Flet Kryetari i Shoqatës së Hotelerisë Shqiptare, z. Zak Topuzi
Si ka qenë kërkesa e vizitorëve të huaj për të frekuentuar njësitë akomoduese shqiptare gjatë vitit 2017?
Ka qenë një vit i mbarë për Europën, por edhe Ballkanin. Situata favorizuese politike në rajon këtë vit ka rritur sigurinë, duke sjellë një risi: rritje disa herë të numrit të turistëve që kanë zgjedhur të lëvizin nga Veriu në Jug të Shqipërisë, “familjarisht”, duke përdorur të gjitha llojet e turizmit. Vlerësimet kanë qenë pozitive duke u nisur nga fakti: “Të përgatitur për të parë një Shqipëri më keq, por përvojat pozitive që kanë përjetuar kanë qenë befasuese”.
A u reflektua me ulje çmimi aplikimi i taksës 6% në turizëm?
Ka qenë një vendim i rëndësishëm për industrinë e turizmit. Aplikimi në mesin e muajit qershor 2017 solli vështirësi, për shkak të kontratave të mbyllura më parë. Në takimin e organizuar në muajin nëntor mes DPT dhe hoteleve, lidhur me formalizimin e tregut, nga DPT, u raportuan 41% më shumë të ardhura nga TVSH e hoteleve. Ky është një lajm i mirë që vërteton edhe një herë se ulja e TVSh i shërbeu formalizimit të tregut.
Procesi paralel që duhet të zhvillohet gjatë vitit 2018, “Klasifikim me yje & Standardizim” do të bëjë renditjen reale të njësive akomoduese. Ulja e TVSh do të nxisë rritjen e kapaciteteve akomoduese, kryesisht të resorteve e hoteleve me kapacitete të mesëm e të madh, duke afruar kontingjentin e klientëve që kërkojnë cilësi e llojshmëri shërbimesh. Rritja e kapaciteteve akomoduese, zgjatja e sezonit, zgjerimi i fashove të shërbimit për çdo kategori pushuesish do të krijojë mundësi të paguhet më pak për të njëjtin shërbim që ka marrë një klient përpara uljes së TVSh. Ky proces do të sjellë, në mënyrë graduale, ulje të çmimit.
Çfarë ofron turizmi shqiptar krahasuar me rajonin?
Shqipëria është vlerësuar si një vlerë e shtuar për Ballkanin. Falë reklamave të mediave të huaja kemi një përmirësim të dukshëm të imazhit. Në anët pozitive, mund të rendisim:
-Diversitet klime e territore ende të virgjëra, kombinuar me stabilitetin politik rajonal
-Disa asete të rëndësishme të UNESCO-s e antikitetit
– Gastronominë si pikë të rëndësishme
– Përmirësim të ndjeshëm të infrastrukturës rrugore
– Sjellje miqësore ndaj turistëve e komunikimi në shumë gjuhë.
– Rrugë të detyrueshme kalimi, jo vetëm për turistët që vizitojnë Ballkanin.
Problemet:
-Mungesë të kapaciteteve akomoduese për turizmin e rërës e të detit, kryesisht resorte apo hotele me 4-5 yje, ato të shërbimeve të plota “All Inclusive”, duke sjellë sezonalitet të shkurtër vetëm 45-60 ditë
– Mungojnë politika fiskale konkurruese, rajoni stimulon çdo sektor që ka lidhje indirekte me industrinë turistike, sigurisht dhe punonjësit jashtë sezonit turistik.
-Zhvillime kaotike dhe mungesë tradite në turizëm
– Probleme me standardet
– Infrastrukturë e dobët shërbimi e menaxhimi, me mungesa të theksuara të stafeve profesionale e të trajnuar në bashki apo struktura hoteliere, ndotja e mjedisit, përpunimi i mbetjeve e ujërave që derdhen në det, furnizimi me ujë, energjia elektrike, menaxhimi i bregdetit, rikonstruksionet e vazhdueshme të përsëritura të rrugëve e qendrave urbane në kulmin e sezonit turistik.
– Mungesa e një transporti publik si element shumë i rëndësishëm për turistët.
Sipas qeverisë, hotelet me 5 yje do të përjashtohen të paktën 10 vjet nga taksat. Çfarë efektesh mendoni se do të ketë?
Ka shumë zëra kritikë që i shqetëson më tepër transparenca për këto investime dhe përzgjedhja me VKM sesa stimulimi konkret, kur ka një ligj turizmi që ka përcaktuar qartë standardet që duhet të plotësojë një investitor, qoftë dhe potencial, për të ndërtuar e për të përfituar lehtësitë fiskale.
Turizmi është kthyer në një industri të rëndësishme për Europën. Kemi një qasje pozitive të BE-së ndaj turizmit me rekomandime për politika fiskale lehtësuese që nga viti 2006 (bazuar në direktivat e BE-së 2006/112/EC dhe 2009/47/EC). Vendimi i fundit i qeverisë për reduktimin e TVSh-së në masën 6% në sektorin e akomodimit, bazuar në këto rekomandime, e kthen Shqipërinë në fashën e një “tregu konkurrues rajonal për investime në industrinë turistike”. Vendit i mungojnë kapacitetet akomoduese për turizmin e rërës e të detit dhe ka hapësira e resurse të pashfrytëzuara për t’u shërbyer këtyre investimeve.
Do të ishte e udhës nga qeveria t’i paraprinte me “Strategjinë e përgjithshme dhe Masterplanin e përgjithshëm të Turizmit” për të krijuar një klimë të qetë, pa cenuar industrinë ekzistuese. Përcaktimi i zonave për investime strategjike me lehtësi fiskale mund të shërbejnë fare mirë për të thithur investitorë potencialë. Mendoj se e vetmja mënyrë e suksesshme që aplikohet sot, është modeli Franchising, ndërtimi nga një investitor i fuqishëm vendas, por dhe i huaj (ka më pak mundësi) dhe përdorimi i një marke të njohur për menaxhimin e strukturës.
Këto zhvillime do të ishin me interes për vendin, do të krijonin mundësinë e një sezoni të shtrirë në kohë, duke vitalizuar këto zona, sigurisht që do të ndihmonte dhe strukturat ekzistuese që janë kryesisht menaxhim familjar. Sigurisht do të sjellë inflacion dhe çorientim të çmimeve. Do ketë një çekuilibrim të tregut të punës, por masat e marra për forcimin e shkollave profesionale drejt modelit gjerman shpresoj të jenë në kohë me vënien në shfrytëzim të tyre. Kapërcimi i menjëhershëm i investimeve, në turizmin elitar, do të jetë një ndërmarrje e vështirë për qeverinë.
Një parashikim për vitin 2018 sipas jush?
Nga raportet e vendeve fqinje, gjatë viteve të fundit kemi rritje të moderuar me mbi 15% në vit të numrit të turistëve duke pasur dy veçori:
a – lëvizje më të shpeshta, numër më të kufizuar net-qëndrime, të ardhura në rritje në proporcion me rritjen e numrit të lëvizjeve.
b- rritje 100% të numrit të turistëve nga vendet e Europës Lindore që nuk kërkojnë standarde të larta.
Kjo veçori mund të përkthehet dhe për Shqipërinë, duke qenë se turet ballkanike kanë si rrugë kalimi e pjesë të paketës turistike edhe Shqipërinë. Mendoj se i njëjti trend rritjeje do të jetë për vitin 2018, pra një rritje në kufijtë 15-16%. Kjo kërkon vëmendje karshi një tregu të ri, i cili nuk ka kërkesa si tregu europian, por është shumë delikat e mund të largohet në rajon po të jetë se defektet e vërejtura gjatë sezonit 2017 nuk riparohen në kohë.
Ne nuk kemi përvojë ndaj shërbimit “All Inclusive”, ndaj investimet në hotelet me pesë yje do të ndihmojnë në tërheqjen e një target-grupi që siguron të ardhura e punësim të lartë. Ulja e TVSh ju dha frymëmarrje njësive akomoduese të përdorin në sezon diversitet çmimesh apo çmime shitje “last minute”, pasi u ulën ndjeshëm kostot fikse.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.