Punësimi po preket nga globalizimi dhe teknologjia si shumë sisteme të tjera, duke krijuar dinamika të reja në mënyrën se si ai funksionon. Statistikat në Shtetet e Bashkuara në Amerikë tregojnë disa fakte interesante për filozofinë dhe orientimin që do të kenë burimet njerëzore në të ardhmen, por edhe një këndvështrim që intrigon një mënyrë të re komunikimi në këtë treg.
- Në SHBA janë 3 milionë vende të lira pune dhe 11.8 milionë persona të papunë.
- Koha mesatare që shpenzon një rekrutues në studimin e një CV është 5 deri në 7 sekonda.
- 76% e CV-ve nuk merren në konsideratë për arsye të adresave joprofesionale të email-it
- Në vitin 2000, 22% e CV-ve janë dërguar me email ose në faqet e internetit. Në vitin 2014, kjo përqindje është rritur, 90% dërgohen në mënyrë elektronike.
- Vetëm 35% e aplikantëve janë të kualifikuar për punën që ata aplikojnë.
- Programi kompjuterik që regjistron aplikantët, është në gjendje të eliminojë automatikisht shumë shpejt 75% të aplikantëve. Applicant Tracking Softëare
- 427,000 CV publikohen në faqen e internetit Monster.
- 68% do ta gjenin punën në Facebook.
- Janë 15 milionë organizata të regjistruara në Facebook.
- 18,400,000 aplikantë e kanë gjetur punën në Facebook.
- 10,200,000 aplikantë e kanë gjetur punën në LinkedIn.
- 89% e rekrutuesve i kanë gjetur punonjësit në LinkedIn.
- 8,000,000 aplikantë kanë gjetur punë nëpërmjet Twitter.
- 93% e rekrutuesve kanë të ngjarë të shohin profilin e kandidatit në mediat sociale.
- 43% e punëkërkuesve kanë përdorur celularët për të kapur një punë dhe 7% e tyre kanë qenë duke kërkuar gjatë kohës në tualet.
- Ndërkohë që koha mesatare e një interviste është 40 minuta, 33% e 2000 supervizorëve të intervistuar kanë thënë se ata e kanë piketuar kandidatin që do të merrnin që në 90 sekondat e para të takimit me të.
Pa dashur të përmendim fjalën globalizim dhe ndryshimet teknologjike, sepse është bërë e lodhshme si kryefjalë e të gjitha reformave në disiplina të ndryshme, do të thoshim se progresi apo përmasat që ka marrë komunikimi në tregun e punës po sjell ndryshime të mëdha në përmirësimin e gjithanshëm të tij. Kjo sjell edhe një përgjigje të shpejtë me reagime në kohë reale të parametrave të tij kundrejt të gjithë indikatorëve, gjë e cila shkakton dhe dinamika të reja në ekonominë e vendit në përgjithësi. Besojmë se ndikime më të vogla ndihen në atë segment të tregut të profileve të thjeshta si punëtorë të krahut, e cila do të jetë më pak e integruar në këtë nivel teknologjik komunikimi.
Për individin ose kompaninë, kërkimi i një pune ose punonjësi është sikur del dhe kërkon një “produkt” të mirë (një punëdhënës me prestigj që paguan shumë), por ky “produkt” ka një çmim, sa më i mirë aq më shtrenjtë e paguan dhe kjo ka të bëjë me aftësitë që ke në shkëmbim të pagës, kapacitetin dhe investimin që ke bërë ndër vite në karrierën tënde. Po tregu ku ndodhet? Normalisht të gjitha njoftimet në media apo agjenci punësimi, faqet e internetit që përmenden më sipër duhet të përdoren për të komunikuar nevojën për vende pune. Kjo e fundit është pa asnjë kosto dhe shumë e dobishme, sepse këto rrjete kontaktesh kanë shumë efektivitet. Me një kërkim fare të thjeshtë në internet të dalin të gjitha kompanitë që kanë afishuar një vend të lirë. Bëni një listë të gjatë me të gjithë personat që njihni, ndërtoni një account dhe përforconi kontaktet në LinkedIn. Kjo duhet, pasi vihet re se shumë kompani hezitojnë të bëjnë njoftime pune. Thuhet se rreth 80% e vendeve vakante të punës nuk dalin si njoftime. Deri tani ka rezultuar se mënyra më efektive për të gjetur punë, është duke iu drejtuar miqve.
Në të njëjtin studim ata kanë zbuluar se gabime joverbale si ato të renditura më poshtë janë disa nga arsyet që mund të bëjnë të eliminohesh në intervistë:
- 70% thanë se aplikantët ishin shumë modernë ose trendy.
- 67% treguan se aplikantët shmangën kontaktin me sytë.
- 55% nga mënyra se si një kandidat ishte veshur, vepronte apo ecte kur hynte në derë
- 47% ishin ata që kishin pak ose aspak njohuri mbi kompaninë në të cilin po aplikonin.
- 38% kishin lidhje me cilësinë e zërit dhe besimin në vetvete si dhe me mungesën e buzëqeshjes.
- 33% për qëndrim të papërshtatshëm të trupit.
- 26% sepse shtrëngimi i dorës ishte shumë i dobët.
- 21% për kryqëzimin e krahëve përpara vetes gjatë intervistës.
Si mund të merret një vendim i tillë në më pak se dy minuta? Në pjesën e dytë të këtij studimi, janë disa nga arsyet që ndikojnë te një intervistues për të refuzuar një kandidaturë, shifrat janë befasuese. Nëse shikojmë natyrën e arsyeve, ato nuk kanë asnjë lidhje me përgatitjen profesionale të kandidatit. Kjo tregon se janë edhe disa detaje të tjera përveç dijeve që mbështetin një kandidaturë. Këto arsye duken tërësisht banale, ndoshta dhe sipërfaqësore nga ana e menaxherëve. Megjithatë, realiteti na çon të ngremë disa pyetje. Pse nuk e duam një person trendi? Pse nuk do të ishte një kandidaturë e mirë një person që sheh poshtë e lart dhe jo në sy? Ndoshta një detaj i tillë na tregon se ne duam njerëz të pjekur, jo shumë ekzibicionistë, trendy mendojmë është fjala për ekstravagancë, jo tradicionale, diçka që pëlqehet nga brezat e rinj dhe nuk tregon qëndrueshmëri, është në kërkim të gjërave të reja, është e kundërta e konservatorit. Ndërsa kontakti me sytë tregon një marrëdhënie të shëndetshme me tjetrin. Mungesa e kontaktit me sytë është një barrierë, një mënyrë për të qenë i mbyllur, jo domosdoshmërisht për të fshehur një faj, por ndoshta për të fshehur një pasiguri etj. Sa e dëshiruar është kjo? Në çdo ambient pune, ne kërkojmë komunikim, sa më shumë komunikim, mungesa e kontaktit me sy nuk premton shumë.
Pikat e tjera tregojnë se gjuha e trupit përsëri ndikon dhe na përfaqëson. Ndoshta me pa të drejtë, por në ato momente takimi me njerëz të panjohur (kandidatët) të bën t’i drejtohesh intuitës. Shumë specialistë mendojnë se gjuha e trupit nuk është e jashtme, por vjen së brendshmi. Ka raste që këto nuk kanë lidhje, nuk tregojnë asgjë. Gjithsesi ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për efektin që ka shtrëngimi i dorës apo mënyra si hyjmë kudo që takojmë njerëz të rinj dhe të panjohur, sidomos kur ata kanë në dorë të ardhmen e karrierës.
Shumë njerëz interesohen për gjuhën e trupit dhe e përdorin atë për të përkthyer gjeste apo qëndrime në realitetin e brendshëm të personave me të cilët kontaktojnë. Kjo është një mënyrë shabllone e trajtimit të thelbit për të cilin po flasim. Në fakt, ne duhet të dimë qëndrimet tona joefektive ose që lënë përshtypje negative, që t’i shmangim ato dhe të mos bëhen pengesë në komunikim. Ata që lexojnë gjuhën e trupit janë shumë më të specializuar dhe të trajnuar për këtë, e megjithatë vendosin një përqindje gabimi.
Po cila është formula për një intervistë të suksesshme? Të kërkosh punë është një aftësi më vete. Së pari, duhet të identifikoni një apo dy arritje tuajat. Mundësisht dhe një histori për secilën. Mos bëni gabime në CV, njihuni me të rejat e fundit në fushën ku operoni dhe sidomos për kompaninë ku aplikoni. Në një studim thuhet se 36% e menaxherëve kërkojnë aftësi multy tasking, 31% persona me iniciativë dhe 21% për kreativitet. Bëni një përmbledhje të profilit ku shpalosni të gjitha këto cilësi që tërheqin menaxherët. Shkoni i përgatitur, kjo është formula.
(Të dhënat e mësipërme janë marrë nga JobVite.com, TheUndercoverRecruiter.com dhe Work4labs.com.)
Pas leximit të këtyre të dhënave, gjëja e fundit është të mos mendojmë për një strategji të re të punësimit apo të kërkimit të punës.
Nga Ilirjana Plumbi