Ashtu siç pritej, Banka Kombëtare e Greqisë ka zyrtarizuar shitjen e filialit së saj në Shqipëri tek Banka Amerikane e Investimeve. http://www.monitor.al/shitja-e-nbg-te-abi-bank-pritet-nenshkrimi-marreveshjes/
Sipas një deklarate për shtyp, “Banka Kombëtare e Greqisë S.A. (“NBG”) ka hyrë në një marrëveshje përfundimtare për shitjen e gjithë aksioneve të saj (100%) në degën e saj Banka NBG Albania Sh.A. (“NBG Albania”) tek Banka Amerikane e Investimeve SA (“ABI”). Transaksioni po zbatohet në kontekstin e Planit të Ristrukturimit të NBG-së dhe në përputhje me angazhimet e tij ndaj Drejtorisë së Konkurrencës së Komisionit Evropian.
Transaksioni do të rrisë kapitalin e NBG dhe i nënshtrohet miratimit rregullator të autoriteteve të tjera, përfshirë (i) Bankën e Shqipërisë dhe (ii) Autoritetin e Konkurrencës të Shqipërisë.
NBG Albania filloi të operonte në Shqipëri në vitin 1996 si dega e Tiranës e NBG. Në vitin 2012, ajo u bë një bankë plotësisht e licencuar dhe e pavarur dhe që atëherë vepron si një degë e 100% e NBG. NBG Albania ofron një gamë të gjerë të produkteve financiare për klientelën e saj të shitjes me pakicë dhe të korporatave, duke përfshirë produktet e kreditimit, depozitat, financimin e tregtisë, menaxhimin e parave të gatshme dhe shërbimet e thesarit.
Banka Amerikane e Investimeve SA, është një degë tërësisht në pronësi të Tranzit Sh.pk, një institucion financiar jobankë në Shqipëri, i fokusuar në ofrimin e mundësive fleksibël të financimit për kompanitë dhe individët. ABI është i licencuar për të kryer aktivitete kreditore dhe depozituese, shërbime pagesash në Shqipëri dhe jashtë saj si dhe veprimtari të tjera bankare në përputhje me ligjet shqiptare”, përfundon njoftimi zyrtar i Bankës Kombëtare të Greqisë.
Numri i bankave zbret në 14
NBG dhe ABI kishin përkatësisht 2.85 dhe 2.6% të totalit të aseteve të sistemit bankar. Pas blerjes ABI do të ketë 5.65% të totalit të aseteve të sistemit bankar, duke u ngjitur në bankën e gjashtë më të madhe në sistem, pas BKT (27.8%), Raiffeisen (17%), Credins (12.06%), Intesa (11%), Societe (5.8%).
Sistemi bankar është përfshirë në një proces konsolidimi. Në fund të vitit të kaluar Veneto Banka u përthith nga banka tjetër italiane, Intesa Sanpaolo, në linjë me marrjen e saj nga banka mëmë në Itali. Pas blerjes së NBG nga Intesa, numri i bankave zbret nga 16 në 14.
Shitja e NBG ishte e para nga bankat greke, në kuadër të planit të ristrukturimit të sistemit bankar grek. Banka e Pireut, e cila ka në zotërim Tirana Bank në Shqipëri ka njoftuar se është në proces shitjeje të degëve të saj në Ballkan.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.