Agjencia financiare Moody’s në analizën e rradhës vjetore për Shqipërinë, duke listuar disa nga problematikat e vendit tonë nga aspekti ekonomik, deklaron se situata për ne vlerësohet me B1 të qëndrueshme.
Sipas raportit, konsolidimi fiskal i ndërmarrë nga Qeveria shqiptare dhe marrëveshja 3-vjeçare me Fondin Monetar Ndërkombëtar kanë balancuar përkeqësimin fiskal të vendit në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në Qershor të vitit 2013. Gjithashtu, Shqipëria sipas këtij raporti, ka bërë përparime në luftën kundër korrupsionit.
Megjithatë, ata shprehen se përafrimi me standartet e BE-së ka pengesa dhe do kohë që të realizohet.
Sfidat e Shqipërisë sipas Agjencisë lidhen me nivelin e lartë të borxhit publik, i cili sipas tyre në 2015 pritet të arrihet 73 %. Po ashtu, edhe një rënie e nivelit të remitancave mund të rriskojë më tej ekonominë.
Ndikim në ekonomi ka edhe maturimi i eurobondit 300 mln euro në 2015, megjithatë vlerësohet përpjekja e qeverisë për të përmirësuar strukturën e borxhit publik.
Ata deklaruan se reformat gjithëpërfshirëse e Shqipërisë në sektorin energjetik, që do të zbatohen me mbështetjen e Bankës Botërore, janë thelbësore në përmirësimin e klimës së biznesit dhe në parandalimin e “grumbullimit” të borxheve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.