Konstantinos Kipreos, zv.president – zyrtar i lartë i kredisë në Moody’s Investors Service, argumentoi se sistemi bankar bullgar po rimëkëmbet ngadalë pas krizës së kolapsit të Bankës Tregtare të Korporatës (BTK) në vitin 2014.
Marco Zaninelli, analist kryesor për Bullgarinë dhe vendet e tjera të Europës Qendrore dhe Lindore (EQL) në Moody’s, ka shtuar se reformat e nisura nga qeveria bullgare në detyrë pritet të balancojnë zhvillimet negative të 2014-s.
Sipas Kipreos, kushtet operative për bankat në Bullgari mbeten sfiduese, sidomos përballë borxhit të lartë në sektorin e korporatave që arrijnë 110% të PBB-së së vendit, e cila është më shumë se dyfishi i nivelit në vendet e tjera të Europës Qendrore dhe Lindore.
Megjithatë ka edhe zhvillime pozitive, ndërsa ekonomia bullgare po rimëkëmbet ngadalë dhe po bëhen përmirësime në rregullimin dhe mbikëqyrjen bankare të vendit.
Kipreos tha se rritja e pritshme ekonomike prej 1.7% në vitin 2015 është nën potencialin e ekonomisë së vendit, me një përmirësim të vogël të parashikuar në vitin 2016.
Sipas tij, shkalla e papunësisë prej 10% mbetet relativisht e lartë në krahasim me vendet e tjera, por ka përmirësime në tregun e punës.
Një tjetër zhvillim pozitiv është stabilizimi i çmimeve të pasurive të patundshme, që po ofron përkrahje shtesë për sektorin bankar.