Çmimi i naftës pritet të ulet në periudha afatmesme për shkak të përshkallëzimit të konflikteve gjeopolitike dhe kërkesës së dobët në rang ndërkombëtar. Nivelin makimal çmimi i naftës bruto sipas indeksit Brent, e arriti në 115 dollarë/fuçi, në muajin qershor 2014. Në periudha më afatgjatë deri në vjeshtën e këtij viti në tregjet e lëndëve të para, çmimet e naftës bruto janë luhatur në kufijtë 106-115 dollarë/fuçi.
Sipas analizës së bankës së Shqipërisë të publikuar së fundi çmimet e naftës ishin në rënie gjatë tremujorit të parë, si rezultat i dobësimit të kërkesës botërore për naftë në kushtet e një oferte të bollshme. Kjo ecuri ndryshoi gjatë tremujorit të dytë, për shkak të përshkallëzimit të konflikteve gjeopolitike dhe problemeve në vendet kryesore prodhuese.
Gjithsesi, çmimet e naftës kanë qenë përsëri në rënie gjatë muajve të fundit, për shkak të kërkesës së ndrydhur në linjë me rritjen e dobët globale, ndërkohë që oferta ka mbetur në të njëjtat nivele. Pjesëmarrësit e këtij tregu presin një rënie të lehtë të çmimeve të naftës në periudhën afatmesme.
Çmimet e mallrave të tjera kryesore shënuan rritje në tremujorin e parë, kryesisht për shkak të motit të pafavorshëm në vendet eksportuese të produkteve ushqimore. Kjo ecuri ndryshoi në tremujorin e dytë, si rezultat i rritjes sezonale të ofertës, duke sjellë rënie në çmimet e këtyre mallrave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.