Moskompletimi i Bordeve të Ndërmarrjeve Publike dhe Agjencive të Pavarura po dëmton edhe buxhetin e Kosovës.
Në mungesë të “ligjit për pagat e funksionarëve të lartë të shtetit”, anëtarët e bordeve paguhen në bazë të ligjeve të veçanta. Në anën tjetër deputetët e Kuvendit të Kosovës, shprehin shqetësim edhe për numrin e madh të bordeve që ka vendi.
Mos kompletimi i bordeve të ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura, ka bërë që drejtuesit e këtyre bordeve të mos raportojnë për punën dhe financat në komisionet përkatëse parlamentare. Po ashtu, anëtarët e bordit, të cilët kanë mandat vazhdojnë të marrin paga, ndonëse nuk mund të marrin vendime, për shkak se janë të pa kompletuara. Përveç dëmit financiar, çështje tjetër që ngritin deputetët është edhe numri i madh i tyre. Besa Gaxherri nga LDK konsideron se disa borde edhe mund të shuhen krejt. “Fatkeqësisht Kosova ka krijuar edhe agjenci edhe borde të tepërta të cilat jemi duke i diskutuar edhe në komisionin për buxhet, në çdo takim e diskutojmë që duhet të fillojmë të ndërmarrim diçka, ka mundësi këtu disa të difuzjonohen, ka mundësi disa t’i largojmë fare kështu që po presim edhe ligjin për Qeverinë dhe ne me ec në këtë drejtim. Faktikisht për momentin situata nuk është e mirë”., shkruan RTK.
Për kompletimin e bordeve, shqetësim ka shprehur edhe shoqëria civile. Sipas KDI-së mbi 20 borde janë të pakompletuara apo me anëtarë të cilëve ju ka kaluar mandati.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.