordësinë e plotë me ekspertin e njohur Gjokutaj, por vetëm me paragrafin e fundit të parashtesës së tij analitike. Nuk tentoj dhe as mundem të marr pjesë në diskutimin e modelimit të taksës së punës, apo atë të pagës në veçanti, kjo është një çështje ekspertësh dhe studiuesish të fushës. Por dëshiroj të sjell një këndvështrim konkret, që lidhet me çështje konkrete, me sektorë konkretë të ekonomisë. Pse?
PAGA MINIMALE DHE PAPUNËSIA
Pa dashur të teorizojmë lidhur me korrelacionin mes rritjes së pagës minimale dhe punësimit, dua të kujtoj se një sërë studiuesish të njohur në fushën e tregut ndërkombëtar të punës kanë argumentuar tashmë se ka një lidhje të zhdrejtë mes rritjes së pagës minimale dhe punësimit. Kujtoj se ende nuk ka një politikë të njehsuar europiane të rritjes së pagës minimale. Kujtoj gjithashtu që Gjermania, që nga viti 2004, debaton lidhur me aplikimin e pagës ligjore minimale, apo Britania e Madhe e ka vlerësuar futjen e një page ligjore të barasvlefshme me humbje masive të punës.
Nga 27 shtetet anëtare të BE-së, 18 nuk kanë një rrogë minimale ligjore (midis të cilave Danimarka, Gjermania, Finlanda, Italia, Austria, Suedia dhe Qipro). Në shumicën e vendeve të tjera, paga minimale është nën 50 për qind të të ardhurave mesatare bruto mujore (si në Luksemburg dhe Irlandë).
Por edhe në ato shtete të BE-së, ku ekziston një ligj i pagës minimale, zhvillimi i vërtetë i pagave karakterizohet nga dy prirje thelbësore. Në njërën anë, pagat kanë lënë prapa rritjen e produktivitetit. Nga ana tjetër, kjo ka kontribuar në dobësimin e konsumit privat dhe ka çuar në nivel të ulët zhvillimin ekonomik dhe të punësimit. (Schulten / Bispinck / Schäfer, 2006). Ekspertë ndërkombëtarë kanë konkluduar se rregullimi politik i pagave ka një efekt negativ në punësim. Që do të thotë se nuk ka konkurrencë të përsosur në tregun e punës, si në tregje të tjera. Nëse shteti ndërhyn në funksionimin e tregut me vendosjen e një page minimale dhe kjo është më e lartë se paga ekuilibër, kërkesa për punë bie. Si rrjedhojë, shënohet rritje e papunësisë, e cila dëmton veçanërisht grupet profesionale në segmentin e pagave të ulëta.
Pavarësisht këtyre rekomandimeve teorike e shkencore, në Shqipëri, paga minimale zyrtare në shkallë vendi është rritur në mënyrë anormale. Nuk ka pasur asnjëherë, asnjë studim të tregut të punës dhe të karakteristikave sektoriale të tij, sa herë është propozuar dhe është rritur paga minimale në shkallë vendi. Nuk ka ndodhur askund si në Shqipëri që paga minimale të ndryshojë tri herë brenda të njëjtit vit kalendarik, sikundër ndodhi pesë vjet më parë. Ka ardhur koha që Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të kërkojë atë që sot është bërë domosdoshmëri në Komisionin Europian: Krijimin e një komisioni të pavarur me përfaqësues të biznesit, akademikë dhe përfaqësues të sindikatave, që të analizojë efektet e pagës minimale dhe të pagave të ulëta në nivel kombëtar dhe sektorial. Një institucion i tillë do të kishte përparësi për të qenë në gjendje të ndërmjetësonte në mes të përfaqësuesve të interesave të ndryshme dhe të kontribuonte në arritjen e një konsensusi. Kjo do të rriste fizibilitetet politike e qëllimet afatgjatë të krijimit me ligj të një niveli pagash minimale, të studiuara në përputhje me Kartën Sociale dhe qëllimet e Strategjisë së Lisbonës, për sa i përket rregullimit të pagave minimale.
Duhet të kujtojmë së fundi se në studimin e ndërmarrë nga OECD për 17 vende në analizë, për një periudhën dhjetëvjeçare, një seri të dhënash që analizonin dallimet në sistemin e pagave minimale, vlerësonin përputhjen e pikëpamjes se pagat minimale mund të shkaktonin humbje të punësimit mes të rinjve.
Të dhënat mund të japin informacione potencialisht të vlefshme për mënyrën se si efektet e pagave minimale mund të bashkëveprojnë me politikat e tjera të tregut të punës, që mund ose jo të jenë të lidhura direkt me pagën minimale.
PAGA MINIMALE DHE SEKTORI I PËRPUNIMIT AKTIV
Biznesi që punon me mall të porositësit, me Fason, është i kategorizuar si biznes eksportues dhe që punon kryesisht, ose vetëm, për partnerë të huaj. Kjo marrëdhënie të punuari me material porositësi është e ndërtuar vetëm për shkak të krahut të lirë të punës dhe produkt i vetëm i saj është krahu i punës, i cili merr vlera, atëherë kur produkti i realizuar shkon në destinacionin e tij, që është porositësi i huaj. Duke qenë se kjo është një marrëdhënie kontraktuale me destinacion të caktuar dhe e porositur dhe se, zgjedhja e vendit tonë bëhet për shkak të standardit të ulët të jetesës, çmimi i përpunimit diktohet dhe vendoset, kryesisht, nga porositësi, përgjithësisht partnerë të huaj.
Në momentin kur kostoja e prodhimit rritet për shkak të rritjes së pagës minimale, e shoqëruar dhe me rritjen e taksave të punës, klienti i huaj do të detyrohet të largohet drejt tregjeve më të lira. Arsye për këtë transferim është dhe fakti se, transferimi i kapitalit, në rastin e industrive të tekstilit dhe këpucëve, është lehtësisht i realizueshëm dhe me kosto relativisht të ulët. Nga ana tjetër, ashtu siç është theksuar dhe herë të tjera për rastet e rritjeve të pagës minimale, (për shkak dhe të faktit se kjo industri nuk mund të operojë me çmimet e saj në treg), efektet negative të rritjes së pagës dhe të taksave të punës, nuk mund të kalohen në rritjen e çmimit të shitjes, por përballohen nga fitimi i subjektit përkatës.
Për të argumentuar këtë fakt, po marrim një shembull hipotetik: Në një situatë hipotetike të një biznesi fasonist me 50 punëtorë, në momentin aktual të taksës së tatimfitimit prej 15%, pagesa e tatimfitimit mesatarisht, sipas studimit të bërë nga DHKPVK, është rreth 4.500.000 lekë në vit, në nivelin e pagës minimale prej 22 000 lekësh, që presupozon se fitimi vjetor është 30 000 000 lekë. Në rast se do të shkohet në nivelin e pagës minimale prej për shembull 23 000 lekë, atëherë do të kishim një rritje të shpenzimeve për shembullin hipotetik si më poshtë:
– Diferenca e pagës minimale {(23000 – 22000) x 50} x 12 muaj = 600.000 lekë
– Diferenca e taksave të punës {[(23000 x 16.7%) – (22000 x 16.7%)] x 50} x 12 muaj = 10.020.000
Total rritja e shpenzimeve për 1 vit është 600.000 + 10.020.000 = 10.620.000 lekë
Shtoji kësaj dhe pjesën e taksave të punës që duhet ta paguajë punëmarrësi, por që për shkak të motiveve të ruajtjes së gjendjes së fuqisë punëtore ekzistuese dhe tërheqjes së fuqisë punëtore shtesë, e paguan punëdhënësi dhe që është:
– Diferenca e taksave të punës të punëmarrësit {[(23000 x 11.2%) – (22000 x 11.2 %)] x 50} x 12 muaj = 6.720.000 lekë
Realisht shpenzimet shtesë, për një vit, për efekt të rritjes së pagës minimale nga 22000 lekë në 23000 lekë, janë 17.340.000 lekë. Për shkak se kontrata është me të huaj, negocimi i vlerës së punës është pothuajse i pamundur dhe në shembullin tonë, ashtu siç ndodh dhe realisht, këto shpenzime do të prekin fitimin e ndërmarrjes. Për pasojë, fitimi i ndërmarrjes do të shkojë: 30 000 000 – 17.340.000 = 12.660.000 lekë.
Në këtë nivel fitimi, jo vetëm biznesi nuk ka interes më që të punojë, por dhe shteti nuk ka interes, sepse pjesa e tatimfitimit që i paguhet shtetit, do të jetë më pak për:
30.000.000 – ( 12.660.000 x 15%) = 28.101.000 lekë
Kjo sa argumentuam më sipër, është pjesa ekonomike e fenomenit, që pa diskutim çon në falimentim të ndërmarrjeve që punojnë me fason, por ekziston dhe ana morale e tij, e cila ka të bëjë me tregun rajonal të punës. Ndryshimet e herëpashershme të pagës minimale, bile dhe brenda të njëjtit vit kalendarik dhe ndryshimi që parashikohet të bëhet edhe në kushtet kur ka tregues të përkeqësuar, që vijnë jo vetëm nga kriza e sektorit, por edhe rritja e konkurrueshmërisë në rajon e më gjerë, të gjitha me imponim dhe jashtë formatit të ekonomisë së tregut, nuk bëjnë gjë tjetër, veçse e nxjerrin vendin tonë jashtë loje, duke humbur konkurrueshmërinë në treg. Për pasojë ne nuk mund të jemi konkurrues në tregun rajonal të punës dhe investimet e huaja do të drejtohen në tregje më të lira. Nëse doni të verifikoni këtë gjë, atëherë shikoni se cilat janë investimet në Serbi, Maqedoni, Kroaci, apo Malin e Zi dhe cilat janë lehtësitë që iu ofrojnë qeveritë e këtyre vendeve sektorit që punon me material porositësi.
PSE ARGUMENTOJ MOSRRITJEN E PAGËS MINIMALE?
Ja arsyet:
1. Në shoqëritë që punojnë me material porositësi (fason) në totalin e zërave të kostos, rreth 80% e zë zëri paga, 10% amortizimi e 10% kosto të ndryshme të aktivitetit. Kjo do të thotë që rritja e pagës minimale do të çojë në mënyrë automatike në rritjen e kostos dhe në ulje të fitimit.
2. Shoqëritë që punojnë me material porositësi (fason) punojnë me kontrata pune dhe nuk mund të bëjnë ndryshimin e çmimit të shitjes së vlerës së punës përpara skadencës së kësaj kontrate. Kjo do të thotë përsëri rritje të kostos. Gjithashtu nuk janë dominues në përcaktimin e çmimit.
3. Shoqëritë që punojnë me material porositësi (fason) janë të kushtëzuara në lidhje me çmimin për punën e kryer nga porositësi, pasi vlera e punës në koston totale të prodhimit për njësi, zë një peshë specifike rreth 25%. Në këtë mënyrë porositësi është superior dhe kërkon vetëm të blejë vlerën e punës aty ku është më lirë.
4. Shoqëritë që punojnë me material porositësi (fason) realizojnë një marzh fitimi mesatarisht nga 4% deri në 6%, që, me rritjen e kostos për x % nga rritja e pagës minimale, do të çojë në uljen e marzhit të fitimit me rreth x % Kjo do të thotë mungesë investimesh, mungesë të rritjes së biznesit, pamundësi për përmirësim të procesit teknologjik, pamundësi përshtatje me teknologjitë e avancuara, mungesë likuiditetesh etj.
5. Në shoqëritë që punojnë me material porositësi (fason), duke qenë se pjesën më të madhe të të punësuarve e zë kategoria femër, ka një lëvizje të punonjësve (largime të mundshme) me një koeficient shumë të lartë. Në këto kushte, këto shoqëri, në mënyrë të përhershme, kanë një numër të konsiderueshëm punonjësish të rinj, të cilët nuk japin rendimentin dhe cilësinë e duhur. Që një punëtore në këto shoqëri të arrijë të cilësohet e kualifikuar, i nevojitet të paktën një periudhë kohore prej rreth dy vjetësh. Kjo do të thotë që në këto shoqëri, një pjesë e konsiderueshme e pagës nuk kthehet në prodhim, nuk kthehet në fitim, pasi rendimenti është i ulët
6. Shoqëritë që punojnë me material porositësi (fason), për natyrën e procesit teknologjik, kanë një numër të konsiderueshëm të punësuarish dhe efektet financiare nga lëvizjet e pagave apo të detyrimeve për t’u paguar, janë shumë më të ndjeshme në krahasim me sektorë të tjerë.
7. Në kushtet e një krize globale, e një konkurrence të tregut aziatik apo edhe europian, shoqëritë me fason aktualisht janë shumë të rrezikuara ndaj falimentimit. Sot, tregu aziatik po ofron një kosto shumë të lirë të fuqisë punëtore dhe, jo vetëm kaq, por edhe me lehtësira ndaj investitorëve të huaj.
Konkretisht: Në Tunizi shteti ofron: Tatimi mbi fitimin për eksportuesit është 0% dhe pas 10 vjetësh aktivitet aplikohet 1.75%; Taksa doganore për çdo blerje nga importi për material porositësi aplikohet 0%; Taksa doganore për eksportues (80% e prodhimit shkon për eksport) aplikohet 0%; TVSH për eksportuesit aplikohet 0%; Kontributi nga shteti për investime aplikohet deri në 25%; Tarifa për dhënie ambientesh shtetërore me qira aplikohet 0. Ekzistojnë shkolla 3-6 muaj për përgatitjen e punëtorëve sipas profesioneve të ndryshme, si dhe pranohen specialistë nga firmat që janë të interesuara për profesione të caktuara të japin leksione në këto shkolla kundrejt pagesave të kryera nga shteti. Për të udhëtuar nga Italia në Tunizi nuk duhet më shumë se 20 minuta. Ka shërbim ajror 3 herë në ditë.
8. Shteti nuk duhet të ndërhyjë në marrëdhëniet midis punëmarrësit dhe punëdhënësit në përcaktimin e pagës, por duhet të krijojë lehtësira për këtë biznes, me qëllim forcimin dhe rritjen e tij, që në mënyrë automatike krijon mundësi për perfeksionim, garanci, cilësi dhe siguri për porositësin, fitim, që do të thotë rritje edhe të nivelit të pagës. Por kjo rritje duhet të bëhet në mënyrë të lirë, sipas rregullave të tregut dhe jo e imponuar nga shteti.
Sipërmarrja e këtij sektori ka arritur tashmë edhe një maturim, që duhet vlerësuar, jo vetëm në nivelin (brenda të gjitha standardeve) e cilësisë të BE-së, por edhe në këmbënguljen që ka për të punuar me cikël të plotë, pra për produkte të branduara “Made in Albania”.
ÇFARË KËRKON SOT SEKTORI I FASONIT LIDHUR ME PAGËN MINIMALE
Thënë shkurt: Ngrirjen e pagës minimale për një periudhë të paktën katërvjeçare, si një nga faktorët që ndikon edhe në rritjen e konkurrueshmërisë në rajon e më gjerë dhe që ka të bëjë me një shpenzim që llogaritet në rreth 80% të shpenzimeve të përgjithshme të kompanive fason. Dhe këtë e argumenton me faktin se ndërsa pagat mesatare te ne janë më të ulëta se në vendet e rajonit, paga minimale është e konkurrueshme me mesataren rajonale. Sipas specialistëve të fushës, ne kemi një pagë minimale afërsisht të barabartë me Bullgarinë dhe pak më të vogël se Rumania, ndërkohë që kemi PBB për frymë respektivisht 1.8 dhe 2.25 herë më të vogël se këto dy vende. Paga minimale dhe pagat në përgjithësi nuk janë rritur për shkak të burimeve të krijuara nga rritja e produktivitetit të punës dhe shtimi i pasurisë. Asnjë rritje page nuk është paraprirë nga një studim që ta përcaktojë atë. Këto politika kanë penguar hyrjen në treg të fuqisë punëtore të re në moshë. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, të punësuarit deri në moshën 30 vjeç zënë vetëm 11.6% të numrit të përgjithshëm të të siguruarve. Kujtojmë se në vitin 2013, numri i të punësuarve në sektorin privat shënon 83% të totalit të të punësuarve.
Sipas meje, konsultuar edhe me shumë ekspertë të fushës, rishikimi i politikave të pagave, pra zgjedhja e modelit të taksimit të pagës, duhet të ndjekë një nga pesë skenarët e mëposhtëm: i) Heqja e pagës minimale kombëtare dhe zëvendësimi i saj me pagën minimale sipas sektorëve, të negociuar midis punëdhënësve dhe punëmarrësve. (Ky model zbatohet në Austri, Finlandë, Suedi, Danimarkë, Islandë, Norvegji, Zvicër); ii) Ngrirja për një periudhë katërvjeçare e aplikimit të pagës minimale, në sektorët, të cilët gjenerojnë vende pune. Ky është skenari që garanton rritjen e punësimit, mundëson hyrjen në treg të fuqisë punëtore të re në moshë, të pakualifikuar. Për industrinë tonë, kjo masë shërben për rritjen e ndjeshme të të punësuarve. iii) Bllokimi i rritjes së pagës minimale. iv) Aplikimi i shkallëzuar i pagave minimale vetëm për grupmoshat e reja. v) Decentralizimi dhe diferencimi i pagës minimale sipas territorit dhe nivelit të varfërisë në kontekstet rajonale.
Diskutimi i sotëm i stimulimit të hapjes së vendeve të reja të punës nëpërmjet nxitjes së punësimit për kategori të caktuara në nevojë, nëpërmjet rritjes me 300% të fondeve të nxitjes së punësimit, nuk gjykoj se do të ofrojë pritshmërinë e kërkuar, jo thjesht sepse kjo praktikë ka qenë mjaft korruptive në të shkuarën dhe bizneset duan kohë të ndryshojnë imazhin korruptiv të aplikimit për marrjen e punëtorëve të rinj, por sepse praktika është mjaft burokratike dhe nuk ka ofruar ende lehtësitë e kërkuara nga sipërmarrja, edhe pse ka një përmirësim të dukshëm. Sot stimulohesh financiarisht për çdo punëtor të ri, por atë duhet ta gjesh vetëm te zyra e punës dhe duhet të konkurrosh për të përfituar. Ka edhe një formulë më të thjeshtë se kjo: Për çdo të punësuar të ri, pavarësisht nga vjen, shteti përballon taksën e punës dhe koston e formimit profesional dhe jep një bonus që mund të përcaktohet duke ditur se sa të hyra fiskale vijnë nga ky punësim. Por MMSR tashmë nuk e ka marrë në konsideratë këtë, ndërsa duhet të presim të shohim se cili do të jetë rezultati i Fondit të Nxitjes së Punësimit (që sivjet është 2,7 milionë USD, nga rreth 700.000 që ka qenë), por që numri i aplikuesve nuk është ende i kënaqshëm, pavarësisht promocionit agresiv të autoriteteve publike.
*Administrator i Përgjithshëm
Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.