Hyrjet në Shqipëri të shtetasve të huaj në janar-mars kanë shënuar në totalin e tyre rritje, por ajo që spikat në shifra është një rënie e dukshme me 11.7% e hyrjeve të shtetasve nga Kosova. Në rënie janë edhe shtetasit nga Gjermania, Anglia apo Spanja. “Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin mars 2019, janë 712.983 krahasuar me mars 2018, ky tregues rezulton me rritje 17,4%. Në mars 2019, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 283.910, krahasuar me mars 2018, ky numër është rritur me 11,8%.
Numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë në tremujorin e parë 2019 është 695.027, duke u rritur kështu 4,1%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Në mars 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, SHBA ka pasur rritjen më të madhe me 74,2%, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Mbretëria e Bashkuar, me 63,8%.
Në tremujorin e parë 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe me 33,3% ndërsa uljen më të ndjeshme e kanë pasur Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 23,8%”, – vlerëson INSTAT.
Shqiptarët ikin jashtë
Por ndërsa ka më shumë të huaj që vizitojnë Shqipërinë, më shumë shqiptarë kanë udhëtuar jashtë saj. Sipas INSTAT, daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga vendi, gjatë muajit mars 2019, janë 728.817 duke shënuar një rritje me 21,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit mars 2019, janë 444.828. Krahasuar me mars 2018, ky numër është rritur 22,1%. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit mars 2019, janë 283.989. Krahasuar me mars 2018, ky numër është rritur 21,0 %. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë në tremujorin e parë 2019, është 1,249,803 duke u rritur 12,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë” thuhet në publikimin e INSTAT.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ju jepni lajme tendencioze. Lajmi eshte qe eshte rritur numri i shtetasve te huaj te hyre ne Shqiperi ne tre muajt e pare te 2019 ne krahasim me te njejten periudhe te 2018. Ndersa ju vini si titull qe na kane ‘braktisur’ gjermanet dhe kosovaret. Kete duhet ta vendosni brenda lajmit, por jo titull.