Aktualisht, kompanitë minerare vazhdojnë të përballen me vështirësi në tërheqjen e financimit, rritjen e konkurrencës për përdorime të ndryshme të tokës, recesionin global, konkurrencën ndërmjet kompanive të mëdha dhe të vogla, fenomenet e reja në bursat e metaleve, etj.
Shumë nga subjektet tona minerare po punojnë nën kapacitetet e parashikuara, shumë subjekte minerare janë në procese gjyqësore dhe kanë ulur ritmin e prodhimit.
Rezervat ekzistuese të mineralit të kromit në disa objekte janë drejt shfrytëzimit përfundimtar të tyre dhe për të garantuar shfrytëzim të sigurt të kolonave mbrojtëse duhet të zbatohet me rigorozitet radha dhe drejtimi i shfrytëzimit nga subjektet fqinjë, si në planin horizontal po ashtu edhe në planin vertikal dhe duhet të kihet kujdes që subjektet të mos zhvillojnë aktivitet në zonat e rrezikshme. Shumë subjekte nuk lejohen të punojnë për arsye se sipërfaqet e lejes minerare nuk janë hequr nga fondi pyjor dhe kullosor.
Këto trende po krijojnë mungesë furnizimi në disa sektorë dhe rrisin nevojat në të tjera, që sfidojnë kompanitë minerare dhe i fton ato të rishikojnë strategjitë e tyre operacionale.
Fakti që dhe ne operojmë në këtë treg global duhet medoemos të hartojmë modele zhvillimi që t’u përgjigjen sfidave globale, rajonale dhe të vendit tonë. Objektivi i modelit të qëndrueshëm të zhvillimit për sektorin minerar duhet të krijojë një klimë të përshtatshme biznesi për tërheqjen e investimeve vendase dhe të huaja, nëpërmjet forcimit të zbatimit të ligjit dhe forcimit institucional të administratës.
Për interesin e sektorit, ky model zhvillimi në përgjithësi duhet ta çojë sektorin minerar drejt miradministrimit të kësaj pasurie kombëtare, si pasuri e papërtëritshme, planifikimit të integruar, duke dhënë drejtimet për zhvillimin e sektorit minerar; duke realizuar promovimin e zonave minerare mbështetur në hartën minerare dixhitale të burimeve minerale, sigurisë për zhvillimin e veprimtarive minerare, mbrojtjen e mjedisit, rehabilitimin dhe trajtimin e mbetjeve minerare; kontrollin për rrezikun minerar; rehabilitimin e karrierave të shfrytëzuara dhe të mbyllura; monitorimin postminerar të zonave minerare.
Burimet natyrore janë baza e plotësimit të pesë nevojave të domosdoshme të popullsisë, Ujë, Ushqim, Strehim, Energji dhe Komunikim – UUSEK. Kuptohet që për tre kërkesat e para është i nevojshëm dhe bashkëpunimi i organeve qendrore me ato lokale, që janë parësore në procesin e garantimit të tyre. Por, nëse do të flasim kryesisht për burimet minerale dhe energjetike, modeli që duhet hartuar duhet së pari të plotësojë sa më mirë këto kërkesa të popullsisë, në mënyrë të qëndrueshme pa luhatje dhe në afatgjatë me moton minerale dhe energji për një zhvillim të qëndrueshëm.
Më poshtë janë dhënë disa mendime në lidhje me 10 prioritete të zhvillimit të veprimtarive minerare, që duhet të përfshiheshin në modelin e zhvillimit të qëndrueshëm të veprimtarive minerare, ato do të ishin:
- Krijimi i një klime të përshtatshme biznesi për tërheqjen e investimeve vendase e të huaja në sektorin minerar, qeverisje të mirë, zvogëlimi i barrës rregullatore dhe rritja e efektivitetit administrativ nëpërmjet luftës kundër korrupsionit në administratë, forcimi i kapaciteteve teknike dhe infrastrukturës së institucioneve minerare, vlerësimin dinjitoz financiar e moral të tyre, për rritje dinamike të qëndrueshme për prosperitetin e ekonomisë shqiptare;
- Nxitja e veprimtarisë së kërkim-zbulimit për shtimin e rezervave të reja minerare dhe inkurajimi i investimeve privatë duke i orientuar ato në alternativa bazuar në diversitetin e pasurisë minerale të Shqipërisë;
- Përpunimi i thellë i produkteve minerare (fizik, metalurgjik, kimik, biologjik, etj.) për marrjen e të gjithë elementeve në një xeheror si elemente për shtimin e vlerës së mineralit në vend dhe rritjen e punësimit;
- Garantimi i një strukture efikase të ndërmarrjeve minerare të përgatitur për transformimin dhe ristrukturimin e kapitalit për ta mbrojtur atë nga konkurrenca fiktive dhe të aftë të realizojë shfrytëzim racional dhe të sigurt të burimeve minerale;
- Nxitja dhe mbështetja e bizneseve që aplikojnë teknologji të reja, automatizim, optimizim të proceseve për të përballuar me zbulimin, shfrytëzimin e trupave minerare që shkojnë më në thellësi dhe kanë një përmbajtje më të ulët të mineralit të dobishëm, kërkesave gjithnjë në rritje në drejtim të përdorimit të tokës dhe marrjen e të drejtave minerare, përballjes me rritjen e kostove, luhatjen e çmimeve apo konkurrencës në tregjet globale;
- Aktivitet minerar, me ndikim minimal në mjedis mbi bazën e koncepteve të reja mjedisore;
- Realizimi i planifikimit minerar me konceptet e planifikimit të territorit, ato krahasimore në efektivitetin që realizohet nga shfrytëzimi i atij territori për zhvillimin e aktivitetit minerar apo ndonjë aktiviteti tjetër, duke rivlerësuar investimet gabuara;
- Nxitja e pjesëmarrjes së ekspertëve të rinj në sektor dhe kualifikimin dhe rikualifikimit të atyre ekzistues;
- Rritja e transparencës së sektorit si në aspektin e veprimtarisë që kryhet, por dhe të të ardhurave që ai krijon dhe si shpërndahen ato, për eliminimin e informalitetit, mbledhjen reale të taksave, rritjes së përfitimit të shtetasve;
- Partnership real publik-veprimtari private, me konceptin e një situate përfitimi dypalëshe, për përballimin e çështjeve të perspektivës së afërt dhe shumëvjeçare duke vendosur në vendin e duhur aktivitetin minerar në konkurrencën rajonale dhe globale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.