Pse ndryshimet klimatike janë kaq të vështira për t’u përballuar? Një problem i pashembullt, ndaj të cilit përgjigjet aktuale janë të papërshtatshme
Ka kaluar më shumë se një çerekshekulli që kur liderët e botës, u mblodhën në Rio de Zhaneiro në vitin 1992, duke i angazhuar në këtë mënyrë vendet e tyre që të shmangnin “ndërhyrjet e rrezikshme antropogjene në sistemin klimatik”, nëpërmjet nënshkrimit të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi ndryshimet klimatike. Rëndësia e çështjes për të cilën ata diskutuan rreth 26 vite më parë është bërë më e fortë në ditët e sotme, shkruan The Economist.
Niveli i dioksidit të karbonit në atmosferë po rritet më shumë. Temperaturat mesatare globale janë rritur gjithashtu, rreth 1°C mbi ato të periudhës paraindustriale. Shkenca që i lidh të dyja është e pakontestueshme. Ngjarjet e fundit ekstreme të motit, nga përmbytjet në Hanoi deri te zjarret në Kaliforni, u shkaktuan kryesisht nga ndryshimet klimatike. Fatkeqësisht gjërat do të përkeqësohen më shumë, ndoshta duke shkuar në nivele katastrofike.
Në njëfarë mënyre, edhe bota po pajiset tashmë për të përballuar këtë situatë të vështirë. Era dhe energjia diellore, pas subvencioneve të mëdha, iu bashkuan reaktorëve bërthamorë dhe digave si një prej mënyrave më të përballueshme për të gjeneruar energji elektrike, pa djegur lëndët djegëse fosile.
Edhe disa pjesë të sistemit energjetik, të cilat nuk mund të elektrifikohen lehtë, si për shembull disa lloje të transportit publik, proceset industriale si prodhimi i çelikut dhe çimentos, sistemet e ngrohjes për zyrat dhe shtëpitë mund të dekarbonizohen nëpërmjet teknologjive të ardhshme. Politikëbërësit kanë gjithashtu mjete për të sjellë ndryshimet e duhura, duke përfshirë këtu taksat e karbonit, vendosjen e rregullatorëve, subvencionet, etj.
Megjithatë, edhe gjatë takimit të palëve në konventën mbi ndryshimet klimatike të zhvilluar në fillim të këtij muaji në Katowice të Polonisë, situata nuk do të jetë e tensionuar vetëm për shkak të temperaturave në rritje, por mbi të gjitha, për shkak të dëshpërimit i cili po rritet. Problemi që duhet luftuar është më se i qartë, ajo çka është në lojë ka një rëndësi shumë të madhe, por edhe zgjidhjet janë të arritshme. Prandaj, pse përgjigjja konsiderohet si e papërshtatshme?
Një prej arsyeve është si pasojë e interesave të veçanta. Është krijuar një lob i frikshëm, i cili përherë paralajmëron mbi rreziqet e ndryshimeve klimatike. Por kur kemi të bëjmë me situata si nisma e ndërmarrë në Uashington për vendosjen e një takse mbi karbonin, antagonistët e këtij lobi e kundërshtuan atë që në fillim, duke kultivuar një kulturë, e cila në mënyrë të pandershme, hedh poshtë lëvizjet e duhura.
Por arsyeja kryesore është se bota gjatë historisë së saj nuk është marrë kurrë me një problem kaq të vështirë. Barra më e rëndë e pasojave të ndryshimeve klimatike bie padyshim mbi vendet e varfra, tek ata që nuk kanë mundësinë për të vepruar kundër.
Ndërsa njerëzit që u kërkohet të paguajnë shpenzimet e zvogëlimit të dëmeve të ndryshme janë dhe do të jenë kryesisht ata në gjendje më të mirë financiare.
Protestuesit e zemëruar francezë, për shkak të rritjes së taksës së karburantit dhe familjes që në 20 vjet do të detyrohen të shpërngulen nga toka në Meksikë, si pasojë e thatësirës nuk e njihnin fare njëri-tjetrin. Por këta protestues e dinë fare mirë se taksa të tilla nuk janë rritur në Amerikë dhe as në Rusi.
Ata në gjendje më të mirë financiare e kanë më të lehtë për t’u përshtatur me ndryshimet e kërkuara në krahasim me të varfrit dhe prandaj kanë edhe më pak arsye për të kërkuar moszbatimin e ndryshimeve. Dhe pasurimi i të varfërve në ato nivele që ata të mund të përshtaten përfshin rritjen ekonomike që ende mundësohet nga lëndët djegëse fosile. Edhe pse askujt nuk duhet t’i kërkohet që të heqë dorë nga kjo lloj rritje ekonomike, nuk duhet lënë pa përmendur se pasojat e saj janë shumë të rënda.
Por cila do të ishte zgjidhja e duhur për ta kapërcyer këtë ngërç?
Një mundësi është ndikimi i dukshëm i ndryshimeve klimatike. Karakteristikat gjeofizike të Tokës tashmë kanë ndryshuar, tropiku e deri në Arktikun e veriut. Askush nuk mund ta dijë nëse një ditë, bota do të jetë në gjendje që të ulë emetimet në nivelin zero. Por edhe nëse ajo ia del, problemi kryesor do të vazhdojë të mbetet gjendja e gazrave serrë që tashmë janë të emetuara.
Krijimi i një sistemi për të thithur dioksidin e karbonit nga ajri do të dojë jo vetëm burime të konsiderueshme parash, por edhe vite deri sa të arrihet në atë pikë që të vihet re ndryshimi.
Një tjetër zgjidhje mund të jetë inovacioni. Bota ndoshta do të ketë më shumë kompani të cilat do të prodhojnë makina elektrike.
Por pa politikat e duhura për të përhapur inovacionin, siç është taksimi i karbonit ose subvencionimi dhe rregullimi, lehtësitë në vetvete janë të pamjaftueshme. Teknologjia që ka rëndësi është ajo teknologji që do të përdoret. Dhe qytetarët i kanë rezistuar gjithashtu politikave të ndryshimit të klimës. Pastaj ka edhe forma të reja të veprimit ndërkombëtar. Më e lehtë se marrëveshjet globale janë grupet e vogla, të cilat ndajnë të njëjtat opinione. Nëse ekonomitë e mëdha janë të gatshme të tregohen bujare, numri i shteteve që do të jenë të përgatitura për të reduktuar emetimet do të mund të rriten me shpejtësi.
Në fund të fundit, vendet që vuajnë nga ndryshimet klimatike mund të përdorin masa të njëanshme për të përmirësuar situatën e tyre. Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike thekson se duke reflektuar dritën e diellit përsëri në hapësirë, përpara se ajo të ngrohë sipërfaqen e Tokës, ndoshta duke përdorur grimca, një formë e eksperimentit të njohur si “geoengineering”, mundësitë do të jenë shumë të mëdha për të kufizuar rritjen e temperaturës.
Por efektet e “geoengineering” nuk janë plotësisht të parashikueshme dhe ato as nuk do të përhapen në mënyrë të barabartë në vende të ndryshme, dhe madje ekziston mundësia që disa skema mund edhe të dëmtojnë disa vende. Gjithsesi, ky lloj eksperimenti ia vlen të studiohet, por duke marrë parasysh mbi të gjitha edhe mundësinë që ai mund ta shndërrojë botën në një vend edhe më të rrezikshëm se sa është aktualisht.