Një muze në Sllovaki do t’ju çojë pas në kohë e do t’ju ngjallë kujtime, atëherë kur gjërat në teknologji ishin më të thjeshta. Mijëra telefona të vjetër celularë, të cilët mund të jenë vetëm një dekadë të vjetër, të ekspozuar në Múzeum Mobilov në Dobšiná, duken pak si të çuditshëm sot, kur shumë njerëz në xhepat e tyre mbajnë nga një smartphone.
Múzeum Mobilov në Dobšiná është një muze privat në Sllovaki, i cili përbëhet nga një koleksion privat celularësh të vjetër. Sipas Reuters, ideuesi i këtij muzeu është Štefan Polgári, 26 vjeç, i cili ka mbledhur një koleksion celularësh për t’ua treguar gjeneratave të ardhshme.
Ai i vendosi ato në rafte në shtëpinë e tij, në qytetin e Dobšiná, në pjesën lindore të vendit, ku gjithë të interesuarit mund të vijnë dhe t’u hedhin një sy.
Meqenëse është një koleksion privat, nëse jeni të interesuar për të vizituar këtë muze, ju duhet të rezervoni përpara në faqen zyrtare të tij. Kur ju të hyni brenda, ju do të mrekulloheni nga modelet e hershme të Samsung, Nokia, Motorola, Sony-Ericsson e shumë të tjera – dhe të ndieni nostalgji për kohët e vjetra, të bukura, kur jo të gjithë kishin një smartphone në xhep, për t’i ndihmuar në punët e tyre të përditshme.
Muzeu është një ilustrim i shpejtësisë me të cilën ka ndryshuar teknologjia. Štefan inkurajon gjithë ata që kanë një telefon të vjetër (koleksionin mund ta shihni në faqen e tij në Facebook) ta dërgojnë në muze, i cili duke iu mbuluar gjithë shpenzimet e dërgesës.
Burimi: Lonely Planet