Qeveria duket se ka ndryshuar sërish taktikë së fundmi lidhur me blloqet e lira të naftës, duke kaluar nga strategjia “open doors” (dyer të hapura), ku çdo investitor mund të kërkonte secilin nga blloqet e disponueshëm dhe të hynte në negociata te shpallja në “ankand”.
Së fundmi, me një urdhër të veçantë të fillimit të tetorit, ministri për Infrastrukturën dhe Energjinë, Damian Gjiknuri, ka kërkuar që Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës të bëjë shpalljen dhe të nxjerrë për interes Bllokun 5. Investitorët e interesuar do të duhet të dorëzojnë dokumentet e kërkuara dhe të hyjnë më pas në negociata me qeverinë, për të fituar të drejtën e kërkimit dhe shfrytëzimit.
Referuar kushteve të publikuara, e drejta do t’i jepet për kërkim kompanisë për një periudhë 5-vjeçare me të drejtë zgjatjeje deri në 7 vjet konform ligjit “Për hidrokarburet”. Në rast se kompania arrin të zbulojë naftë në zonë, periudha e zhvillimit dhe prodhimit në zonë do të jetë 25 vjet dhe mund të zgjatet edhe më tej, sipas asaj që parashikon ligji. Lidhur me rikuperimin e kostos dhe ndarjen e naftës, termat për rikuperimin e kostos, limitin e kostos, faktorin “R” dhe ndarjen naftës do të specifikohet nga kontraktori në aplikim. Kompanitë e interesuara për këtë Bllok kanë afat 30 ditë për të shprehur interesin e tyre.
Shqipëria ka një sërë blloqesh të lira nafte. Blloku i fundit që iu kalua një kompanie për kërkim ishte Blloku 4, të cilin e morën holandezët e
“Shell”, nëpërmjet një marrëveshjeje të nënshkruar në shkurt të këtij viti. Kjo është e vetmja marrëveshje e suksesshme për një bllok të lirë, ndërkohë tentativat për të tërhequr investitorët vazhdojnë prej vitesh.
Blloku 5, që është nxjerrë së fundmi për shprehje interesi ndodhet në Jug-Juglindje të Shqipërisë, nga Saranda në Jug deri në Vlorë në Veri. Kufiri perëndimor përputhet me bregun e detit Jon në Jug dhe atij Adriatik më në Veri. Sipas dokumenteve zyrtare, bazuar në të dhënat ekzistuese gjeologo-gjeofizike, janë evidentuar disa objekte prognoze kërkimi si: Kanina Jugore, Vurgu, dhe Ramica ndërkohë që theksohet se për të vijuar kërkimin në këtë bllok dhe për të përgatitur më mirë këto struktura nevojitet ripërpunimi i profileve të kryera deri tani, si dhe kryerja e profileve të rinj sizmikë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.