Pasi keni bërë hapin e madh, nuk mbetet veçse të përballeni me udhëtimin e madh. Muaji i mjaltit mund të përfaqësojë rastin e duhur për të zbuluar vende ekzotike dhe të largëta por edhe destinacione të pazakonta që përmbushin nevojat dhe pritshmëritë e çiftit.
Muaji i mjaltit është fillimi simbolik i një aventurë të re në çift, hapi i parë drejt jetës martesore. Ja sepse është e rëndësishme ta organizoni sa më mirë dhe të zgjidhni destinacionin e duhur në varësi të shijeve dhe interesave të përbashkëta…
Më poshtë janë disa destinacione për çdo tip çifti … romantik, të pasionuar pas natyrës, ata që kërkojnë të shijojnë ushqim të shijshëm apo destinacione low cost…
PËR ÇIFTET ROMANTIKE
ARGJENTINA
Argjentina me Ruta 40 është destinacioni ideal për çiftet me shpirt romantik: 5 mijë kilometra që përshkojnë gjithë vendin nga veriu në jug, deri në Patagonia, duke ndjekur linjën e Andeve. Një itinerar perfekt për të admiruar natyrën e jashtëzakonshme dhe emocionuese. Një udhëtim për t’u bërë të paktën një herë në jetë.
MALDIVET DHE SRI LANKA
Destinacione klasike për shumë çifte që vendosin të bëjnë udhëtimin e parë në jetën martesore në një parajsë natyrore. Maldivet ofrojnë plazhe me rërë të bardhë, me ujëra turkeze e të kristalta ku jetojnë peshq tropikalë, por edhe me një numër të madh resortesh, me struktura luksoze, shpesh edhe me struktura Spa. Ndërsa Sri Lanka është ideale për t’u shkëputur nga jeta e përditshme dhe për të gjetur qetësi, me faunën e larmishme dhe sitet Pasuri të UNESCO-s. Një vend ideal për një muaj mjalti ëndrrash.
SKOCIA
Kështjella mesjetare, liqene misterioze, shkëmbinj të pjerrët, fare të vetmuar dhe peizazhe përrallore. Nga ishulli Skye tek Highlands, Skocia ofron vende romantike dhe itinerare unike, duke përfshirë gllënjkat e wiskey-t, salmonin etj. Për çiftet në muajin e mjaltit këshillohet të përshkojnë Unazën e North Highlands, që ju jep akses në plazhe e male. Dhe të shikoni foka e delfinë e të vizitoni fabrika pijesh e kështjella….
MAURITIUS
Një destinacion që nuk i zhgënjen asnjëherë romantikët dhe ju befason me larmishmërinë dhe ngjyrat e një natyre të paprekur, mes plazheve përrallore, majave të maleve, plantacioneve të kallamsheqerit, kodrave dhe pyjeve tropikale. Në lindje të Madagaskarit, ky ishull i Oqeanit Indian është një parajsë për të gjithë ata që pëlqejnë detin dhe të bëjnë zhytje, por edhe për ata që nuk heqin dot dorë nga trekking dhe nga aktivitetet në ajër të pastër. Nëse ju pëlqen e gjithë kjo, Mauritius është destinacioni që bën për ju.
BREGU AMALFITANA
Një udhëtim romantik në Itali…. Në këtë vend mes detit dhe tokës, në jug të Napolit dhe në veri të Salernos, shikimi humb në horizont, në det, te fshatrat piktoreskë të peshkatarëve dhe vendeve të rrethuara nga një natyrë e mrekullueshme. Nga Sorrento në Ravelo ju presin 40 kilometra si në ëndërr duke kaluar në vende të famshme që kanë tërhequr yje të kinemasë dhe shkrimtarë nga Amalfi në Positano, deri në Furore, me fjordin e tij karakteristik.
PËR ÇIFTET NË KËRKIM TË KUZHINËS SË MIRË….
VIETNAMI
Një destinacion që vitet e fundit ka bërë për vete shumë çifte të martuarish, të mrekulluar nga ishujt me rërë të bardhë, nga plazhet përrallore dhe vende të famshme si Baia di Halong që me ujërat e kristalta dhe me ishujt me gurë gëlqerorë është një ndër atraksionet kryesore në zonën e veriperëndimit. Por Vietnami është një surprizë edhe në shije. Për të mos u humbur floating markets, tregje ku mund të blini prodhime bujqësore lokale, por edhe turet në zbulim të ‘ushqimit më të mirë të rrugës’ në qytetin e Hanoi. Këtu mund të ndiqni edhe kurse kuzhine në Hội An me qendrën historike të saj pasuri e UNESCO-s.
AUSTRALIA
Nga Sidnei në Melburn, i gjithë jugu i Australisë është një destinacion gastronomik që duhet vizituar patjetër. Shefa kuzhine, kuzhinë avangardë, por edhe djathëra artizanalë, lloje të ndryshme mishi dhe verëra të mrekullueshme janë përbërësit e një udhëtimi muaj mjalti. Për të provuar shijen vendase ju këshillojmë rajone rreth qytetit të Adelaide, McLaren Valley dhe Barossa Valley, atdheu i verës së kuqe Shiraz. Më në veri ju mund të admironi vreshtat e Clare Valley, duke ndjekur itinerarin e Riesling Trail, një rrugëtim me biçikletë rreth 30 kilometra, përgjatë linjës së vjetër hekurudhore mes Auburn dhe Barinia.
JAPONIA
Një destinacion ideal jo vetëm për ata që pëlqejnë sushit dhe sashimi, por edhe për çiftet e sapomartuara më kureshtarë, këtu mund të shijojnë një kuzhinë mijëravjeçare, që është pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s. Për të mos u humbur Tokio, ku numri i restoranteve të vlerësuara me yje Michelin është më i madh se në Paris.
PËR ÇIFTET QË DUAN TË EKSPLOROJNË NATYRËN
KOSTA RIKA
Nëse ideja për ta parë veten përballë një majmuni që kacavirret në pemë ju ngjall kërshëri, atëherë Kosta Rika është destinacioni ideal për ju. Këtu mund të përjetoni një përvojë në kontakt të afërt me kafshët e egra, larg nga përditshmëria, në një natyrë të paprekur. Ju këshillojmë të flini në një ecolodge luksoze në mes të gjelbërimit të zonave tropikale si parqet e Monteverde e Santa Elena, Tortuguero e Corcovad.
BORNEO
Ishulli i Azisë Juglindore, i ndarë mes Malajzisë, Bruneit dhe Indonezisë është një parajsë e biodiversitetit. Shifra? 3 mijë specie pemësh, 15 mijë bimë lulesh dhe më shumë se 200 lloje gjitarësh e më shumë se 400 lloje zogjsh. Admiruesit e natyrës mund të bëjnë një safari në Danum Valley dhe më pas zhytje në Sipadan, ku mund të zbulojnë mrekullitë e botës nënujore.
TANZANIA
Nëse natyra ju jep adrenalinë, nuk ka asgjë më mirë se një udhëtim në zbulim të savanës afrikane.
Serengeti National Park është një destinacion i padepërtueshëm ku mund të ndesheni lehtë përballë me luanë, elefantë, leopardë rinocerontë dhe buaj. Çdo vit këtu ndodh edhe migrimi i madh i zebrave dhe gazelave që përshkojnë mijëra kilometra në kërkim të ujërave dhe tokave të gjelbra.
MADAGASKARI
Në këtë ishull gjigant natyra merr forma të larmishme dhe krijon kryevepra. Mjafton të mendosh që speciet e kafshëve dhe bimëve që e popullojnë, shpesh unike, përbëjnë 5% të pasurisë natyrore botërore. Në Madagaskar ju presin peizazhe të mrekullueshme që variojnë nga shkretëtira në kanione, nga pyje në plazhe e më tej pyje me baobabë. Gjithçka e mrekullueshme.
DESTINACIONE LOW COST
PORTUGALIA
Një destinacion që ju jep mundësi të kaloni nga deti i Algarve, rajoni në jug të vendit, në ritmin e gjallë të Lisbonës, e më tej nëpër rrugicat piktoreske dhe romantike të Portos. Kudo që të shkoni në Portugali do të ndiheni rehat, mjafton të mendoni që do të shpenzoni rreth 1,50 euro për një birrë apo më pak se 1 euro për një kafe.
HONDURASI
Ata që prej kohësh ëndërrojnë një udhëtim në Amerikën Qendrore, por u tremben shpenzimeve të mëdha, mund të zgjedhin Hondurasin, destinacionin më pak të kushtueshëm në këtë zonë gjeografike. Ndër destinacionet më romantike janë ishujt Cayos Cochinos ndërsa për të pasionuarit e zhytjeve këshillojmë ishullin Utila në Detin e Karaibeve. Për një vizitë kulturore, këshillojmë sitin arkeologjik Copan, në kufi me Guatemalën.
INDONEZIA
Jeta është vërtet ekonomike në Indonezi – çmimi i një dhome nis nga rreth 20 euro nata. Dhe është e lehtë të kuptosh që, edhe pse me një buxhet minimal, ju mund ta kaloni një muaj mjalti prej milionerësh duke mos hequr dorë nga asgjë. Ata që kërkojnë plazhe përrallore me struktura komode duhet të marrin në konsideratë Balin, destinacionin më të famshëm. Ata që duan diçka ndryshe, mund të shkojnë në Lombok e ishujt Gili, apo në ishullin Java, me vullkanet e tij, dhe në Sumatra për natyrën e egër. Me më shumë se 17 mijë ishuj, në Indonezia ju mbetet veçse të zgjidhni.
PUERTO RICO
Një ishull me raport të mirë cilësi – çmim. Plazhe të mrekullueshme, vende të paprekura dhe zgjidhje ekonomike ku mund të qëndroni nga bujtinat tek resortet – të gjithë këtë e gjeni në Pueto Rico, veçanërisht nëse shkoni në muajin maj, kur tarifat ulen për shkak të sezonit të uraganeve (nga maji deri në fillim të dhjetorit), që zakonisht në maj nuk ka filluar ende. Ndër përvojat për të mos u humbur është një vozitje me kayak në mbrëmje për të admiruar Bioluminescent Bay.