MWC 2018, jo vetëm smartphone

12/03/2018 10:43 AM 0 komente

Nga kufjet për t’u dobësuar tek aplikacionet për të parë përtej mureve

 

Kufjet për t’u dobësuar

Quhet Modius, e ka shpikur një neuroshkencëtar i ri nga San Diego dhe ka mbledhur më shumë se dy milionë dollarë nga shitjet nëpërmjet platformës Indiegogo. Për të kuptuar se nuk bëhet fjalë për një fenomen kaq të çuditshëm, mjaft të shpjegojmë se për çfarë shërben: pajisja Modius është menduar që t’ju ndihmojë që të dobësoheni. Si? Mjaft që ta vishni si një kufje dhe ta lidhni me sensorë që fiksohen prapa veshëve për 45 minuta në ditë. Kjo gjë, siç pretendojnë prodhuesit, do të jetë efikase për ata që e përdorin për të rënë në peshë dhe për të reduktuar masën dhjamore të trupit. Modius, nëpërmjet një sinjali elektrik stimulon nervin vestibular.

Ky i fundit aktivizon Hipotalamusin, një pjesë e trurit me përmasat e një bajameje që është përgjegjëse në rregullimin e disa proceseve metabolike dhe aktivitetesh të tjera të sistemit nervoz autonom.
Rritja apo humbja në peshë varen nga truri, që kontrollon urinë, hormonet, nivelin e metabolizmit, sasinë e yndyrës që magazinoni etj., – shpjegon krijuesi Jason McKeown.

Modius zgjidh këtë problem duke stimuluar nervin vestibular dhe duke aktivizuar kështu Hipotalamusin, epiqendrën e të gjitha proceseve. Nëpërmjet një kërkimi teknologjik dhe neurologjik të avancuar është zbuluar se sistemi vestibular ka ndikim të madh në aftësinë e njerëzve për të humbur dhe për të ruajtur peshën.

 

Aplikacioni për të marrë telefonata falas nga e gjithë bota

Sa herë ju ka qëlluar, gjatë një udhëtimi përtej oqeanit, të shmangni t’u përgjigjeni telefonatave për të mos shpenzuar shifra të pallogaritshme. Duke instaluar aplikacionin InstaVoice ReachMa, të gjithë telefonatat që do të merrni janë falas, kudo që të ndodheni.

 

Kufjet me përkthyes të menjëhershëm

Me to mund të dëgjoni muzikë ose të flisni normalisht në telefon, por risia e kufjeve wireless Waverly labs është mundësia për të përkthyer 15 gjuhë. Kështu që ju mund të flisni në telefon me një francez, me një rus apo me një anglez dhe të dëgjoni përkthimin e menjëhershëm në gjuhën tuaj.

 

Doni të shihni se çfarë ka përtej murit?

Quhet Walabot dhe është një aplikacion që shfrytëzon fotokamerën e smartphone tuaj “për të parë” nëpërmjet mureve. Doni të dini nëse pas një muri ka një tub? Mjaft që të mbështesni smartphone-n mbi mur dhe të aktivizoni aplikacionin. Sigurisht që përdoret më tepër nga arkitektët dhe muratorët, por është i dobishëm edhe për të monitoruar rrjedhje të mundshme të ujit dhe për të parandaluar defekte të rënda hidraulike.

 

Smartphone trendy për të moshuarit

“Mjaft më the se kam nevojë për një telefon për të moshuar” është kjo shprehja e shtypur mbi fytyrën e hijshme me flokë të bardha (edhe pse jo dhe aq të moshuar) në broshurat e Emporia. Kompania austriake propozon smartphone me përdorim të thjeshtë, por shumë të ngjashëm me modelet më të kërkuara në treg.

 

“Kutia” që mbron shtëpinë

Bitdefender Box 2 është një pajisje “cybersecurity” që mbron shtëpinë ndaj krimit kibernetik dhe gjithë pajisjet IoT në jetën tonë dixhitale dhe është e përshtatshme me secilën prej këtyre pajisjeve.

 

Telefoni i pashkatërrueshëm

Është versioni i fundit Cat S61 dhe ka një kamerë termike FLIR të integruar me një software të fuqizuar për të arritur një kontrast më të madh në imazh, një interval temperature që shkon deri në 400 gradë Celsius dhe një azhurnim të telekamerës nga tipi VGA në një tip me qartësi të lartë imazhi.

Këto funksione të reja dhe përmirësimet mundësojnë një sërë rastesh të reja përdorimi, ndër të cilat diagnostikimi i problemeve të makinave, monitorimi i asfaltit dhe të pajisjeve me temperaturë të lartë përveç përdorimeve të shumta tradicionale si p.sh., monitorimi i humbjeve termike përreth dyerve e dritareve, monitorimi i lagështirës dhe gjetja e zonave ku mungon izolimi, identifikimi i pajisjeve elektrike të mbinxehura apo të rrjetit elektrik të mbingarkuar, shikimi në errësirë totale apo në ambiente me mjegull apo me tym.

 

Karikuesi i baterisë në distancë

Energous Corporation ka zhvilluar WattUp, një teknologji rikarikimi power-at-a-distance pa kabllo. Bëhet fjalë për një pajise në gjendje të karikojë në distancë pajisjet mobile, përfshirë smartphone, aparatet e dëgjimit etj. Kjo teknologji shfrytëzon valët e radios për të karikuar bateritë e pajisjeve. Sistemi i ri funksionon edhe kur pajisja është larg katër-pesë metra.

 

Burimi: Corriere della Sera

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of