I kemi nënvlerësuar njerëzit dhe robotët kanë ngadalësuar prodhimin. Një deklaratë e tillë tingëllon vërtet e çuditshme në botën e teknologjisë, aq më shumë nëse është thënë nga Elon Musk, një vizionar që ka ndërtuar karrierën e tij mbi të ardhmen.
Krijuesi i Paypal dhe sot patroni i Tesla-s, Musk, është njeriu që përherë të parë ka sjellë pilotin automatik në treg dhe synon ndërtimin e tuneleve antitrafik dhe trenave që lëvizin nga një mijë kilometra në orë.
Ngadalësimi për Model 3
Një hap pas te robotët tingëllon edhe më e çuditshme nëse është thënë nga Elon Musk. Në një intervistë për televizionin amerikan Cbs, Musk pranoi se besimi i tepërt tek robotët përfundoi me ngadalësimin e prodhimit të Model 3 (makinë elektrike). Pavarësisht 500 mijë porosive, makina ka pasur vonesa të shumta dhe sot realizohen 2 mijë automjete në javë përkundër 500 mijë që parashikohej të arriheshin që në dhjetorin e kaluar. “Po, e kanë bërë…” – pranoi Musk lakonik mbi robotët që kanë ngadalësuar prodhimin.
“Njerëzit janë nënvlerësuar”
Por jo vetëm. Në një tweet, njeriu i së ardhmes kthehet me këmbë në tokë. “Po, automatizimi i tepruar i Tesla ishte një problem” – shkruan Musk. “Për të qenë më të saktë, ishte gabimi im. Njerëzit janë nënvlerësuar”.
Njeriu që ëndërronte që makineritë të ndërtonin pajisje të tjera, u përball me realitetin e ashpër, dhe blerësit që duhet të presin ende gjatë për një makinë që e kanë porositur më 31 mars 2017, pa ditur asgjë, duke i besuar kompanisë.
“Nuk duhet të ketë dyshime mbi faktin që të gjithë do ta marrin makinën e tyre, – thotë Musk në TV. – Por do të duhen 6 – 9 muaj më shumë se parashikimi”. Nga këto, tre muaj kanë kaluar dhe kushedi nëse Tesla do t’i respektojë afatet.
Tesla në krizë?
Në intervistën e tij, Musk u përball edhe me çështjen ekonomike. Robotë ose jo, vonesat në prodhim po e gjunjëzojnë kompaninë e tij. Muajin e kaluar, aksionet zbritën nga 340 në 252 dollarë.
The Economist shkruante se Tesla ka nevojë për të paktën 2,5 miliardë dollarë të tjerë, por Musk i përgjigjet, me stilin e tij direkt dhe pa dorashka: “The Economist, njëherë e një kohë ishte e mërzitshme por edhe inteligjente. Sot është vetëm e mërzitshme. Tesla do të jetë fitimprurëse dhe qarkullimi i parasë do të rritet në tremujorin e tretë dhe të katërt, kështu që nuk është e nevojshme për të mbledhur fonde”. Vështirë të parashikosh nëse do të jetë e vërtetë, por për momentin të gjitha gjasat janë kundër tij dhe Musk duhet të punojë shumë për të ndërtuar një imazh që po zbehet gjithnjë e më shumë.