Modeli i zhvillimit turk

14/04/2012 13:49 0 komente
turkey-hotels

Flet z. Muharrem Can, Atasheu Tregtar i Ambasadës Turke në Shqipëri.

 Performanca e mirë e ekonomisë turke bën që të shihet me interes jo vetëm për modelin ekonomik që ka zgjeruar, por edhe për mundësinë e tërheqjes së investimeve të huaja. Në Shqipëri, sipërmarrjet turke interesohen në fushën e hidro-energjisë dhe minierat

 

Ekonomia turke po rritet me shpejtësi, duke ngjallur kureshtjen dhe interesin për të pasur “sa më afër” këtë vend, në një periudhë kur ekonomitë më të mëdha po rriten shumë pak e nuk kanë likuiditete të mjaftueshme për të investuar. Rritja e qëndrueshme e ekonomisë turke (mesatarisht 7% në vit, që nga viti 2000) duket se i ka rrënjët në krizat e shumë kohëve më parë. Sipërmarrjet e qeverisë turke kanë qenë të të njëjtit mendim kur kanë kërkuar tregje të reja për eksport, kanë investuar në arsim dhe në rritjen e kapaciteteve përpunuese të ndërmarrjeve. Dy vite më parë, Turqia u vizitua nga 28 milionë persona, të cilët shpenzuan 20 miliardë dollarë. Por turizmi i forcuar nuk është kontribuuesi kryesor i PBB-së turke. Në 20 vitet e fundit, punishtet e vogla u konsoliduan dhe eksportet po rriten me ritme të larta. Vetëm për operacionet në spitalet turke, në vit shpenzohen deri në 4 miliard dollarë, ndërsa të rinjtë i shikojnë universitetet turke si një zgjidhje të mirë për t’u arsimuar. Atje numërohen 150 universitete. Turqia duket se nuk ka pretenduar vetëm të tërheqë të ardhura me bizneset brenda vendit. Pas Kinës e Amerikës, Turqia zë vendin e tretë në botë për sektorin e ndërtimit. Nga 100 kompanitë më të mëdha që investojnë në ndërtime në botë, 12 janë me kapital turk. Investitorët turq të ndërtimit janë të përqendruar kryesisht në vendet e Afrikës e Azisë dhe sigurojnë 25 miliardë dollarë të ardhura (më shumë se turizmi). Ku është bazuar modeli ekonomik turk dhe ku po orientohet interesi i investitorëve turq, kur flitet për një treg të vogël, por miqësor si Shqipëria? Flet z. Muharrem Can, Atasheu Tregtar i Ambasadës Turke në Shqipëri.

 

A mund të na bëni një vlerësim të përgjithshëm të ekonomisë turke?

 

Rritja ekonomike për Turqinë në vitin 2010 ishte në nivelin 8.5%. Mes periudhës 2000-2007, mesatarja vjetore e rritjes ishte 7%. Edhe pse në rënie, krahasuar me periudhat e mëparshme të vitit 2009 dhe 2010, Investimet e Huaja Direkte gjatë 2011-s kapën vlerën e 15 miliardë dollarëve. Në 2010-n, turizmi kontribuoi me 20 miliardë dollarë, me një fluks të hyrjeve të turistëve prej 28 milionësh. Në të njëjtën kohë, niveli i borxhit ndaj PBB-së ishte 43% (kur kriteri i Mahstrihtit është 60%).

 

Cili është modeli i ekonomisë së vendit tuaj. Në ç’fushë mbështetet më shumë rritja ekonomike dhe cilat mendoni se ishin politikat që patën ndikim?

 

Stabiliteti politik është faktori i rritjes ekonomike. Pas vitit 2003, Turqia ka përshfaqur të njëjtën pikëpamje ekonomike si në periudhat 1950-1960 dhe 1983-1989. Ekonomia turke ka treguar një performancë të kënaqshme me rritjen e saj të qëndrueshme në vitet e fundit. Strategjia e qëndrueshme makroekonomike, e kombinuar me politika të zgjuara fiskale dhe reforma të rëndësishme strukturore në fuqi që nga viti 2002, kanë integruar ekonominë e vendit tonë në botën e globalizuar, duke e shndërruar vendin në një nga përfituesit më të mëdhenj të investimeve të huaja në rajon.Alpha

Reformat strukturore, të përshpejtuara për pranimin e Turqisë në BE, kanë hapur rrugën për ndryshime të mëdha në disa fusha. Objektivat kryesore të këtyre përpjekjeve ishin për të rritur rolin e sektorit privat në ekonominë turke, për të rritur efikasitetin dhe elasticitetin e sektorit financiar, si dhe për të vendosur sistemin e sigurimit shoqëror në baza më të forta.

Turqia shënoi përmirësime të dukshme në një periudhë të shkurtër kohore, në klasifikimin e ekonomive botërore, si një ekonomi jashtëzakonisht në zhvillim, ekonomia e 16 më e madhe në botë dhe ekonomia e 6 më të madhe ndër vendet e BE-së, sipas shifrave të PBB-së gjatë viteve të fundit. Para recesionit të fundit botëror, i cili goditi të gjitha ekonomitë, ajo turke pësoi rritje të fortë ekonomike për 27 tremujorë rresht, duke u bërë ndër ekonomitë me rritje më të shpejtë në Europë.

 

Si ka ndikuar kriza e Eurozonës në ekonominë turke?

 

Veçanërisht pas vitit 2008, Turqia ka kërkuar tregje të reja për të shmangur efektet e krizës së Eurozonës. Për shembull, eksportet tona u rritën në vendet e Afrikës e disa vende të tjera më shumë se 100% çdo vit.

 

Çfarë mund të themi për shqetësimet e ekonomisë turke?

 

Pavarësisht se jemi ndër vendet me rritjen më të shpejtë ekonomike, Turqia po përballet me disa sfida si rezultat i përkeqësimit të ekonomisë globale. Efektet e krizës në Turqi kanë qenë të kufizuara (asnjë bankë nuk kaloi në kolaps, asnjë kompani sigurimi nuk ka falimentuar), ende mbetet pasiguria e klimës ekonomike botërore.

Pavarësisht krizës aktuale, e cila është një simptomë e problemeve të pazgjidhura politike tek fqinjët tanë, si Iraku, Irani dhe Siria, Turqia ka arritur të jetë vendi i dytë eksportues në Iran, dhe i pari në Irak. Tregtia me fqinjët është bazuar në rritjen e marrëdhënieve ekonomike dhe bashkëpunimit të sigurt, por ndërsa situata politike në ato vende përkeqësohet, ky raport mund të marrë drejtim tjetër.

 

Si i shikoni marrëdhëniet ekonomike të Shqipërisë me Turqinë?

 

Marrëdhëniet midis vendeve tona kanë qenë tradicionalisht miqësore për shkak të faktorëve kulturorë dhe historikë. Edhe marrëdhënia ekonomike është forcuar gjatë viteve të fundit. Ne kemi bazën themelore për marrëdhëniet tregtare dypalëshe që është “Marrëveshja e Tregtisë së Lirë”, nënshkruar në vitin 2006. Për të plotësuar kuadrin ligjor të marrëdhënieve dypalëshe tregtare dhe ekonomike, Turqia dhe Shqipëria kanë nënshkruar edhe një sërë marrëveshjesh. Në vitin 2011, Turqia ishte e dyta për eksportet shqiptare. Në dy muajt e parë të këtij viti, eksportet turke në Shqipëri janë rritur 15%. Në fund të këtij viti, shpresoj se Turqia do të jetë një nga tre vendet më të mëdha eksportuese. Gjatë vitit të kaluar, Shqipëria ishte vendi i 88 furnizues i mallrave për Turqinë.

 

Si e shikojnë investitorët turq tregun shqiptar dhe në cilat fusha janë më shumë të interesuar?

 

Turqia është një prej investitorëve më të mëdhenj në Shqipëri. Investimet direkte të vendit tonë në Shqipëri janë në fushën e telekomunikacionit, në sistemin bankar, ndërtim dhe në fushën e minierave. Ndër kompanitë tona më të rëndësishme mund të përmendim Bankën Kombëtare Tregtare, “Eagle” dhe “Albtelecom”, “Kurum”, kolegje turke dhe universitete në fushën e edukimit, etj.

Tregu shqiptar është shumë i rëndësishëm për investitorët shqiptarë, veçanërisht në miniera e energji. Është një kompani, e cila po investon në hidro-energji dhe disa të tjera janë duke planifikuar të investojnë në fushën e minierave. Pra, duket se Shqipëria është një treg premtues për kompanitë turke.

 

Çfarë potencialesh të tjera mendoni se ofron Shqipëria për Turqinë?

Alpha

Çdo vit, mijëra qytetarë shqiptarë shkojnë në Turqi si turistë dhe për të bërë blerje. Çdo ditë, biznesmenë turq vijnë në Shqipëri, duke kërkuar mundësi të shkëmbimeve tregtare dhe mundësi investimi. Do të doja që më shumë turq të vinin në Shqipëri si turistë, pasi këtu ka vende të bukura, të cilat më pëlqejnë shumë, si Berati, Gjirokastra e Pogradeci.

 

Cili mendoni se mund të jetë ndikimi direkt i misionit të fundit ekonomik të biznesit e Kryeministrit shqiptar?

 

Takimet dypalëshe ashtu si edhe misionet ekonomike mes dy vendeve luajnë rol të rëndësishëm jo vetëm në politikë, por edhe në fushën e ekonomisë. Ato prezantojnë avantazhet dhe fushat me potencial investimi të çdo vendi. Ajo tregon për një rritje të interesave kombëtare dhe ndihmon për të rritur shkëmbimet tregtare mes dy vendeve. Unë mendoj se misioni ekonomik i qeverisë shqiptare do të zhvillojë më tej marrëdhëniet tona ekonomike dhe do të çojë në një zgjerim të gjatë ekonomik.

 

 

 

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.