Është koha kur të gjithë maturantëve u duhet të vendosin që të ardhmen e tyre. Çfarë u pëlqen më së shumti apo cili profesion i siguron më shumë të ardhura është pyetja që i mundon të gjithë të rinjtë, e sidomos ata që sapo kanë dalë nga cikli i shkollës së mesme dhe u duhet të zgjedhin degën për të cilën do të studiojnë në mësimet universitare. Zgjedhja është e vështirë. Prindërit ndonjëherë ta bëjnë edhe më të vështirë. Ndaj “Shekulli” ju sjell sot një personazh ndryshe nga të tjerët, një këshillues karriere. Nuk jeni mësuar të dëgjoni për këshillues karriere, por Elton Ilirjani është vërtet i tillë. Mnugesa e një studimi për tregun e punës e bën edhe më të vështirë punën e tij, por ai e bën me pasion këtë edhe në Shqipëri, ku kultura e të konsultuarit me një të huaj nuk duket shumë efektive dhe ndihmuese. Në këtë intervistë me gazetën “Shekulli”, Ilirjani tregon trendin e të rinjve në përzgjedhjen e degës së fakultetit dhe atë që i duhet tregut të punës në vendin tonë.
Sa i nevojshëm është një këshillues karriere për një maturant në Shqipëri?
Është shumë i rëndësishëm për shqiptarët në përgjithësi, por për maturantë edhe më shumë. Moda e vendeve të punës që kërkohen është e gabuar në Shqipëri. Si munden shumica e maturantëve dhe e prindërve të duan që të mbarojnë Juridik, kur e dinë se Shqipëria nuk ka nevojë për kaq shumë juristë. Është koha që këta maturantë të orientohen pasi gabimet e këtij lloji paguhen me vite shkolle, me vite jete të hedhura dëm për karrierën që do të kishe pasur po të orientoheshe nga një këshillues karriere.
A është kjo një kulturë e të rinjve shqiptarë apo këshillimi nuk njihet thuajse fare?
Nuk është kulturë. Nuk ka pasur, madje as nuk besoj se ka këshillues karriere në shkollat shqiptare. Vetë profesorët dhe prindërit nuk mund të jenë këshillues karriere pasi as ata nuk janë trajnuar për të qenë të tillë. Një nismë e mirë do të ishte këshillimi i karrierës nëpër shkolla dhe gjatë gjithë kohës, në mënyrë që zgjedhja e maturantit të jetë sa më e thjeshtë. Por, kjo arrihet vetëm atëherë kur mësuesit të jenë trajnuar në këtë aspekt. Mungesa e një studimi me të dhëna nga tregu i punës e vështirëson edhe më shumë zgjedhjen e maturantit.
Cila është zgjedhja e maturantëve të sotëm? Cila është dega e parapëlqyer?
Ka qenë Juridiku, tani është edhe Ekonomiku a ndonjë tjetër. Ndërkohë që të vazhdosh Hoteleri –Turizëm nuk shihet si diçka e arririrë duke filluar që nga prindi i një maturanti, që dëshiron që ta bëjë fëmijën me Juridik, njëlloj si fëmija e fqinjit pranë. Mirëpo, unë nuk mendoj se Marketingu është një mundësi e jashtëzakonshme punësimi. Shqipëria është një vend i vogël, ku shumica e marketingut të një kompanie mund të realizohet edhe vetëm nëpërmjet publikimit të një reklame në media. Atëherë ku do të shkojnë këta maturantë që “vdesin” të mbarojnë Ekonomikun? A është kjo më e mira? A ka vërtet treg pune për këtë zgjedhje? Këto pyetje duhet t’i bëjnë maturantët vetes.
Cilat janë dy degët drejt të cilave do t’i këshilloje maturantët të shkonin?
Çdo profesion është i bukur dhe efektiv, kur puna bëhet nga personi i duhur. Hoteleri- Turizëm për mua është një zgjedhje e shkëlqyer. Ndërkohë që në Shqipëri veterineria nuk duket si një profesion i bukur. Në fakt, është një zgjedhje e shkëlqyer. Gjithnjë e më shumë shqiptarët po kujdesen për kafshët. Nuk ka asgjë të keqe të kujdesesh për kafshët, qoftë edhe për lulet. Kjo katrahurë mjedisor vjen sepse ata që janë sot kopshtarë, as nuk kanë studiuar për të qenë të tillë. Eksperti i mjedisit nuk është një profesion për të cilin do t’i duhet maturantëve t’i vijë turp. Ka shumë mundësi, por Hoteleri-Turizmi mbetet si një ndër degët që unë do ta këshilloja dhe për të cilën mund të siguroja që ka vende pune edhe jashtë Shqipërisë. Një kuzhinier i mirë paguhet jashtëzakonisht mirë në Francë apo në Emirate.
Shqiptarë vdesin për para dhe famë, por nuk dijnë të bëjnë as CV
Cilat janë sfidat më të mëdha të punësimit? Eltoni na prezanton me një rini që dëshiron të bëhet e famshme dhe e pasur në pak kohë, ndërkohë që më shumë se gjysma e saj nuk di të formulojë në të gjithë komponentët e saj një CV. Problematikat më të mëdha që sheh tek ky brez sipas Elton Ilirjanit janë ndërhyrja shpeshherë e tepërt e prindërve në karrierën e fëmijëve dhe pamundësia e këtyre të fundit për të kuptuar se çfarë profesioni dëshirojnë të kenë.
Kush vjen te ju?
Nuk vijnë shumë maturantë, pasi këshillimi për karrierën nuk është ende kulturë në vendin tonë. Sot më ka telefonuar një vajzë maturante, ndaj mund të them se më të interesuar janë vajzat se sa djemtë. Ato ndoshta janë edhe më të pjekura dhe më të interesuara për të zhvilluar një karrierë profesionale sipas të gjitha rregullave.
Si i sheh zgjedhjet e të rinjve sot? Janë zgjedhje pasioni apo të orientuara drejt parasë?
Para dhe famë. Dhe të dyja këto i duan për një kohë të shkurtër. Dhe kjo vihet re shumë në shoqërinë shqiptare, sepse është një dëshirë e theksuar dhe në shumicë, në masë. Shumë të rinj pretendojnë një punë me shumë para që në ditën kur diplomohen. Këtë e kërkojnë me ngulm dhe janë të bindur se kështu do të jetë. Por nuk ndodh që të bëhesh i famshëm dhe i pasur menjëherë.
Po zgjedhjet e dyfishta si i quani? Tre vite të fakultetit, një zgjedhje ndryshe nga ajo e Masterit…
Po, ka edhe shumë nga ata që i hyjnë një shkolle dhe Masterin dhe bëjnë për një degë tjetër që nuk ka shumë lidhje me të studimet trevjeçare. Kjo është një humbje kohë, humbje e ekuilibrit që je munduar të zhvillosh për karrierën tënde gjatë tre viteve të studimeve universitare. Është humbje e ekuilibri pasi Shqipëria nuk ka nevojë për 300 ekonomistë (tre vjet shkollë e lartë) – politikanë (Master). Ne nuk jemi një vend me korporata të mëdha.
Po familja sa ka ndikuar në zgjedhjet e maturantëve?
Shumë dhe ndonjëherë për keq. Juridiku për shkak se edhe djali i filanit ka fituar të drejtën e Juridikut duket një zgjedhje e mirë. Kjo mendësi, xhelozi dhe mendjemadhësi i bën dëm maturantit në të shumtën e herëve. Dhe kjo ndodh tek ata maturantë që as nuk e dinë se çfarë duan dhe as nuk munden që të bëjnë dallimin mes asaj që i pëlqen të bëjë në të ardhmen. Janë këto maturantë që më së shumti dëgjojnë zgjedhjet e prindërve dhe që për më tepër i pranojnë me kënaqësi kur bëhet fjalë për studime private.
Kosovë-Shqipëri
Në punën time të përditshme po intervistoj të rinj të ndryshëm dhe të gjithë kanë një gjë të përbashkët, “ankesën” dhe “përtesën”. Përse ndodh kjo?! Përse të rinjtë tanë dhe ata kosovarë ndryshojnë kaq shumë nga të rinjtë maqedonas, malazezë dhe boshnjakë? Çfarë mësimesh marrin ata në familjet e tyre dhe në shkollat e vendeve përkatëse që janë më të përgjegjshëm se të rinjtë tanë? Mos ndoshta ky tranzicion kaq i gjatë dhe me kaq specifika shqiptare po na dëmton pa kthim të ardhmen tonë? Unë jam optimist nga natyra por puna që bëj çdo ditë dhe më shumë po më shton dozat e pesimizmit dhe të frikës që shumë shpejt vendi ynë do perballet me një brez që nuk do dijë dhe nuk do të dojë të bëjë asnjë gjë. Kam frikë se edhe të rinjtë në Kosovë të njëjtin fat do të kenë.
/Shekulli
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Po per nje studente me prirje ne letersi cfaremund te keshilloni?