Shqipëria ka numrin më të vogël të mjekëve për banorë në të gjithë rajonin e Ballkanit – një situatë e përkeqësuar gjatë viteve të fundit nga emigrimi drejt Gjermanisë i stafit shëndetësor, por mungesa e tyre ndjehet edhe më shumë në zonat e thella malore, ku pacientët duhet të kalojnë peripeci të shumta për të siguruar shërbim shëndetësor.
Sipas të dhënave të Observatorit Global të Shëndetit në Shqipëri ka 1.2 mjekë për 1000 banorë dhe raporti mami/infermierë është 3.6 për 1000 banorë. Këto shifra janë më të ulëtat në rajonin e Ballkanit dhe poshtë mesatares së Bashkimit Europian.
Por megjithatë edhe këto burime të pakta njerëzore janë shpërndarë në mënyrë të pabarabartë, për shkak të mungesës së specialistëve dhe shërbimeve në spitalet rajonale, si dhe të mjekëve dhe infermierëve ne qendrat shëndetësore dhe ambulancat e fshatrave.
Këto mungesa janë edhe më të theksuara në zonat e thella malore të rajoneve si Librazhdi dhe Përrenjasi, dy bashki që kanë një territor me shtrirje të madhe gjeografike dhe infrastrukturë të dobët rrugore. Banorët e këtyre zonave ankohen se për shkak të distancave nga qendrat shëndetësore dhe mungesat e mjekëve – një pjesë e të cilëve po emigrojnë në vendet e pasura të BE-së si Gjermania, po hasin vështirësi në rritje të kenë akses në sistemin shëndetësor.
“Zona jonë prej vitesh vuan mungesën e mjekëve dhe infermierëve,” shprehet Liman Qeti nga fshati Prevallë i njësisë administrative Lunik në bashkinë e Librazhdit. “Infermierja e caktuar vjen njeherë në jave dhe ne kur sëmuremi e marrim në telefon ose duhet të sëmuremi kur të vijë infermierja ose mjeku,” shtoi Qeti, duke përmbledhur frustrimin e banorëve të zonës.
Intervistat me banorë të fshatrave të thellë të Librazhdit dhe Përrenjasit tregojnë se mbulimi me burime njerëzore i ambulancave është sporadik dhe ato pak mjekë të mbetur duhet të mbulojnë shumë fshatra njëherazi, çfarë e vështirëson punën e tyre dhe redukton aksesin që kanë pacientët – të cilët shpesh i drejtohen spitaleve bashkiake për urgjenca.
BIRN iu drejtua me kërkesa të detajuara për informacion të bazuara në ligjin ‘Për të Drejtën e Informimit’ drejtuesve të qendrave shëndetësore në njësitë administrative të bashkive Librazhd dhe Përrenjas, në lidhje me pajisjet, shërbimet dhe evidencat e burimeve njerëzore, por shumica prej tyre nuk kthyen përgjigje. Ndërkohë, drejtoresha e qendrës shëndetësore në njësinë administrative Qendër, Margarita Hasa e refuzoi kërkesën.
Gjithashtu Drejtoria e Shëndetit Publik Elbasan dhe Drejtori i Shëndetit Publik Librazhd, nuk iu përgjigjën një kërkese të ngjashme për informacion të dërguar me 4 qershor, duke tejkaluar afatet dhe në shkelje të detyrimeve ligjore.
Treguesit e sistemit shëndetësor
Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, INSTAT, në vitin 2017 në Shqipëri numëroheshin 413 qendra shëndetësore, të degëzuara 2022 ambulanca dhe 46 poliklinika specialitetesh. Numri i vizitave gjithsej në shërbimin parësor gjatë vitit është 7.9 milionë, mesatarisht 3 kontakte për person në vit me mjekun.
Nga vendet e rajonit të Ballkanit, Greqia ka numrin më të madh të mjekëve, më një mesatare 6.2 mjekë për 1000 banorë, e ndjekur nga Bullgaria me 3.3, Maqedonia 2.8, Mali i Zi 2.3, Serbia 2.4 dhe Bosnja 1.8 mjekë për 1000 banorë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Shqiptar i Shkencave nëpërmjet projektit ‘Open Data’ treguesi i mbulimit të popullatës me mjekë ka shënuar një rënie prej 17.5 % në Shqipëri dekadës së fundit, nga viti 2000 kur në Shqipëri kishte 1.39 mjekë për banorë e deri në vitin 2007 kur kjo shifër u ul në 1.15 mjekë për 1,000 banorë.
Sipas të dhënave të ‘Open Data’ rënie kanë shënuar edhe tregues të tjerë të rëndësishëm, si numri i shtretërve spitalorë për 1000 banorë. Në qoftë se në vitin 1983 numri i shtretërve spitalorë ishte 4.9 për 1000 banorë, në vitin 2007 ky tregues ka zbritur në 2.92 për 1000 banorë.
Megjithatë, jo të gjithë këto shtretër janë njësoj, si për nga shërbimi por edhe për nga kostot për taksapaguesit. Një analizë e botuar nga BIRN në mars, zbuloi se spitalet bashkiake, edhe pse të braktisura nga mjekët dhe specialistët, u kushtojnë taksapaguesve shqiptarë disa herë më shtrenjtë për çdo pacient të trajtuar sesa spitalet universitare të Tiranës.
Spitalet bashkiake, sidomos ato larg qendrave të mëdha urbane, kanë pasur dhe një hemoragji të mjekëve dhe specialistëve, pasi qindra syresh kanë emigruar gjatë viteve të fundit për të punuar në vendet e BE-së – kryesisht në Gjermani. Sipas presidentit të Urdhrit të Mjekut, Fatmir Brahimaj, 145 mjekë janë larguar për të punuar jashtë Shqipërisë në vitin 2016, nga të cilët 114 janë mjekë të përgjithshëm dhe 31 janë mjekë specialistë. Nëse do të shohim vitet e tjera, për vitin 2015 numri i mjekëve të larguar është 120 dhe në vitin 2014, 132 mjekë janë larguar nga vendi.
Mungesa e mjekëve specialistë në pothuajse të gjitha spitalet rajonale dhe bashkiake të vendit e ka shtyrë qeverinë të nisë një program patronazhi, por aktorët e sistemit të shëndetësisë këmbëngulin se nevojiten zgjidhje afatgjata.
Shërbimi shëndetësor me kohë të pjesshme
Pas ndarjes administrative të vitit 2015, Librazhdi dhe Përrenjasi u ndanë në dy bashki – të cilave iu bashkangjitën dhe 9 ish komuna për të krijuar një popullatë 77,132 banorë. Bashkia Librazhd ka 5 njësi administrative të përbëra nga 52 fshatra, ndërsa Përrenjasi ka 4 njësi administrative me 24 fshatra.
Por edhe pse gjatë dekadës se fundit ka pasur investime në rikonstruksionin e qendrave shëndetësore dhe ambulancave nëpër fshatra, jo gjithkund kushtet janë të përshtatshme apo shërbimi në nivelin e duhur – kjo më së shumti thonë banorët për shkak të mungesës së mjekëve ose prezencës së tyre me kohë të pjesshme në shërbim të komunitetit.
Mungesa e mjekut në fshatrat malore bëhet dhe më problematike gjatë periudhës së dimrit. Në një rast të tillë dimrin që shkoi, një pacient nga fshati Sopot, Talil Facja, u desh të evakuohej me helikopter në spitalin bashkiak të Librazhdit, për shkak të mungesës së mjekut dhe infermierës në fshat.
Rigels Blloshmi, 28 vjeç nga fshati Fanjë i Librazhdit nuk e pati luksin e një mjeti aq të shpejtë dhe efikas se helikopteri kur prindërit e tij u sëmurën, duke nënvizuar se shumë herë babain dhe nënën e ka dërguar në qendrën shëndetësore të Qukësit në krahë ose me mushka, sepse terreni është i vështirë./REPORTER.AL
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.