MTI-ja paralajmëron barriera tregtare për prodhimet e Shqipërisë

11/04/2018 12:12 PM 0 komente

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) ka paralajmëruar barriera tregtare për produktet e Shqipërisë nëse autoritete shqiptare edhe më tutje vazhdojnë t’i pengojnë eksportet kosovare në këtë shtet. Gjatë vitit që lamë pas kompanitë kosovare eksportuan në Shqipëri produkte në vlerë prej 60 milionë eurosh, derisa ato të Shqipërisë në vendin tonë sollën prodhime në vlerë prej më shumë se 150 milionë eurosh, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) ka paralajmëruar se do të vendosë barriera tregtare për prodhimet e Shqipërisë nëse kjo e fundit edhe më tutje vazhdon me aplikimin e tyre për prodhuesit kosovarë.

Si në të kaluarën, por edhe aktualisht Doganat e Shqipërisë në vazhdimësi aplikojnë barriera të ndryshme për ta ndalur eksportin e prodhimeve shqiptare në këtë shtet, derisa prodhimet e Shqipërisë në vendin tonë importohen pa asnjë problem, shkruan më tutje “Zëri”.

Në dijeni për moszbatimin e kësaj marrëveshjeje janë edhe Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Tregtisë, të cilat pranojnë që ka ngecje në zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

“Ne jemi në koordinim të vazhdueshëm me Ministrinë e Tregtisë dhe jemi të përkushtuar që marrëveshja të zbatohet mes dy vendeve dhe të eliminohen të gjitha barrierat që janë paraqitur”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës për gazetën “Zëri”.

MTI-ja: Do të merren masa reciproke

Sytrime Dervisholli, nga Ministria e Tregtisë, në një prononcimin dhënë gazetës “Zëri” ka thënë që kjo marrëveshje ka sfidat e saj, por është duke u zbatuar.

“Marrëveshja për lehtësimin e tregtisë pavarësisht disa sfidave të kohëpaskohshme është duke u zbatuar në mes të dyja vendeve dhe mbahen takime sa herë që konsiderohet e nevojshme në mes të akterëve relevantë nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, Ministria është duke punuar vazhdimisht për zgjidhjen e ankesave të cilat vinë si nga ana e shtetit, prodhuesit të Shqipërisë, po ashtu edhe nga ana e prodhuesve kosovarë.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë adreson çdo shqetësim të kompanive apo të asociacioneve të bizneseve te institucionet relevante të Shqipërisë, ku në disa raste çështjet e adresuara kanë rezultuar me zgjidhje. MTI-ja po ashtu ka adresuar barrierat e paraqitura nga kompanitë kosovare dhe disa nga to janë në proces të zgjidhjes”, ka shtuar më tutje Dervisholli.

Sipas saj, nëse pala shqiptare nuk bashkëpunon për largimin e sfidave masat që do t’i marrë MTI-ja do të jenë reciproke karshi prodhuesve nga Shqipëria.

“Nëse vazhdohet edhe më tej kjo qasje nga autoritetet shqiptare dhe kur të gjitha format e dialogut të jenë shterur, atëherë MTI-ja do të shqyrtojë trajtimin e njëjtë kundrejt bizneseve të Shqipërisë, respektivisht trajtim reciprok”, ka përfunduar ajo.

Kusari: Marrëveshja për tregti të lirë të mos mbetet vetëm formalitet

Mimoza Kusari-Lila, anëtare e  Komisionit për Zhvillim Ekonomik, në një prononcim dhënë për gazetën “Zëri” ka thënë që marrëveshja për tregun e lirë është shumë e rëndësishme, por që duhet të ketë funksionalizim të saj.

“Konsideroj se është shumë e rëndësishme që të ketë funksionalitet të marrëveshjeve, nuk është se nuk ka pasur funksionalitet mes Kosovës dhe Shqipërisë, pasi të dyja vendet janë vende anëtare të CEFTA-s dhe tregtimi i lirë nuk do të duhet të kishte shkelje qoftë të marrëveshjes së CEFTA-s, qoftë të marrëveshjes bilaterale mes Kosovës dhe Shqipërisë, deri më tani ka pasur mungesë të vullnetit më tepër nga ana e Shqipërisë”, ka thënë Kusari-Lila.

Sipas saj, takimet mes krerëve të të dyja qeverive nuk duhet të jenë vetëm formalitet, por duhet të punohet në aspektin funksional.

“Konsideroj që nuk kemi nevojë për formalitete, ajo çfarë ka ndodhur kohë me parë me taksën e rrugës ka treguar që në aspektin formal ka takime në veçanti mes qeverive dhe takime bilaterale të kryeministrave, por që në aspektin funksional ka shumë probleme të cilat nuk marrin vëmendje ose nuk diskutohen në mbledhjet e përbashkëta të të dyja qeverive”, ka theksuar ajo.

Madje sipas Kusari Lilës, marrëveshja mund të jetë funksionale vetëm nëse e kanë seriozisht të dyja shtetet e në veçanti Shqipëria, nëse është e kundërta atëherë prapë do të gjenden forma për t’u penguar tregtia e lirë apo bashkëpunimi ekonomik në nivel të dy shteteve.

Panxha: Barrierat e vendosura nga Shqipëria, problem për prodhuesin kosovar

Sipas Astrit Panxhës, drejtorit ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, me një marrëveshje të tillë mund të shënohet rritje në tregtinë mes dy vendeve, por problem për këtë janë barrierat e vendosura nga Shqipëria.

“Kjo rritje nuk është e mjaftueshme për potencialet që të ketë tregti mes dy vendeve, kjo po bëhet për shkak të barrierave të vazhdueshme nga ana e Shqipërisë ndaj prodhuesve të Kosovës. Barriera administrative, barriera tarifore e jotarifore në njëfarë forme janë duke i dekurajuar prodhuesit e Kosovës që të depërtojnë në tregun e Shqipërisë”, ka thënë Panxha.

Sipas tij, eksportet nga Shqipëria janë dyfish më shumë sesa eksportet nga Kosova.

“Prodhuesit e Shqipërisë shumë më lehtë po depërtojnë në tregun e Kosovës, këtë e tregon bilanci tregtar ku eksportet e Shqipërisë në fund të vitit 2017 ishin mbi 150 milionë euro, ndërsa eksportet e Kosovës ishin vetëm 60 milionë. Tregu i Shqipërisë është një treg që vlerësohet si vazhdimësi e tregut të Kosovës, sepse jemi një popull, kemi një gjuhë dhe një kulturë dhe besojmë që shumë më lehtë mund të bëhet një produkt i Kosovës në Shqipëri sesa në Serbi, por kjo për shkak të barrierave të cilat po i vendos shteti shqiptar po është më e vështirë. Për shkak të barrierave artificiale për t’i penguar produktet kosovare Shoqata e Prodhuesve të Kosovës do të mbajë protestë.

“Assesi nuk guxojmë të vëmë barriera artificiale, të pengohet produkti, këtë mesazh do ta japim në një protestë të paralajmëruar  në prill, ku do të shprehim pakënaqësitë tona në kufi, do të kërkojmë nga institucionet e Shqipërisë që t’i largojnë të gjitha barriera tregtare ndaj prodhuesve të Kosovës”, ka thënë Panxha.

OEAK: Barrierat janë tregues i keq për investitorët e huaj

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, për “Zërin” ka theksuar vështirësitë të cilat i hasin prodhuesit kosovarë në pasimin e produkteve.

“Prodhuesit kosovarë hasin në shumë vështirësi në plasimin e produkteve të tyre në tregjet e shteteve me të cilat Kosova ka nënshkruar marrëveshje për tregti të lirë. Pavarësisht që nuk ka barriera tarifore, barrierat e natyrës tjetër vështirësojnë qasjen e produkteve të Kosovës në këto tregje. Situata me Shqipërinë do të duhej të ishte krejtësisht tjetër, meqë qeveritë e të dyja vendeve kanë pasur takime të shumta të përbashkëta në të cilat janë bërë edhe marrëveshje për eliminimin e pengesave dhe nxitjen e bashkëpunimit më të madh tregtar”, ka thënë Zeka.

Madje sipas tij, moszbatimi i plotë i marrëveshjes për tregti të lirë tregon joseriozitet dhe ndikon në uljen e investimeve të huaja, si dhe zgjidhja më e mirë është dialogu aktiv.

“Barrierat që shpesh imponohen nga Shqipëria e kohë pas kohe edhe nga Kosova janë tregues i keq për investitorët e huaj, të cilët duke qenë të dekurajuar të investojnë në shtetet përkatëse për shkak të tregjeve të vogla do të shihnin vlerë nga tregjet homogjene ose të integruara. Në këtë aspekt Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë më aktive dhe të synojë që përmes dialogut aktiv me Qeverinë e Shqipërisë t’i parandalojë problemet e tilla”, ka përfunduar ai.

Musa: Duhet zbatimi i plotë i marrëveshjes nga Qeveria e Shqipërisë

Sipas ekspertit të çështjeve ekonomike Lekë Musa, problem për shkëmbime tregtare janë barrierat jotarifore.

“Në fakt Kosova dhe Shqipëria kanë marrëveshjen e CEFTA-s, në bazë të së cilës janë duke kryer edhe shkëmbimet tregtare, kjo marrëveshje liron produktet nga tarifa doganore, mirëpo problemi qëndron te barrierat jotarifore, të cilat vijnë kryesisht për shkak të presioneve të grupeve të interesit në Shqipëri”, ka thënë Musa.

Sipas tij, kjo marrëveshje mund të jetë funksionale kur Qeveria e Shqipërisë të ndalojë së aplikuari barriera për produktet kosovare.

“Qeveria e atjeshme aplikon lloj-lloj barrierash ndaj produkteve tona, kjo mund të zgjidhet me një zbatim të plotë të marrëveshjes, d.m.th. kur të kemi një zotim të sinqertë të Shqipërisë për zbatimin e plotë të kësaj marrëveshjeje”, ka përfunduar Musa.

 

/ZERI

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of