Ajo çka i ka dalluar Emiratet e Bashkuara Arabe nga vendet e tjera në këto dekadat e fundit ka qenë arkitektura e ndërtesave.
Simfoni ultramoderne hekuri dhe qelqi përbëjnë kryefjalën e kësaj qendre arkitekturore, si një pasqyrim i mirëqenies së vazhdueshme të vendit.
Përveç qiellgërvishtësve, ajo çka të bën më shumë përshtypje janë ishujt e vegjël, të cilët i gjen në vende të ndryshme të Emirateve të Bashkuara.
Një prej tyre është edhe Mozaiku i Fluturave nga 3Deluxe që ndodhet në ishullin Noor në Emiratin e Sharjahit.
Ky realitet urban që ka në brendësi të tij mijëra instalacione u mundëson vizitorëve një përvojë unike dhe me ndjesi të shumta.
Më parë, ishulli Noor ishte i arritshëm vetëm nëpërmjet varkës. Ndërhyrja e parë që bëri firma 3 Deluxe ishte ndërtimi i një ure 100 metra të gjatë me fibra xhami dhe me mbrojtëse alumini për të mirëpritur të gjithë vizitorët kuriozë duke e shndërruar në një vepër arti më shumë se sa se një nevojë praktike.
Ishulli Noor është i pushtuar nga instalacione fluturash, të cilat të krijojnë idenë e një mozaiku ku ulje-ngritjet e instalacioneve krijojnë një art sa modern, aq edhe elegant.
Pjesa më e bukur dhe që të bie menjëherë në sy është fasada floreale, e cila të krijon idenë e një skeleti të fuqishëm ku mbahen të lidhura të gjitha fluturat (rreth 4 mijë petale që të japin idenë e fluturave).
Ky mozaik është i lartë 4.57 metra, pothuajse në të njëjtën gajtësi me palmat.
Përveç mozaikut të fluturave, vizitorët mund të eksplorojnë edhe zona të tjera në ishullin Noor, ku pavijoni i letërsisë është një prej tyre.
Si pavijoni i fluturave ashtu edhe ai i letërsisë u krijuan për të qenë në funksion të njëri-tjetrit, ku të apasionuarit e literaturës mund të humbasin në librat voluminozë dhe të ulen në tendat e rehatshme të krijuara sipas stilit beduin.