MWC 2018, Sony prezanton kufjet Xperia Ear Duo që kontrollohen duke lëvizur kokën

27/02/2018 3:04 PM 0 komente

Sony, jo vetëm smartphone

Sony përqafon (më së fundi) valën e ekraneve “full screen” 18:9 dhe, e veçantë ndër kompanitë e pranishme në Mobile World Congress 2018, vendos të sfidojë Samsung S9 me dy smartphone të cilësisë së lartë, Xperia XZ2 e XZ2 Compact.

Por risia më origjinale janë kufjet “smart” Xperia Ear Duo. Falë tyre ju mund të dëgjoni muzikë duke mos e humbur kontaktin me mjedisin përreth, dhe në të njëjtën kohë ju japin të dhëna të dobishme në varësi të vendit ku ndodheni.

 

Sony Xperia XZ2

Sony Xperia XZ2 bëhet modeli i ri i top gamës së Sony, me një dizajn të ri. Sony Xperia XZ2 ka ekran 18:9 Full HD+, 5,7 inç me suport HDR. Për lojërat, Sony ka integruar sistemin Dynamic Vibration System (duhet t’i afrohet në funksionim Motion Engine të Apple). Nëpërmjet fotokamerës Motion Eye ju mund të realizoni video në 4K HDR dhe të regjistroni në Super slow motion, 960 fps, me rezolucion Full HD. Fotokamera përfshin edhe funksione të para vitin e kaluar te Xperia si Predictive Capture, Create 3D etj.

Në sektorin audio, përveç altoparlantëve stereo, është e përfshirë e gjithë përvoja e Sony në këtë fushë: Hi Resolution Audio me teknologjinë DSEE HX. Sony Xperia XZ2 ka procesor Qualcomm Snapdragon 845 (i njëjti edhe tek Galaxy S9).

Sony Xperia XZ2 Compact

Sony Xperia XZ2 Compact cilësohet nga Sony si “smartphone me ekran 5 inç më kompakt në botë”. Karakteristikat janë mjaft të ngjashme me XZ2, duke nisur nga procesori Qualcomm Snapdragon 845, ekran 5 inç Full HD+ HDR dhe me karakteristikat e fotokamerës Motion Eye.

Xperia Ear Duo

Ndoshta risia më origjinale nuk janë smartphone-t por kufjet wireless stereo “open-ear”, Xperia Ear Duo, kompatibël me sistemin operativ Android dhe iOS. Ato kanë disa karakteristika të ndryshme, ndër të cilat funksioni «Dual Listening» që ju lejon të dëgjoni muzikë dhe të merrni njoftime dhe, në të njëjtën kohë, të perceptoni tingujt apo bisedat në ambientin përreth.

Po ashtu është funksioni “smart” Daily Assist, i cili njeh oraret, vendet dhe aktivitetet duke ofruar informacione të rëndësishme gjatë ditës – duke i kujtuar përdoruesit orarin e mbledhjes së ardhshme në momentin kur mbërrin në zyrë apo i lexon titujt e njoftimeve të fundit.

Ndër të tjera ekziston edhe një metodë inovative e kontrollit, që i përgjigjet lëvizjeve të kokës: sensorët lejojnë t’i përgjigjeni apo të refuzoni telefonatat hyrëse thjesht duke tundur kokën; ju mund të kaloni nga një këngë te tjetra duke lëvizur kokën nga e majta në të djathtë.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of