Për ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço, lufta ndaj korrupsioni ka bërë progres të kufizuar, dhe se shpesh gjyqtarët përfshihen në praktika korruptive të cilat nuk marrin ndëshkim. Sipas ministrit, klima e mosbesimit që ka përfshirë sistemin e drejtësisë duhet të ndryshohet me reforma. Naço solli në vëmendje kërkesat që ka ngritur për përmirësimin e gjyqësorit, siç është nisma për rishikimin e vlerësimit të gjyqtarëve, përmbyllja e procesit të emërimeve në gjykata administrative, dhe zgjidhja e mosemërimit të magjistratëve.
“Ministria e Drejtësisë mbetet e vendosur në vijimin e reformave në drejtësi, dhe në rritjen e besimit të qytetarëve ndaj këtij sistemi. Lufta ndaj korrupsionit gjyqësor ka bërë progres të kufizuar. Por shpesh gjyqtarët përfshihen në praktika korruptive të pandëshkuara. Nevojitet rritja e transparencës dhe eficiencës së sistemit. Një klimë e përgjithshme mosbesimi ndaj sistemit është krijuar në vend. Kjo situatë duhet të pranohet si një realitet që duhet ndryshuar, dhe duhet të koordinojmë përpjekjet tona në këtë drejtim. Reforma në këtë drejtim duhet të ndërmerren së bashku, dhe këtë ia kam kërkuar edhe KLD. Inkurajoj KLD të ecë sipas prioriteteve. Kërkoj të përmbyllet procesi i emërimeve në gjykata administrative. Kam kërkuar zbatimin e dekretit të presidentit për caktimin e numrit të gjyqtarëve të Shkallës së Parë, Administrative dhe të Apelit. Kam kërkuar të zgjidhet absurdi i mosemërimit të magjistratëve. Kam kërkuar rishikimin e sistemit të vlerësimit të gjyqtarëve. Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë nismën për hartimin e projektligjit për vlerësimin e gjyqtarëve. Ky është rekomandim nga misioni EURALIUS. Gjyqtarët duhet të zgjedhin përfaqësuesit në KLD. Duhet të kontribuoni për prioritetet në reforma në projektrezolutën që do të miratoni”, – u shpreh ministri i Drejtësisë, Nasip Naço në punimet e Konferencës Gjyqësore Kombëtare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.