60 vjet më parë, Tajvani ishte veçse një vend i varfër dhe i pazhvilluar, i mbështetur te bujqësia. Sot është i zhvilluar me infrastrukturë moderne, i orientuar nga teknologjia, duke u bërë prodhuesi më i madh i semi-konduktorëve në botë. Si u arrit të transformohej ekonomia në pak dekada…
Nga Ornela Liperi
Kur marinarët portugezë kaluan në një ishull pranë Azisë Lindore në vitin 1544, të mahnitur nga ajo që panë, e quajtën atë “Ilha Formosa”, që do të thotë ishull i bukur. Vite më vonë, tregtarët holandezë e përdorën ishullin e bukur, që njihet me emrin Tajvan, si një bazë për tregtinë me Japoninë dhe bregdetin e Kinës. Pozicioni strategjik në mes të një zinxhiri ishujsh që shtrihen nga Japonia në veri te Filipinet në jug dhe vetëm 160 km nga Kina e bënin atë një urë ideale drejt Kinës Lindore.
Shekuj të tërë kolonizimesh e pushtimesh nuk arritën të zbehnin bukuritë e Tajvanit dhe as të zhduknin kulturën dhe historinë e tij. Përkundrazi, ai u ringrit gjithnjë e më i fortë, i ndihmuar nga kultura dhe vullneti i njerëzve të saj për të punuar e për të ecur gjithnjë përpara, për t’u bërë sot një nga vendet model për ritmet e zhvillimit dhe shndërrimin e ekonomisë nga e prapambetur bujqësore në pararojë të teknologjisë së lartë.
Në dekadat e fundit, Tajvani ka parë një zhvillim ekonomik dhe industrializim, që jo vetëm e kanë transformuar atë në një nga tigrat e Azisë, por që gjithashtu kanë ofruar një model ekonomik, që është replikuar me sukses nga ekonomitë e tjera rajonale.
Pikërisht për të njohur zhvillimin ekonomik të Tajvanit, por edhe kulturën e tij, Ministria e Jashtme e Tajvanit ftoi një grup gazetarësh nga Europa Juglindore e Qendrore. Infrastruktura tejet e zhvilluar ishte kontakti i parë me vendin jo vetëm të largët në distancë, por edhe në njohuri për pjesën më të madhe të gazetarëve që vinin nga shtete si Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Sllovenia, Rumania e deri nga Estonia. Për të hyrë më pas dalëngadalë në detaje pas takimeve të shumta me drejtues të Ministrisë së Jashtme, Këshillit të Zhvillimit Ekonomik, institucioneve ‘think-tank’ e deri te qendrat kreative e kulturore që mbanin të gjallë kulturën shumëshekullore të vendit.
Vitet 1950 ishin pikë kthese për vendin, që nuk ishte i bekuar me burime të shumta natyrore dhe ¾ e sipërfaqes së tij i kishte malore. Bujqësia në atë kohë zinte 32% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, dhe kjo i mundësonte vendit të kishte të ardhura minimale për frymë, prej vetëm 208 dollarësh. Por Tajvani kishte burime të shumta njerëzore (me 648 persona për kilometër katror ai është një nga vendet me popullsi më të dendur në botë), investimi efektiv te të cilët u kthye në çelësin për zhvillimin e suksesshëm ekonomik.
“Tajvani u transformua nga një vend bujqësor në të industrializuar përmes politikave të qeverisë”, pohoi z. Chen-fu Lin, zëvendësdrejtor i përgjithshëm në Departamentin e Shërbimeve Ndërkombëtare të Informacionit në Ministrinë e Jashtme. “Qeveria u orientua drejt nxitjes së zhvillimit të teknologjisë së lartë, kërkimit të produktit, promovimit të aftësive dhe edukimit, që është shumë i mirë. Rriti bashkëpunimin me Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara për të sjellë njohuritë”, shpjegoi z. Lin.
“Për 50 vjet, Tajvani është rritur mesatarisht 7.7% në vit”, thotë Connie Hui-Chuan Chang, drejtore e përgjithshme në Këshillin Kombëtar të Zhvillimit, e cila tregon dhe fazat e zhvillimit ekonomik që kaloi vendi. Ndërsa në vitet 1946-1952, vendi vuante nga inflacioni i lartë dhe papunësia, në vitin 1953 u hartua plani i parë i zhvillimit ekonomik, u zbatua reforma e tokës, u zhvillua industria, që nxiti zëvendësimin e importeve dhe krijoi mundësi pune. Në vitet 1970 u kalua në strategjinë e konkurrencës në tregjet ndërkombëtare, përmes lehtësimit të taksave për kompanitë e huaja dhe krijimit të tre zonave të lira të eksporteve. Në fillim të viteve ’80 u kalua drejt industrisë së rëndë dhe kimike dhe u zbatuan projekte të mëdha në infrastrukturë, që ndikuan në kapërcimin e krizës globale të naftës. Sot, në sajë të infrastrukturës së zhvilluar, çdo cep i vendit mund të arrihet me tren.
Vitet 2000 i përkasin zhvillimit të orientuar nga teknologjia. U promovua novacioni, sistemi arsimor, dhe Tajvani u bë prodhuesi kryesor i shumë produkteve IT, duke qenë sot i rëndësishëm në zinxhirin e furnizimit të produkteve të teknologjisë së informacionit. Vendi po ndërton aktualisht infrastrukturën dixhitale, po nxit novacionin dhe krijimin e start-up nga të rinjtë, duke shtruar rrugën drejt ekonomisë dixhitale.
Si rrjedhojë e këtij zhvillimi të vrullshëm, të ardhurat për frymë të Tajvanit arritën në 22.6 mijë dollarë në vitin 2014, ndërsa pesha e bujqësisë ra në vetëm 2%. Tajvani renditet i 33-ti në botë për të ardhurat për frymë. Sot, 50% e eksporteve të vendit i përbëjnë produktet e teknologjisë së lartë, teksa shpenzimet totale për kërkim dhe zhvillim zënë 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndër më të lartat në botë, pas Koresë së Jugut e Japonisë. Vendi renditet i 11-i në raportin e Bankës Botërore “Të bësh biznes 2016” dhe i 15-i në Indeksin e Konkurrueshmërisë së Forumit Ekonomik Global.
Por, si çdo vend i zhvilluar, edhe Tajvani përballet me sfidat e veta. Rritja ekonomike në vitin 2015 ishte afër 1%, e ndikuar nga ngadalësimi i tregtisë ndërkombëtare me të cilin vendi është ngushtësisht i lidhur. “Është normale që si vend i zhvilluar nuk mund të presim më rritje 7-8% në vit”, thotë znj. Chang. Një tjetër sfidë është plakja e popullsisë, që ka nxitur masat për kujdesin shëndetësor, reformën në sistemin e pensioneve dhe rritjen e moshës së pensionit. “Sistemi i kujdesit shëndetësor është ndër më të mirët në botë dhe mbulon pothuajse gjithë popullsinë”, tregon znj. Chang.
Ftohja me Kinën, pas zgjedhjes së presidentes së re vitin e kaluar, është një tjetër sfidë. Kina është pritësi i 40% të eksporteve tajvaneze, ndërsa turistët kinezë, vizitat e të cilëve kanë rënë ndjeshëm me rreth 40% vitin e fundit, janë një burim i mirë i hyrjes së valutës në vend. Vendi po tenton të diversifikohet duke nxitur turistët nga shtete të tjera të Azisë.
E ardhmja
Në Këshillin Kombëtar të Zhvillimit janë të zënë këto kohë. Ata po hartojnë fazën tjetër të zhvillimit të ekonomisë. “Reformat strukturore do të jenë të vazhdueshme, ndërsa vëmendja është te risitë dhe gjetjen e rrugëve të reja për të pasur novacion në produktet tona”, thotë znj. Chang. Në fokus do të jenë kompanitë start-up. “Individët e talentuar, nëse nuk arrijnë të gjejnë punë në kompanitë e mëdha, mund të hapin kompanitë e tyre. P.sh., aplikimet për iPhone, që zhvillohen nga të rinjtë janë tendencë në të gjithë botën”, thotë ajo.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.