Zak Topuzi, kryetar i sektorit të hotelerisë në Shoqatën Shqiptare të Turizmit, është i bindur se Tirana ka potencial për të zhvilluar turizmin e kongreseve. “Ka qenë kërkesë e industrisë që Tirana të ketë një Qendër Kongresesh, pra për të pasur mundësi tërheqjen e fondeve të mëdha për këto organizime. Pallati i Kongreseve është një mundësi që me pak investime mund ta kryejë këtë funksion dhe sigurisht do të duhen një zinxhir hotelesh.
Për një kryeqytet është aset të plotësosh standardet për këto lloj aktivitetesh. Sigurisht duhet të vazhdohet paralelisht të ngresh produkte turistike, që Tiranën ta kthesh në një qytet me 365 ditë turizëm”. Ai sjell shembullin e Korçës, që ka krijuar një potencial turistik me llojshmëri produktesh, por ka mbetur prapa me standardet e mungesën e shtretërve të akomodimit, teksa ish-hotel Turizmi është në gjendje të mjerueshme. Topuzi rekomandon që do të duhej një hotel me të paktën 150-200 shtretër cilësorë me 3* për të tërhequr grupet turistike nga vendi, por edhe rajoni. Kryesisht në fundjavë, gjatë gjithë vitit, nuk gjen hotel.
Ulja e TVSH-së së turizmit në 6% është një shans që industria të ketë çmime konkurruese.
Sipas të dhënave të INSTAT, vitin e kaluar, Shqipërinë e vizituan një rekord prej 4.5 milionë turistësh, ndërsa dhe të ardhurat nga turizmi arritën një rekord prej 1.5 miliardë eurosh, sipas Bankës së Shqipërisë. Është zgjatur dhe periudha që të huajt qëndrojnë në Shqipëri, nga 5.3 ditë-net qëndrimi në 6.3.
Sipas burimeve nga Ministria e Ekonomisë dhe Turizmit, Shqipëria sot ka një kapacitet prej 66-67 mijë shtretërish, ndërkohë që kërkesa arrin deri në 100 mijë.
Por, ekspertët e tregut janë të mendimit që Tirana nuk ka më nevojë për hotele të shtrenjta. Ata paralajmërojnë se investimet në hotelerinë e luksit do të kenë mbikapacitete dhe do të shtrembërojnë konkurrencën nëse Investimet e Huaja Direkte nuk ecin me të njëjtin ritëm. Ata pohojnë se, ekonomia shqiptare nuk po përjeton një bum investimesh në atë masë që të lulëzojnë hotelet që strehojnë menaxherët. Por vërehet se ka një kërkesë në rritje për grupet e turizmit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.