Përtej spektaklit politik, bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës po vuan një mungesë të dukshme besimi. Bizneset në dy anët e kufirit kërkojnë nga ekspertët dhe ekonomistët që të hartojnë me urgjencë programe të përbashkëta për unifikimin e politikës së taksave, kurrikulave arsimore dhe bashkimit të doganave në shërbim të krijimit të tregut të përbashkët. Bizneset propozojnë regjim tregtar si modeli i BE-së dhe njehsim të barrës fiskale
Blerina Hoxha
Para dhjetë vitesh, kur pavarësia e Kosovës ishte në prag dhe Rruga e Kombit ishte në kulmin e punimeve, pritshmëritë e ekspertëve për zhvillimet ekonomike pas këtyre dy ngjarjeve ishin të mëdha. Shkurtimi i distancës nga më shumë se 12 orë në vetëm 3-4 orë nga Prishtina në Tiranë dhe Kosova e pavarur duket se ishin indice të mjaftueshme për të krijuar së paku një bashkëpunim të lartë ekonomik, përpos mundësive të kufizuara për të hequr kufijtë fizikë. Por ëndrra ka mbetur vetëm e tillë, pasi bilanci i një dekade të shkuar tregon shumë pak. Tregtia është rritur me 124% nga 2008, por baza e ulët nga ku nisi nuk i bën shifrat entuziaste. Sot, Kosova është e 18-a në listën e partnerëve tregtarë të Shqipërisë, ndërsa Shqipëria është partneri i tretë tregtar i Kosovës. Historia e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy shteteve të të njëjtit komb është e mbushur më shumë me konflikte se sa me bashkëpunim, teksa vullneti politik ka mbetur vetëm një makijazh për demagogji.
Ekonomia e shteteve tona është komplementare dhe në vend që politikat të çonin në harmonizim projektet për tregjet, “lufta” tregtare e ka dominuar.
Të dy vendet kanë bujqësinë në themel të ekonomisë, por nuk janë konkurruese, pasi Shqipëria e ka sezonin më herët dhe prodhon asortimente që nuk kultivohen në Kosovë. Shqipëria prodhon energji nga uji, Kosova nga TEC-et, Shqipëria ka turizmin e detit, Kosova ka malin, Shqipëria prodhon naftë, Kosova jo. Të dyja së bashku kanë forcën e punës me moshën më të re dhe nëse do të kishim politika ekonomike fiskale të njëjta, do të ishin një ofertë mjaft konkurruese për investitorët. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhalliu, thotë se tashmë ekonomistët dhe ekspertët e dy anëve të kufirit duhet të hidhen në veprim. Nuk ka më kohë për të humbur, pasi politika ka dështuar të bashkojë ekonominë.
“
Të mos merremi me arsyet pse ky bashkëpunim mungon, por të ulemi të gjejmë zgjidhjet” – propozon ai.
Grupet e ekspertëve duhet të ulen dhe të hartojnë një program të përbashkët, ku në themel të jetë harmonizimi i taksave dhe tatimeve, njësimi i programeve arsimore, politikat e zhvillimit në shërbim të tregut të përbashkët dhe më pas qeveritë në të dy anët ta kenë në krye të axhendës, thotë Gërxhalliu.
Teksa bizneset nga Kosova nuk ndiejnë shumë komfort në Shqipëri, e kundërta ndodh me bizneset e Tiranës në Prishtinë. Shqipëria radhitet si vendi i shtatë për Investime të Huaja Direkte në Kosovë, e përfaqësuar me biznese të mëdha të tilla si banka, kompani sigurimi, kompani ndërtimi dhe tregti me shumicë. Në Kosovë numërohen 1400 biznese nga Shqipëria. Ndërsa investimet e Kosovës në Shqipëri pozicionohen në vendin e 18-të dhe të përfaqësuar kryesisht nga biznese të tregtisë dhe njësi të vogla shërbimi si restorante, furra buke etj., vetëm 411 biznese.
Avni Ponari, nga kompania e sigurimeve, Sigal, që ka aktivitet në dy anët e kufirit, tha se kushtet e të bërit biznes në të dyja vendet janë të njëjta. Si problematikat ashtu edhe avantazhet janë të njëjta, – tha Ponari, i cili shpjegoi se kjo vjen për shkak të mentalitetit të njëjtë.
Për Bedri Kasumin, i cili zotëron një kompani të prodhimit dhe tregtimit të patates, Vipa-Pestova të bësh biznes në Shqipëri fillimisht nuk ka qenë e lehtë, procedurat dhe barrierat doganore ishin shumë të vështira, por së fundmi situata ka ndryshuar. Kasumi propozon që Shqipëria dhe Kosova, në marrëdhëniet tregtare, duhet të adoptojnë modelin e Bashkimit Europian.
Përparim Tushaj, Administrator i ConsultingALB me aktivitet në Shqipëri dhe Kosovë, thotë se fatkeqësisht bizneset nga Kosova nuk kanë rezultuar të suksesshme në Shqipëri. Për këtë, pjesa më e madhe e tyre kanë ndryshuar formën e organizimit duke krijuar bashkëpunim me kompani të Shqipërisë për të shitur produktet e tyre. Tushaj thotë se duhet të bëhet orientimi i investimeve në projekte me interes të përbashkët, me qëllim që investimet të bëhen për një treg 5-6 milionë dhe të përgatiten strategji të qarta e të rëna dakord me komunitetet e biznesit. Ai këshillon që, qarkullimi i lirë i fuqisë punëtore në vendet respektive të bëhet sipas shembullit të BE-së.
Arben Shkodra, nënkryetar i Dhomës së Tregtisë në Tiranë, pohon se ka një klimë mosbesimi ndërmjet palëve, gjë e cila rrezikon avancimin e bashkëpunimit dhe perspektivën e vendeve tona drejt një ekonomie kombëtare. Kjo, sipas Shkodrës, reflektohet në luhatjet e mëdha të tregtisë ndërmjet dy shteteve.
Shkodra propozon që qeveritë të nxisin mekanizmat për krijimin e ndërmarrjeve të përbashkëta dhe shfrytëzimin e resurseve komplementare. Qeveritë e dy vendeve duhet të hartojnë një plan strategjik për ekonomi kombëtare komplementare dhe të implementojmë një sistem fiskal të unifikuar. Gjithashtu duhet të përgatiten kushtet për heqjen e pikave doganore.
Tregtia, modeli të jetë si në BE
Bizneset në Shqipëri dhe në Kosovë, ekspertët gjithashtu, kanë propozuar që vendet duhet të zbatojnë modelin e tregtisë së lirë që aplikon BE-ja.
Bedri Kasumi i kompanisë së patateve “Pestova” pohon se Shqipëria dhe Kosova nuk duhet të funksionojnë si tregje të ndara. Ekonomitë tona e plotësojnë njëra-tjetrën, janë komplementare dhe jo konkurruese, ndaj shtetet duhet urgjentisht të aplikojnë modelin e tregtisë pa dogana të BE-së.
Aktualisht Kosova dhe Shqipëria e zhvillojnë tregtinë ndërmjet tyre sipas modelit të CEFTA-s të nënshkruar në vitin 2007. CEFTA (Central European Free Trade Agreement) është një marrëveshje e tregtisë së lirë në të cilën marrin pjesë tetë vende të rajonit të Ballkanit Perëndimor: Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Moldavia. Kjo marrëveshje është e nënshkruar ndërmjet qeverisë shqiptare dhe UNMIK, por lejon kufizime në tregti, sidomos në kuotat në tregtinë e prodhimeve bujqësore. CEFTA i lejon marrëveshjet dypalëshe për tregtinë, por ekspertët vlerësojnë se një e tillë nuk mund të jetë kurrë kaq e thellë sa përcaktimet e CEFTA. Gërxhalliu dhe Shkodra, nga dhomat e tregtisë në Kosovë dhe Shqipëri pohojnë se marrëveshja dypalëshe mund të shmangë CEFTA-n dhe të adoptojë modelin e BE. Ky model e ka tregtinë të lirë dhe pa barriera tarifore dhe përdor një kurs të njehsuar këmbimi. Kjo do të thotë se një kamion me mallra të mos ndalojë nga Prishtina në Durrës, dhe TVSH-ja të paguhet në Tiranë.
Marrëdhëniet tregtare ndërmjet dy vendeve reflektojnë dobësitë strukturore të ekonomive respektive. Eksportet janë lëndë të para dhe prodhime bujqësore pa ndonjë vlerë të shtuar. Ndërsa Shqipëria dhe Kosova e kanë ekonominë të profilizuar në konsum, i cili në të dy shtetet financohet nga prurjet e emigrantëve në një masë të madhe.
Teksa blloku i Lindjes u shkëput nga regjimi totalitar, Kosova dhe Shqipëria u gjendën në kushte të ndryshme, pa një histori bashkëpunimi ekonomik dhe partner tregtar të ndryshëm. Në fund të vitit 2016, eksportet drejt Kosovës zunë vetëm 6.7% të totalit, teksa ato panë një rënie në vlerë me gati 20% në krahasim me vitin 2015. Mallrat më të eksportuara me Kosovën janë produktet e naftës dhe të hekurit, vaji, çimento, frutat dhe perimet.
Importet janë në nivele të ulëta. Shqipëria importon nga Kosova vetëm 2.9% të totalit. Më 2016, ato arritën në vetëm 5.8 miliardë lekë dhe dominohen kryesisht nga pijet, artikuj të gizës, teksa shihet se vitet e fundit janë rritur ndjeshëm importet e drithërave.
Megjithatë, flukset tregtare të Kosovës nuk zënë as 3% të volumit tregtar të Shqipërisë me jashtë. Që në vitet e para të tranzicionit, kur Kosova ishte e pandarë nga juridiksioni serb, Shqipëria vuri lidhje tregtare me Italinë. Sot, partnerët tregtarë të Shqipërisë janë vendet e BE-së, teksa Kosova kishte burimet tradicionale të furnizimit të saj me mallra Serbinë dhe ish-republikat e tjera të ish-Jugosllavisë.
Përparësitë e një tregu unik
Për shkak të bazës së ulët, rritja ekonomike si në Shqipëri dhe Kosovë është më e larta në rajon, përkatësisht 2.2 dhe 4% në vitin 2015, por të ardhurat për frymë janë në nivelet më të ulëta në rajon.
Në kontekstin fiskal, Shqipëria ka barrë më të lartë fiskale se Kosova. Shqipëria ka TVSH 20%, ndërsa Kosova ka sistemin dy nivelesh 18 dhe 10%. Gjithashtu tatimi mbi fitimin për bizneset me xhiro vjetore mbi 50 mijë euro në Kosovë është 10%, ndërsa Shqipëria për bizneset e mëdha me xhiro 8 milionë lekë në vit taton me 15% fitimet.
Kosova ka një sistem më të butë progresiv për pagat, sidomos për nivelet më të larta dhe ka shumë më të ulëta se Shqipëria taksat e punës.
Dy shtetet kanë strukturë të ngjashme të ekonomisë. Bujqësia zë 10% të strukturës së PBB-së në Kosovë dhe në Shqipëri mbi 23%. Sektori i industrisë zë më shumë se 10% të PBB-së së Kosovës, ndërsa në Shqipëri 11%. Sektori i tregtisë zë 12% në Kosovë dhe po kaq zë edhe në PBB-në e Shqipërisë. Edhe sektorët e tjerë kanë peshë të ngjashme. Përpos shumë ngjashmërive në strukturën ekonomike, mentaliteti është i njëjtë në të dy anët e kufirit dhe këto elemente janë të mjaftueshme për të krijuar një treg të përbashkët unik, thotë Gërxhalliu nga Oda Ekonomike e Kosovës.
Kosova ka një sipërfaqe 11 mijë kilometër katrorë dhe një popullsi prej 2 milionë banorësh, Shqipëria ka një sipërfaqe 28 mijë kilometër katrorë dhe një popullsi prej 2.8 milionë banorësh. Nëse do të unifikoheshin rregullat e tregtisë dhe taksat dhe politikat ekonomike, tregu i përbashkët do të kishte rreth 5 milionë konsumatorë në një territor prej 39 mijë kilometrash katrorë. Në këtë mënyrë, shqiptarët do të krijonin bashkësinë më të madhe në rajon pas Serbisë. Duke pasur ende forcën e punës në kulmin e produktivitetit, Kosova dhe Shqipëria në një treg unik do të ishin një ofertë joshëse për kompanitë e huaja, si në aspektin e tregtar ashtu dhe në prodhim e manifakturë. Kjo dëshirë e hershme e bizneseve për një treg unik, në fakt, nuk është bërë pjesë e axhendave të përbashkëta të qeverive edhe pse spektakli në këtë drejtim nuk ka munguar.
Por tani kur bota është përfshirë në një cikël të gjatë krize, shtetet të vogla të tilla si Shqipëria dhe Kosova, do të duhen të bashkohen në tregje më shumë si nevojë emergjente për mbijetesë se sa për dëshirë patriotike. Madje Serbia dhe Kryeministri saj Aleksandër Vuçiç ka propozuar krijimin e një unioni tregtar pa dogana në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Mungon nacionalizmi ekonomik
Përtej deklaratave për bashkëpunim dhe vullnet të mirë, në themel shqiptarëve në të dy anët e kufirit u mungon nacionalizimi ekonomik. Kjo shihet qartë te mungesa e besimit që konsumatorët e dy shteteve kanë te mallrat e njëri- tjetrit. Jo vetëm që nuk ka besim, por në shumë raste ka edhe diskriminim. Gërxhalliu nga Oda Ekonomike e Kosovës pohon se në Shqipëri, për të njëjtin produkt janë të preferuara më shumë kompanitë italiane dhe greke se sa ato nga Kosova. Ndërsa Tushaj nga ConsultingALB, thotë se kompanitë nga Kosova nuk kanë mundur të çajnë në tregun e Shqipërisë dhe shpeshherë janë detyruar të bashkëpunojnë ose të bëjnë ortakëri me bizneset atje për të shitur produktet e tyre. Ndryshe ndodh me mallrat shqiptare në Kosovë. Nafta e prodhuar në Shqipëri shitet masivisht në Kosovë dhe gjithashtu, kompanitë shqiptare janë prezente në sektorët e financave dhe ndërtimit. Madje në Shqipëri nuk ka arritur të zhvillojë aktivitetin edhe Behxhet Pacolli një nga biznesmenët më të fuqishëm nga trevat shqiptare me aktivitet në shumë kontinente. Pacolli ka hapur zyrat e tij në Shqipëri që në vitet e para të tranzicionit, por nuk ka mundur të zhvillojë asnjë aktivitet me kompanitë e tij të sektorit të ndërtimit, edhe pse propozimet kanë qenë me vlera miliarda dollarë. Ndërkohë në sirtarët e qeverisë qëndron një propozim i Mabetex Group për të ndërtuar një resort turistik të nivelit të luksit në Divjakë, që do të kushtojnë mbi 1 miliard dollarë. Por qeveria shqiptare ende nuk e ka hapur dritën jeshile për zhvillimin e tij.
Nënkryetari i Dhomës së Tregtisë, Arben Shkodra, ka vënë në dukje se ekziston një frymë mosbesimi. “Ka një perceptim të gabuar në lidhje me produktet shqiptare dhe duhet që ta thyejmë këtë mentalitet”, pohon Shkodra.
Problematikat
-Mosfunksionimi si duhet i praktikave që mundësojnë lëvizjen e shpejtë të mallrave mes dy vendeve tona
-Mungesa 24 orë e përfaqësuesve fitosanitarë në pikat doganore që e bëjnë të vështirë qarkullimin në kohë të produkteve ushqimore
-Rënia e ndjeshme e eksportit nga Shqipëria drejt Kosovës dhe e kundërta, ka lënë hapësira për vendet e tjera në përmbushjen e boshllëkut të krijuar.
-Mungesa e planifikimeve konkrete dhe bashkëpunimit konkret nëpërmjet qeverive përkatëse
-Ekziston një klimë mosbesimi ndërmjet palëve, gjë e cila rrezikon avancimin e bashkëpunimit dhe perspektivën e vendeve tona drejt një ekonomie kombëtare.
-Pamundësia e implementimit të tregut të përbashkët energjetik, për shkak të pengesave politike të krijuara nga Serbia.
Propozimet
-Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë dhe Oda Ekonomike e Kosovës angazhohen të ngrenë dialogun në nivelin maksimal për krijimin e besueshmërisë së produktit dhe bashkëpunimit ekonomik.
-Promovimin e mundësive dhe nxitjen e mekanizmave për krijimin e ndërmarrjeve të përbashkëta dhe shfrytëzimin e resurseve komplementare.
-Organizimin e aktiviteteve të përbashkëta nëpërmjet panaireve, workshop-eve dhe forumeve në Tiranë dhe Prishtinë, me qëllim promovimin e produkteve të të dyja vendet.
-Qeveritë e dy vendeve duhet të hartojnë një plan strategjik për ekonomi kombëtare komplementare.
-Hartimin dhe implementimin e sistemit fiskal të unifikuar mes dy vendeve.
-Përgatitjen e kushteve për heqjen e pikave doganore.
-Ngritjen në mënyrë institucionale të dialogut publik-privat, kjo në shërbim të konferencës së integrimit rajonal Berlin-Vjenë-Paris-Romë, si dhe në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
-Po kështu kërkohet nga qeveritë e të dy vendeve që krahas mbledhjeve të përbashkëta të tyre, të koordinohet dialogu me Dhomat e Tregtisë dhe të bëhet transparente axhenda e tyre dhe si është realizuar ajo.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.