aksat e larta, apo abuzim me pozitën dominuese, cila është arsyeja kryesore që shqiptarët e paguajnë më shtrenjtë naftën në krahasim me shumicën e vendeve europiane. “Monitor” sjell argumentet e operatorëve, strukturën e çmimeve, bilancet e operatorëve kryesorë…
Me një çmim për litër naftë prej 1.28 USD, Shqipëria pozicionohet e 131–ta në renditjen e 181 vendeve nga çmimi më i ulët tek ai më i lartë, sipas të dhënave nga faqja www.globalpetrolprices.com, të përditësuara më 26 janar. Ndonëse çmimet e naftës në vend kanë rënë në krahasim me 19 janarin, kur ishte bërë përditësimi i fundit (në atë datë, nafta ishte 1.32 USD), Shqipëria nuk ka ndryshuar shumë në pozicionim, për dy arsye. Së pari, edhe vendet e tjera kanë ndjekur të njëjtën tendencë zbritëse, së dyti, dollari(monedha me të cilën bëhen krahasimet)është mbiçmuar gjatë periudhës në fjalë.
Çmimet në vlerë absolute në Shqipëri janë më të shtrenjtat në rajon, në të njëjtin nivel me Serbinë dhe ndër më të lartat në Europë.
Operatorët: Nuk ka abuzim, faji i taksave
I gjendur në mes të “sulmit” publik për uljen me ritme të ulëta tëçmimit të naftës, Luigj Aliaj, një nga aksionerët dhe drejtuesit e Kastratit, kompanisë më të madhe në tregun e karburanteve, jep për “Monitor”variantin e tij për koston e lartë që shqiptarët kanë për furnizimin e automjeteve të tyre. Sipas tij, nëse përjashtojmë efektin e taksave, atëherë në Shqipëri, ulja reale e çmimit të naftës është dhe më e lartë sesa nëMaqedoni, apo vende të tjera. “Nëse çmimit i zbresim 27 lekë taksë qarkullimi, 3 lekë taksën e karbonit, 1 lekë tëmarkimit të karburanteve dhe 6 lekë TVSH-ja e tyre, taksa këto që nuk i ka asnjë vend në rajon, atëherë do të rezultojë se çmimi te ne ka rënë më shumë se kudo”, thotë Aliaj.
Sipas tij, nëse në njëçmim, 60% të elementeve janë fikse, atëherë një rënie prej 20% në vlerë absolute është e barasvlefshme me një rënie reale prej 48%. Në Shqipëri, efekti i taksave shtesë (taksa e qarkullimit, karbonit, markimit dhe TVSH-në e tyre) është 39 lekë për litër, apo gati 24% e çmimit total të shitjes, thotë Aliaj.
Aktualisht, kosto e një litri naftë në vend (taksat, përfshirëçmimin e blerjes dhe transportit) është 147.2 lekë (shiko tabelën: Struktura e kostos të karburanteve në Shqipëri (datë 27 janar 2015), ndërsa çmimi i shitjes me pakicëështë rreth 160 lekë. Sipas Aliajt, diferenca prej rreth 13 lekë për litër shërben për mbulimin e kostove të fuqisë punëtore, qirasë, mirëmbajtjes së depozitave dhe marzhin e fitimit.
Aliaj pohon se për momentin, kompanitë po operojnë me marzhe shumë të ulëta fitimi, çka ka bërë që shumë prej tyre të mos kenë leverdi as të importojnë. Sipas tij, aktualisht janë vetëm dy kompani importuese, Kastrati, me depozita në Porto Romano dhe API, që operon në depozitat e Petrolifera në Vlorë.Edhe Elda, një nga operatorët më të mëdhenj, nuk po importon aktualisht, por po furnizohet nga Kastrati.
Megjithëse tregu i importit dhe furnizimit me shumicë duket se po shkon më tej drejt përqendrimit, me pakësimin e kompanive importuese, Aliaj pohon se nuk bëhet fjalë për abuzim me pozitën dominuese, për shkak se ata po operojnë me diferenca shumë të vogla blerje-shitjeje. “Ju siguroj se dhe konkurrenca nuk ka asnjë argument për çmime të fiksuara”, thotë ai.
Drejtuesi i Kastratit pohon se nafta është një biznes shumë i vështirë, teksa sjell në vëmendje numrin e lartë të kompanive që kanë falimentuar në vite, duke filluar nga ato të huajat dhe deri te sipërmarrjet shqiptare.
Karburantet ulen çmimet dhe marzhet e fitimit pas presionit publik
Media, Kuvendi dhe rrjetet sociale kanë ushtruar shumë presion për faktin qëShqipëria ka çmimet më të larta. Shoqëritë reagojnë dhe ulin marzhet e fitimeve
Debati për çmimin e karburanteve ka përfshirë ethshëm gjithë Shqipërinë gjatë muajve të fundit, për shkak të nivelit më të lartë të naftës dhe benzinës në Shqipëri krahasuar me rajonin dhe vendet e BE-së. Në publik është krijuar bindja se shoqëritë e hidrokarbureve rrisin menjëherë dhe në një masë më të madhe çmimet kur rritet në bursat ndërkombëtare dhe reagojnë me vonesë dhe në një masë më të ulët kur ka ulje.
Rënia e fortë e bursës Platzz të karburanteve nuk është reflektuar në të njëjtën masë në Shqipëri. Bosët e karburanteve ia lënë fajin nivelit të lartë të taksave në Shqipëri që, gjatë dy viteve të fundit, janështuar në total me 24 lekë/litër si pasojë e rritjes së taksës së qarkullimit. Nga ana e saj, qeveria thotë se, megjithëse janë rritur taksat, nuk ka pasur efekt në çmimin e karburantit për shkak të tendencës rënëse në bursat ndërkombëtare dhe se çmimi i karburanteve sot është më i lirë se në kohën kur qeveriste PD-ja. Mediat dhe rrjetet sociale, nga ana tjetër, s’kanë reshtur së bëri krahasime mes çmimeve në Shqipëri dhe vendet e tjera të cilat sot realizohen në kohë reale për shkak të teknologjisë.
Për ta zhveshur efektin e taksave janë krahasuar të dhënat mbi çmimet e importit në dogana dhe çmimet e shitjes në pompë, nga ku rezulton se gjatë vitit të fundit është ngushtuar mark up(diferenca mes çmimit të shitjes dhe çmimit të blerjes). Kështu, për janar 2013, diferenca ka qenë 19 lekë për të shkuar në 17.2 për janarin 2015. Sqarojmë se kjo diferencë nuk është fitim neto pasi këtu bëjnë pjesë kostot e transportit, kostot lokale dhe marzhet e fitimeve mes dy niveleve të tregut, shumicës dhe pakicës.
Taksat kalojnë çmimet
Me ndryshimet e fundit fiskale dhe me rënien e çmimit të importit të karburanteve ka ndryshuar raporti çmim-taksa në favor të këtyre të fundit. Nëse në janar, çmimi mesatar i importit ishte 89 lekë/litër dhe taksat 74 lekë për litër, një vit më vonë në 2014 taksat dhe çmimet barazohen ndërkohë që në janar 2015 kur u rrit me 12 lekë taksa e qarkullimit, niveli i taksave shkoi në 95.2 lekë dhe çmimi në doganë vetëm 47.6 lekë ose rreth gjysma e nivelit të taksave.
Analiza e çmimeve dhe taksave
Grafiku paraqet të gjitha të dhënat e tregut të karburanteve në të gjithë segmentet e tregut tëmarra për muajin janar(kur hyn në fuqi dhe paketa fiskale) gjatë tre viteve të fundit nga ku dukshëm viti 2015 ka filluar me çmime të ulëta të naftës në import, rritjen e fortë të taksave dhe reflektimin e çmimit në pompë. Ky reagim nuk ka qenë i njëjtë për muajt janar 2014 dhe janar 2013 kur marzhet(mark up) mbeten në nivele 20 lekë për litër për naftën dhe rreth 30 lekë për litër për benzinën.
Tregu, që xhiron 1.6 miliardë dollarë
Rreth 162 miliardë lekë ose rreth 1.6 miliardë dollarë është tregu i karburanteve për transport (përjashtuar naftën bruto) që kanë xhiruar kompanitë e naftës në Shqipëri për vitin 2013.
Kastrati, është sipërmarrja më e madhe në vend në këtë sektor. Me një xhiro prej rreth 64 miliardë lekësh, kompania e tregtimit të naftës, pa një rritje të qarkullimit vjetor me 35% gjatë vitit 2013. Një biznes i vështirë do ta quante Luigji Aliaj, një ndër aksionerët dhe drejtuesit e Kastratit, që i kontaktuar nga Monitor, nuk është shumë entuziast për zgjerimin galopant të kompanisë në 2013-n, duke e vënë theksin te disa faktorë si shtrenjtimi i çmimit të naftës, apo shtimi i taksave që e kanë ndikuar rritjen e qarkullimit vjetor, ndonëse importet e naftës në total në 2013-n u zgjeruan me vetëm 6.5%. Të gjitha këto në fakt i kanë shtuar kostot, duke bërë që Kastrati të përgjysmojë fitimet në 2013-n. Ndërsa, aktiviteti si nënkontraktor i Bankers Petroleum ka qenë një tjetër faktor që ka ndikuar në shtimin e xhiros së kompanisë, për arsye të marzheve të ulëta me të cilat bëhet kjo xhiro.
Edhe kompania tjetër e grupit, Kastrati shpk (që tregton me pakicë) e rriti ndjeshëm qarkullimin vjetor, nga 2.1 miliardë lekë, në 8.6 miliardë lekë. Në 2014-n, gjithsesi, kompania nuk ka vijuar rritjen me këto ritme, për shkak të rënies së çmimeve të naftës.
Konkurrenti më i afërt importues i naftës është Europetrol Durrës Albania (marka tregtuese në tregtimin me pakicë është Elda) , i cili dy vitet e fundit nuk ka arritur të ndjekë ritmet e rritjes së Kastratit, ndonëse deri dy vjet më parë, dy konkurrentët ishin “rrotë më rrotë”. Për vitin 2013, Europetrol deklaroi 22.6 miliardë lekë xhiro, me një rritje prej 1%. Kompania tjetër e grupit, “Skënderi G”, që tregton naftën me pakicë realizoi një qarkullim vjetor prej rreth 7 miliardë lekësh, duke u renditur në vendin e 32.
Tea Construction& Petrol, pjesë e Tea Oil Group ka katërfishuar aktivitetin e saj në 2013-n, duke arritur një xhiro prej 8.7 miliardë lekë. Sipas burimeve zyrtare të kompanisë, aktiviteti i saj kryesor është shitja me shumicë dhe pakicë e naftës, ndërtimi i rrugëve, import-eksporti etj. Së fundmi ajo zotëron dhe markat e naftës Alpet dhe Cyclon. Kompania shet gjithashtu produkte të distiluara nga rafineritë lokale. Produktet e përpunuara si bitum, solar, etj eksportohen në vende të tjera të rajonit si Kosova dhe Maqedonia.
Operatori i katërt më i madh tregtues i naftës në 2013-n ishte Genklaudis, me një qarkullim vjetor prej 12.7 miliardë lekësh, me një rritje prej rreth 6%.
Taçi Oil (sot IT Oil), që në 2012-n ishte sipërmarrësi i dytë më i madh i naftës në vend, ka shënuar një rënie të ndjeshme të xhiros me 77%, nga 32.8 miliardë lekë, në 9.1 miliardë lekë, teksa ka ushtruar aktivitet vetëm gjysmën e parë të vitit, për të dalë më pas nga tregu i naftës, ndërsa marka e tij u zëvendësua nga IT Oil, që ka marrë dhe pjesën e tregut të Taçi Oil.
Vil Oil (i cili tregtonte markën Alpet) ka shënuar një rënie të ndjeshme të aktivitetit pas 2010-s, ndërsa kompania është vendosur nën sekuestro konservative që nga mesi i vitit 2013, sipas të dhënave nga QKR dhe marka Alpet tashmë tregtohet nga Tea Construction& Petrol .
Operatorët e rinj që po marrin tregun e Taçi Oil dhe Alpet janë përkatësisht IT Oil dhe Gulf International.
Karakteristikë e tregut janë normat tepër të ulëta të fitimit, që mesatarisht nuk e kalojnë 1%, për kompanitë e tregtimit me shumicë (SHA), ndërsa për pakicën arrijnë deri në 4-5% (shpk).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.