Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka lëshuar një deklaratë të fortë rreth çështjes së shumë-përfolur të administrimit të Trepçës. Ndërkohë që minatorët janë ende në grevë dhe shëndeti i tyre rrezikohet, kryeministri deklaron se nuk do të negociohet me askënd për Trepçën dhe për asnjë pjesë të vendit. Kjo deklaratë vjen pas asaj të kryeministrit serb Vucic i cili tha se Mustafa se ndërmarrjet shoqërore të Kosovës janë të tij dhe në këtë mënyrë, thotë Mustafa, po mashtron qytetarët serbë.
Deklarata e Kryeministrit Isa Mustafa
Vuçiq, krizën e tij ekonomike në Serbi po tenton ta bartë në Kosovë. Dhe për fat të keq, në opinion po plasohet më shumë se çfarë po thotë ai, sesa si po veprojmë ne në vendin tonë dhe me pronat tona. Ai mund të thotë që të gjitha ndërmarrjet shoqërore janë të tij, për ta mashtruar qytetarin serb, por ne e dimë që të gjitha ato janë tonat dhe s’ka pse brengoset askush. Askujt nuk I nevojitet leje me hy në pronën e vet, por Vuçiqit i duhet leje me hy në çdo pjesë të Kosovës, sepse ne jemi zotët e këtij vendi, dhe nuk negociojmë për pronën e asnjë pjese të vendit tonë me askënd.
Vendimin, i cili krijoi kushte që Trepça të ballafaqohet me falimentim nga data 2 shkurt, nuk e solli Serbia, por Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovë, vendorët dhe ndërkombëtarët. Por Kuvendi i Republikës së Kosovës, me ndryshimin e ligjit për organizimin e ndërmarrjeve evitoi mundësinë e falimentimit. Qeveria dhe Kuvendi janë të ndërgjegjshme të marrin të gjitha vendimet dhe masat më të mira për këtë kombinat dhe për ardhmërinë e këtij vendi.
Ne duhet ti zgjidhim problemet tona duke i peshuar mirë, pa kushtëzime dhe jo me politika populliste, sepse ky vend duhet të stabilizohet dhe të gjithë ne duhet të jemi të përgjegjshëm për nevojën e stabilizimit të tij.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.