Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për ecurinë e tregut të kapitalit
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare vlerëson në një qëndrim zyrtar për “Monitor” se tregu i kapitalit paraqet mundësi të reja investimi për bizneset dhe qytetarët. Duke u ndalur në rëndësinë që kanë hallkat e këtij tregu, AMF vlerëson se plotësimi me pjesën e Bursës të këtij tregu, por sigurisht gjithçka duhet të bëhet në transparencë të plotë dhe rregulla të qarta tregtimi dhe shlyerjeje.
Në çfarë faze ndodhet aktualisht tregu i kapitalit në vendin tonë?
Tregu i kapitaleve në vendin tonë, aktualisht është në hapat e para të zhvillimit, ku një peshë të rëndësishme e zë tregu i fondeve të investimeve. Ndonëse në pak vite nga licencimi i fondit të parë dhe me një numër të kufizuar fondesh, tregu i fondeve të investimeve ka arritur një zhvillim të konsiderueshëm. Asetet e këtij tregu llogariten në rreth 4.5% të PBB-së, shifër kjo më e lartë se vendet e rajonit.
Sa i përket ecurisë së tregut të kapitaleve, një zhvillim pozitiv ishte licencimi nga Autoriteti i Bursës së parë private në korrik 2017. Pas fazës përgatitore për lidhjen e sistemit të tregtimit për transaksionet në titujt e Qeverisë, me sistemin e Regjistrimit dhe Shlyerjes së Titujve (AFISaR) pranë Bankës së Shqipërisë, Bursa ka filluar sesionet e tregtimit.
Në vitin e parë të aktivitetit të saj, veprimtaria e Bursës Shqiptare të Titujve do të fokusohet vetëm në tregtimin e titujve të qeverisë, duke u dhënë mundësi investitorëve që krahas tregut me pakicë, ta tregtojnë titullin qeveritar edhe në Bursë.
Gjatë viteve të fundit janë emetuar obligacione me afat të gjatë, duke përfshirë edhe obligacione të konvertueshme në aksione. Kjo është realizuar nga shoqëri financiare (banka dhe institucione financiare), nëpërmjet ofertës private. Emetimi i obligacioneve me ofertë private është premisë drejt ofertave publike. Biznesi po e vlerëson mundësinë e emetimit të obligacioneve si një burim financiar për rritjen e potencialeve të veta.
Zhvillimi i tregut të kapitalit është i lidhur edhe me rritjen e bazës së investitorëve. Në këtë drejtim, rritja e numrit të investitorëve institucionalë ka shumë rëndësi. Aktualisht, fondet e investimit janë ndër investitorët me potencial të lartë për zhvillimin e tregut të kapitalit.
Edhe tregu i fondeve të pensionit vullnetar, ndonëse ende në masë të papërfillshme kundrejt PPB-së në Shqipëri ka pasur tendencë në rritje që prej fillimit të aktivitetit të tij, si për asetet që menaxhon, ashtu edhe për numrin e kontribuuesve. Autoriteti ka miratuar një metodologji të re mbikëqyrëse për fondet e pensioneve vullnetare, atë me bazë rreziku. Nëpërmjet kësaj metodologjie evidentohen rreziqet më të mëdha që prekin këtë treg dhe njëkohësisht strategjitë që duhen ndjekur për zbutjen e tyre në një nivel të pranueshëm.
Cili është potenciali që paraqet ky treg për operatorët e tregut, investitorët dhe qytetarët?
Zhvillimi i tregut të kapitalit përbën potencial për investitorët dhe qytetarët shqiptarë, duke u ofruar mundësi të reja investimi dhe njëkohësisht rrit aksesin në burime të reja financiare për biznesin shqiptar. Një treg i zhvilluar i mundëson investitorit nevojën për likuiditet, në rast se do të preferojë ta shesë titullin e blerë përpara afatit të maturimit.
Megjithatë, duhet theksuar që gjatë procesit të investimit, investitori duhet të marrë në konsideratë edhe rrezikun që bartin llojet e ndryshme të investimeve në instrumente financiare. Për këtë, edukimi financiar është pjesë e pandashme e zhvillimit të tregut, në funksion të mbrojtjes së interesave të investitorit.
Një edukim i pamjaftueshëm për produktet dhe instrumentet financiare e ekspozon investitorin ndaj një risku shumë të lartë. Prandaj, në funksion të mbrojtjes së investitorit shqiptar, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e ka vënë fokusin edhe në rritjen e edukimit financiar.
Një treg i zhvilluar kapitali vihet edhe në funksion të përmirësimit të standardit të jetesës së qytetarit shqiptar në përgjithësi, kjo si rezultat i lidhjes midis këtij tregu dhe rritjes ekonomike të vendit. Një treg i zhvilluar kapitali nxit formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe përmirëson transparencën dhe imazhin e kompanive shqiptare që do të listohen në bursë. E gjitha kjo, rrit konkurrencën e ndershme në treg, në funksion të realizimit cilësor të produkteve dhe shërbimeve për qytetarin shqiptar. Autoriteti do të ketë një rol aktiv në ndërmarrjen e iniciativave që ndihmojnë në zhvillimin e tregut.
Në këtë kuadër, brenda këtij muaji pritet të prezantohet “Strategjia 5-vjeçare për zhvillimin e tregjeve”, ku vend i veçantë i kushtohet zhvillimit dhe promovimit të tregut të kapitalit. Në strategji janë të përfshirë edhe hapat konkretë që synohet të ndiqen jo vetëm për zgjerimin e tregut, por edhe mbikëqyrjen dhe rregullimin efektiv të tij, me fokus mbrojtjen e investitorëve dhe rritjen e besimit të publikut.
Si pritet të ndryshojë dinamika e tregut sekondar me zhvillimet e fundit, përfshirë Bursën Shqiptare të Titujve?
Është shumë me rëndësi të kuptohen avantazhet që ofron Bursa si për biznesin, ashtu edhe për investitorin. Duke ofruar transparencë, rregulla të qarta tregtimi dhe shlyerje për të gjithë pjesëmarrësit e tregut, si dhe çmime reale të titujve në përputhje me kërkesën dhe ofertën, Bursa rrit besimin e investitorëve. Kjo më pas përkthehet në rritje të volumit të tregtimit dhe rrjedhimisht në një likuiditet më të lartë.
Me rritjen e numrit të operatorëve në Bursë, tregu sekondar i titujve të Qeverisë (instrumenti më i njohur dhe më aktiv i tregut) do të ketë dinamikë të ndryshme nga vitet e mëparshme. Investitori do të përfitojë nga avantazhet që ofron një treg i organizuar dhe i mirërregulluar.
A është gati tregu shqiptar për zgjerimin e llojit të instrumenteve që tregtohen?
Krahasuar me vitet e mëparshme, interesi i kompanive për të emetuar letra me vlerë është rritur, edhe pse deri tani ka pasur zhvillime vetëm në drejtim të emetimit të obligacioneve me ofertë private. Ky fakt përbën një sinjal pozitiv për mundësitë e emetimit të obligacioneve nëpërmjet ofertave publike, ku zotërues të këtyre obligacioneve mund të jetë një numër i madh investitorësh. Kjo mundësi krijon potencial për zgjerimin e tregtimit të obligacioneve të shoqërive, që do të listojnë titullin në Bursë.
Duke marrë në konsideratë edhe numrin e kompanive të mëdha që operojnë në sektorin financiar, energjetik, telekomunikacionit etj., ekzistojnë potenciale për rritjen e numrit të emetuesve në treg. Nga ana tjetër, në kushtet e një mjedisi me norma të ulëta interesi dhe politikës kufizuese të kredidhënies nga ana e bankave, investitorët janë të gatshëm t’i mobilizojnë fondet e tyre në blerjen e instrumenteve të ndryshme financiare të ofruara në tregun e kapitaleve.
Autoriteti do të monitorojë me shumë kujdes procesin e përgatitjes së kompanive për daljen në publik me ofrimin e titujve të tyre të borxhit dhe të kapitalit.
Si është interesi i bizneseve që duan të licencohen nga AMF për t’u bërë pjesë e tregut, flasim këtu për të gjitha hallkat qoftë fonde, broker, shoqëri këshillimi etj.?
Zhvillimet pozitive të tregut të kapitalit përfshijnë edhe rritjen e interesit të subjekteve për t’u licencuar, për të kryer aktivitetin e brokerimit, të administrimit të aseteve të fondeve të investimit apo si këshilltarë investimesh.
Vetëm gjatë një viti janë licencuar tre shoqëri të reja, për të vepruar si shoqëri brokerimi në tituj, si dhe një shoqëri e re për të administruar fonde investimi. Risia e kësaj shoqërie për investitorët shqiptarë është se do të administrojë një fond investimi që do të investojë asetet e saj në aksione, në ndryshim nga fondet ekzistuese që investojnë në titujt e qeverisë apo në obligacione.
Ndërkohë, roli i këshilltarit të investimeve pritet të rritet dhe zgjerohet me rritjen e tregut, sidomos me fillimin e procesit të ofertave publike.
A është i plotësuar kuadri ligjor që rregullon mbikëqyrjen e tregjeve apo do të kemi rishikime? Nëse po, në cilin aspekti dhe nga kush po asistohet AMF?
Viti 2018 mund të konsiderohet si viti i ndryshimeve të mëdha ligjore në drejtim të zhvillimit të tregut të kapitalit. Ndryshimet ligjore synojnë përputhshmërinë e ligjit të titujve me Direktivën e BE-së për instrumentet financiare (Direktiva MIFID2), përfshirë Direktivën e Transparencës dhe Direktivën e Prospektit.
Duke vlerësuar fondet e investimeve si investitorët institucionalë me potencial për zhvillimin e tregut të kapitalit do të rishikohet edhe ligji “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”, në linjë me Direktivën e BE-së për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive në titujt e transferueshëm (UCITS V) dhe Direktivën për Administratorët e Fondeve Alternative të Investimit (AIFMD). Synohet që të zhvillohen fondet alternative si fonde me ofertë private, të destinuara për investitorët institucionalë dhe investitorët individualë profesionistë, gjë e cila do reflektohet te ndryshimet ligjore.
Për këto ndryshime ligjore, Autoriteti po bashkëpunon me ekspertët e projektit për “zhvillimin e tregut të kapitaleve”, financuar nga Sekretariati Zviceran për Çështjet Ekonomike, (SECO), nën administrimin e Bankës Botërore.
Gjithashtu, është punuar për disa ndryshime edhe në Ligjin “Për fondet e pensionit vullnetar”, për ta përshtatur me zhvillimet e fundit në fushën e pensioneve vullnetare, me direktivat e BE-së, si dhe në zbatim të rekomandimeve të progres-raporteve të BE-së. Ndryshimet e propozuara me anë të këtij projektligji synojnë të sjellin përparësi në tregun e pensioneve vullnetare, si dhe të zgjidhin disa problematika të hasura gjatë zbatimit të tij.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.